Kryeministri Berisha merr ngushëllime nga partitë politike shqiptare dhe pushteti lokal i Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës si dhe nga Universiteti i Prishtinës.
Kryeministri Berisha ka marrë sot telegrame ngushëllimi nga disa prej liderëve të forcave politike shqiptare dhe pushtetit lokal të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi si dhe nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, pas tragjedisë së Liqenit të Farkës ku humbën jetën 16 persona. Kështu Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi shpreh pikëllimin e thellë dhe i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve dhe mbarë popullit shqiptar. Një telegram ngushëllimi për Kryeministrin Berisha vjen edhe nga Ali Ahmeti, Bashkimi Demokratik për Integrim, Tetovë ku thuhet: “Përmasa e dhimbjes është aq e madhe saqë mban zi gjijthë kombi shqiptar.” Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik të Preshevës, zoti Riza Halimi në ngushëllimin e tij drejtuar Kryeministrit Berisha shprehet se të bindur thellë se shteti shqiptar por edhe familjarët e viktimave do të gjejnë forcë ta përballojnë këtë tragjedi kombëtare, lusim Zotin që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më. Në ngushëllimin e tij Kryetari i Forcës së Re Demokratike të Malit të ZI, zoti Nazif Cungu shpreh dhimbjen e mbarë shqiptarëve të Ulqinit për këtë humbje të rëndë. Kryeministri Berisha ka marrë ngushëllime edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, Dr. Pal Lekaj, nga Kryetari i Komunës së Ulqinit, zoti Gëzim Hajdinaga si dhe nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, zoti Enver Hasani.