Kryeministri Berisha: Buxheti 2010, buxheti i antifragmentarizmit dhe i konsolidimit të tij në projekte të mëdha
Gjatë mbledhjes se qeverisë, Kryeministri Berisha udhëzoi anëtarët e kabinetit qeveritar që, në vijim të traditës së dobishme të krijuar vitet e fundit, të shmangin fragmentarizmin në hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2010. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha kërkoi që ky buxhet do të jetë buxheti i antifragmentarizmit.
“Kjo qeveri ka krijuar një traditë të dobishme për buxhetin, në themel të cilit ka qenë antifragmentarizmi. Në vitin 2005 e kemi gjetur të fragmentarizuar në 5 mijë zëra që, përkthyer ndryshe, do të ishte një avullim i buxhetit. Gjatë viteve jemi përballur me sukses me këtë fenomen,” tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se është shumë e rëndësishme që buxheti të ketë përqendrim në projekte të mëdha, në mënyrë që të mos shkohet në fragmentim.
“Qeverisë së ardhshme do t’i lëmë buxhetin më të konsoliduar, duke parashikuar që çdo ministri të ketë jo më shumë se 40 projekte. Antithërrimi apo konsolidimi i buxhetit në projekte të mëdha është rruga më efiçente kundër korrupsionit. Në mbyllje të një qeverisje 4 vjeçare, ku secili prej jush ka kontribut të çmuar, le t’i lëmë qeverisë së ardhshme buxhetin më të mirë që kemi hartuar ndonjëherë dhe të bëjmë kompaktësimin maksimal të zërave dhe të buxhetit në tërësi.”
12/08/2009