Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9-vjeçare në Krujë, investim prej rreth 60 milionë lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e rikonstruksionit shkollës 9-vjecare nr. 1 në Krujë. Kjo shkollë, e cila i shtohet një serie objektesh të reja arsimore në të gjithë vendin, përbën një investim prej rreth 60 milion lekësh, me kapacitet prej 800 nxënës. Shkolla ka 24 klasa, 3 laboratorë (kimi, fizikë dhe biologji), 2 kabinete informatike, bibliotekën, muzeun e shkollës dhe një sallë multi fuksionale për veprimtari ekstrakurrikulare, si dhe palestër të mbyllur.
Gjatë 3 viteve 2009-2012, në Krujë janë ndërtuar dhe rindërtuar 5 objekte shkollore me vlerë të përgjithshme rreth 262 milion lekë.
Kryeministri Berisha, i cili u prit nga nxënës, mësues e familjarë të mbledhur me këtë rast, pasi i uroi ata për shkollën e re, u shpreh se ky mjedis i pajisur më së miri me të gjitha kushtet e një shkolle moderne evropiane do të jetë nxitës për rezultate sa më të larta në garën e bukur dhe fisnike të dijes.
Kryeministri Berisha tha se, për këtë mazhorancë arsimi, shkollimi në kushte të mira, në kushte të njëjta me bashkëmoshatarët europian përbënë përparësinë e të gjitha përparësive. “Ne jemi të bindur se çdo qindarkë, që investojmë sot për ju shumëfishohet në dhjetëra dhe qindra herë nesër, në dritë, në zhvillim për Krujën dhe mbarë Shqipërinë. Ndaj dhe ne kemi shpallur arsimin, shkollimin, si çështjen tonë më serioze, më kryesore. Në një hark kohor të shkurtër nga 2006 e deri më sot, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla në mbarë vendin dhe ka mbetur rreth 29% e tyre, që presin ndërtimin dhe rindërtimin”- theksoi kryeministri Berisha. Gjithashtu Kryeministri garantoi nxënësit dhe mësuesit se gjatë mandatit që vjen çdo shkollë e këtij vendi do të jetë e ndërtuar rishtas ose e rindërtuar.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur nxënëse dhe nxënës,
Mësuese dhe mësues të shkollës 9-vjeçare numër 1 të Krujës
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë time, që të ndaj me ju sot gëzimin e inaugurimit të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare të qytetit tuaj, për të cilën janë investuar rreth 60 milion lekë. Në këtë rindërtim shkolla është shndërruar në një shkollë moderne me 24 klasa, 3 laboratorë, 2 kabinete informatike, me sallë të aktiviteteve kulturore, bibliotekë, palestër dhe të gjitha pajisjet e një shkolle moderne.
Duke ardhur këtu, pyeta Kryetarin e Bashkisë: Çfarë ka mbetur nga shkollat e qytetit pa ndërtuar nga e para apo rindërtuar? Më tha se tenderi për gjimnazin është hapur dhe është shpallur fituesi dhe fillon ndërtimi. Pra ka mbetur vetëm një shkollë në hyrje të qytetit. Jam sot këtu për tu zotuar para jush se do të bëjmë çdo gjë për të ndërtuar dhe rindërtuar çdo shkollë, në qytetin, rrethin e Krujës, qarkun e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Mësuese dhe mësues
Për këtë mazhorancë arsimi, shkollimi juaj në kushte të mira, në kushte të njëjta me bashkëmoshatarët tuaj europian, përbën përparësinë e të gjitha përparësive. Ne jemi të bindur se çdo qindarkë që investojmë sot për ju, shumëfishohet në dhjetëra dhe qindra herë nesër, në dritë, në zhvillim, për Krujën dhe mbarë Shqipërinë. Ndaj dhe ne kemi shpallur arsimin, shkollimin, si çështjen tonë më serioze, më kryesore. Në një hark kohor të shkurtër, nga 2006 e deri më sot, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla në mbarë vendin dhe kanë mbetur rreth 29% e tyre, që presin ndërtimin dhe rindërtimin. Ju garantoj se, gjatë mandatit që vjen, çdo shkollë e këtij vendi do të jetë e ndërtuar rishtas, ose e rindërtuar. Çdo shkollë e këtij vendi, do të jetë e pajisur me laboratorët më moderne. Ne kemi dëshmuar me vendime shumë të rëndësishme, se për ne, arsimi është çështja më kryesore. Në asnjë sektor tjetër të jetës së vendit, ne nuk kemi financuar saç kemi financuar sistemin arsimor. Nga 25 miliard që ishte buxheti në vitin 2005, sot buxheti për arsimin, nga sektori shtetëror dhe privat është mbi 50 miliard. Në përpjekjen tonë për një sistem arsimor të zhvilluar të denjë për fëmijët tanë, ne kemi rritur rrogat e mësuesve sa në asnjë sektor tjetër. Sot edukatorja e kopshtit merr një rrogë 147% më të madhe, se në vitin 2005. Vit në të cilin shpërblehej me 20 mijë lek, sot shpërblehet me 50 mijë lek. Mësuesi i arsimit 9-vjeçar merr një rrogë prej 54 mijë lek kundrejt 22 mijë e 900 lekë që merrte në 2005. Po kështu mësuesi i shkollës së mesme, merr një rrogë 127 % më të lartë. Në rast se në vitin 2006 diferenca e rrogave midis kryeministrit dhe mësuesit ishte 9 herë, sot kjo diference ka zbritur në 4.5 herë dhe ju garantoj se do të shkojë duke u ngushtuar më tej, sepse çdo ditë e më shumë do të rrisim rrogat e mësuesve.
Në përpjekjen tonë për një arsim modern, në një akt të parë të Shqipërisë dixhitale, ne shtrim internetin në të gjitha shkollat e vendit. Ju garantoj se do të shtrihet në çdo klasë dhe teknologjia më e avancuar dixhitale do të jetë në duart e fëmijëve tanë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Gjatë vizitës në shkollën tuaj, unë kudo ndjeva tek ju gëzimin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në koncertin e mrekullueshëm të nxënësve, në sallën e informatikës dhe kudo. Ju krutanet dhe krutanët, por edhe të gjithë shqiptarët sot ndihen krenarë me historinë e tyre, e cila është e lashtë, është mijëra vjeçare, por në të vërtetë në këtë histori, Kruja qëndron në krye të saj. Kruja qëndron në krye të historisë, sepse pas Skënderbeut, e luftërave legjendare, e qëndresës së mahniti botën, por edhe pa Skënderbejtë rinj, emri i kombit shqiptar do të ishte harruar në histori.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Në këtë shkollë dhe në mbarë shkollat e vendit, në shumë disiplina po zhvillohen konkurset e pavarësisë. Këto janë gara të mrekullueshme, gara në të cilat ju derdhni talentet e dijet tuaja, për të nderuar aktin më madhor në historinë e shqiptarëve, shpalljen me 28 nëntor 1912 ,nga burri i madh i kombit shqiptar, shtetari mendje ndritur, themeluesi i pavarësisë Ismail Qemali në Vlorë. 100 vite kanë qenë vite të vështira, vite përpjekjesh mbinjerëzore për shqiptarët, por sot jemi të lirë, sot ndërtojmë të ardhmen, sot jemi anëtarë të NATO-s, sot ecim drejt ëndrrës europiane të rilindasve tanë, të paraardhësve tanë, ëndrrës sonë dhe fëmijëve tanë , drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë ju garantoj ju se qeveria do të bëjë gjithçka që kjo ëndërr të shndërrohet sa më shpejt në një realitet të bukur për mbarë shqiptarët. Shfrytëzoj rastin për ti bërë thirrje edhe njëherë opozitës, të votojë ligjet që kërkohen nga Komisioni Evropian në mënyrë që të dëshmojmë, se të gjithë si shqiptarë jemi të përkushtuar në procesin e integrimit. I bëj thirrje të heqë dorë nga bllokomi, sepse ky bllokim është shkelmimi i ëndrrës më të bukur të fëmijëve tanë, të prindërve të tyre, të qytetarëve shqiptarë pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Mësuese dhe mësues
Kohët e fundit opozita kritikon kryeministrin pse inauguron shkolla të reja dhe pse në fjalimet e tij diskuton me nxënësit, mësuesit, prindërit dhe familjarët e nxënësve për ëndrrën më të bukur të tyre, ëndrrën Europiane. Unë dua ti garantoj ata se kritikat e tyre nuk me pengojnë mua dhe nuk do të më pengojnë kurrë në politikat e qarta tona për arsimin. Në rast se ndokush mërzitet se ne inaugurojmë shkolla të reja, në rast se ndokush mërzitet se ne kemi ndërtuar mbi 71% të të gjitha shkollave të vendit, apo rindërtuar ato, i them se do mërzitet edhe me shumë se do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në Shqipëri dhe se arsimi për ne, mbetet objektivi ynë më madhor. Ne duam që fëmijët shqiptarë të shkollohen në shkollat më moderne. Në rast se ata mërziten, sepse sëbashku diskutojmë për ëndrrën tonë Europiane, për projektin tonë të madh gabojnë rëndë, do të diskutojmë dhe debatin, dialogun për këtë ëndërr do ta vazhdojmë sëbashku, derisa ta bëjmë realitet të plotë, derisa në rrugën tonë të heqim çdo pengesë .
Edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë shkollë dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, që çdo shkollë e këtij rrethi çdo shkollë e këtij qarku, të jetë e re ose e rindërtuar.
Gëzuar dhe faleminderit.”
24/10/2012