Kryeministri Berisha: Buxheti i vitit 2012 ka objektivë themelore garantimin e stabilitetit makroekonomik të vendit
- Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë një ndër më të paktat vende që rrisin rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike
- Kjo maxhorancë do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj për të bërë Shqipërinë me infrastrukturën më moderne
- Shqipëria dixhitale është një ndër objektivat më madhore në 100 vjetorin e pavarësisë
- Projektet kombëtare në frutikulturë kanë një rëndësi kapitale për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe për rritjen e te ardhurave ne familjet shqiptare.
Nën drejtimin e kryeministri Berisha u zhvillua sot pasdite, mbledhja e Këshillit të Ministrave, e cila miratoi vendimin për buxhetin e vitit 2012 dhe dërgoi në Parlament, projektligjin për miratimin e tij.
Duke e cilësuar buxhetin e vitit që vjen, si më të madhin në tërë historinë e vendit, kryeministri theksoi se ky buxhet ka si objektivë më kryesore garantimin e stabilitetit makroekonomik për vendin, në kohën kur Evropa po përjeton krizën më të rëndë. “Buxheti i vitit 2012 është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ju, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve më optimalë të mundshëm, të stabilitetit makroekonomik, pra siç jemi zotuar se nuk ka dhe mund të ketë rritje te borxhit, por vetëm ulje te tij, se nuk ka dhe nuk mund të ketë rritje te deficitit buxhetor, por vetëm ulje te tij, se nuk ka dhe nuk mund te ketë parashikime te tjera, perveçse atyre me praktiken më konservatore.” u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri u fokusua në disa prej drejtimeve më themelore ku do të përqendrohet buxheti, ku në vend të parë janë rritja e rrogave, pensioneve,si dhe ndihmës ekonomike, ndërtimi i një rrjeti infrastrukturor modern, projektet për Shqipërinë dixhitale, si dhe projekti kombëtar i ullirit dhe drurëve frutorë. Por, kryeministri siguroi se nuk janë lënë prapa projektet për investime në fushën e shëndetësisë, turizmit, kulturës, mbrojtjes, rendit, ujësjellës-kanalizimeve, etj.
Më gjerësisht për buxhetin e vitit 2012, kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot, pas një procesi të gjatë dhe pune intensive që ju, agjencitë e varura nga ju kanë bërë me Ministrinë e Financave, ne sjellim këtu për miratimin dhe dërgimin në parlament, buxhetin e vitit 2012
Ky buxhet është më i madhi në tërë historinë e vendit dhe ka si objektiva më kryesore garantimin e stabilitetit makroekonomik, si përparësi e të gjitha përparësive, në kohën e një krize, ndofta më të rëndën në historinë e Evropës. Buxheti i vitit 2012 është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ju, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve më optimal të mundshëm të stabilitetit makroekonomik, pra siç jemi zotuar se nuk ka dhe mund të ketë rritje te borxhit, por vetëm ulje te tij, se nuk ka dhe nuk mund të ketë rritje te deficitit buxhetor, por vetëm ulje te tij, se nuk ka dhe nuk mund te ketë parashikime te tjera, perveçse atyre me praktiken më konservatore .
Krahas kësaj që përbën themelin e buxhetit, ne kemi vendosur të përqendrojmë buxhetin në objektivat tonë më madhore dhe këta janë, rritja e rrogave dhe pensioneve. Ne jemi të bindur se rritja e studiuar e rrogave dhe pensioneve përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit në burimet njerëzore, si dhe ne fytyrën njerëzore te qeverisë, zemra e dhimbsur është dhe do të mbetet zemra e vërtete kësaj qeverisje.
Ndaj dhe vitin e ardhshëm, sërish ne do të jemi një ndër më të paktat vende që rrisim rrogat dhe pensionet, si dhe ndihmën ekonomike. Në vlerësimin që bëhet në raportin e kompetivitetit global, ne rezultojmë në pozicionin e 17 në botë në raportin rroga/produktivitet dhe unë mund tu them që ky është një nga treguesit me thelbësor dhe më të rëndësishëm që ne kemi arritur, ndaj dhe ne duke u përpjekur të përmirësojmë edhe me tej këtë raport do të ruajmë konstante politiken e rrogave dhe pensioneve.
Viti 2012 nuk është një vit elektoral, pra ne nuk e bëjmë këtë për qëllime elektorale,siç është përpjekur në mënyrën më të përsëritur opozita të cilësojë politikën e rritjes së rrogave dhe pensione. Uroj që të bien dakord në parlament dhe kësaj radhe, pasi kanë votuar nga 2005 deri më sot kundër rritjes së tyre, ta bëjnë zemër gur dhe te votojnë në favor të kësaj rritje sepse pensionistët shqiptarë, punonjësit e administratës, familjet e tyre kanë nevojë që të ardhurat e tyre të rriten. Sa recitojnë këngën e orizit çdo seancë parlamentare do të kish qenë shumë e dobishme të votonin rritjen e rrogave dhe pensioneve që ne kemi dërguar në parlament në çdo buxhet. Është tashmë e njohur cilësimi i para një viti, që e quajtën veprimtari kriminale. Nuk ka veprimtari më njerëzore se sa kjo.
Po, ky ishte premtim elektoral i ynë dhe ne i qëndrojmë në mënyrë të palëkundur premtimeve elektorale. Paradite isha në Qafë-Studen dhe u takova me shumë përzemërsi me banorët e asaj zone. Kënaqësia reciproke ishte se po mbanin premtimet ndaj tyre. Fjala duhet mbajtur.
Drejtimi i dytë themelor dhe më kryesor do të jetë infrastruktura. Ne, kjo maxhorancë do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj për të bërë Shqipërinë me infrastrukturën më moderne. Jam i bindur se kjo është mënyra më e sigurtë për të shpejtuar procesin e zhvillimit të këtij vendi.
Gjatë këtyre viteve, ne kemi përfunduar investimet më kryesore në infrastrukturë dhe i kemi në përfundim. Sërish infrastruktura e vendit, rrugët e komunave dhe te fshatrave të këtij vendi dhe rrugë të tjera kanë nevojë, përveç këtyre që janë në ndërtim, edhe për jo më shumë se 1 miliard euro investime. Ne deri sa të ndërtojmë edhe rrugën e fundit do ti angazhojmë këto burime. Natyrisht, kjo nuk bëhet në një vit, por do të ruajmë të njëjtin nivel investimi në rrugë deri sa të bëjmë që çdo shqiptar, aty ku jeton të arrijë në Tiranë, duke kursyer, jo më pak se 60 % të kohës ose të arrijë në Tiranë në një hark kohor 2 orë ose 2 orë e gjysmë. Ky rrjet rrugor është rrjeti i transformimit të Shqipërisë. Tre tunele japin një Shqipëri tjetër. Tuneli i Qafë-Kërrabës shkurton pothuajse me një orë, rrugën e mbi 1 milion shqiptarëve që banojnë në Juglindje dhe në Jug të vendit. Tuneli i Qaf-Murrizit do tu kurseje, jo më pak se dy orë e gjysmë apo më shumë, të gjithë shqiptarëve që jetojnë në qarkun e Dibrës apo dhe shqiptarëve të Maqedonisë, afron Shkupin me Tiranën me 104 km.
Ndërtimi i rrugëve bën të rrjedhë fuqishëm, për të mos thënë të fluturojë energjia e tregut në të katër anët e këtij vendi. Sot unë isha në Stëbleve. A mund të imagjinoni ju që pas ndërtimit të tunelit dhe rrugës që po ndërtojmë, nga Tirana të arrish në Stëblevë, pothuajse në të njëjtën kohë që mund të arrish për rrugën që po ndërtojmë, nga Tirana në Bizë. Fushë Studen ishte të paktën dy herë e gjysmë më e gjerë se Biza, në të cilën kam qenë disa herë, në një lartësi 1200-1300 metra, fillimi parkut kombëtar, ndër më të bukurit në Ballkan. Pra ne duhet do të vazhdojmë me të gjithë mundësitë tona investimet e nisura në rrugë.
Zotërinj ministra, qëllimet e shpallura politike janë qëllimet më eprore, ato mbështeten në mënyrën më të përqendruar dhe më të fuqishme, prandaj dhe këtë vit do të ruhet i njëjti nivel investimesh në rrugë, si vitin që shkoi. Ne do të investojmë në rrugë këtë vit, sërish rreth gjysmë miliard dollarë, në mos dhe më shumë sepse dua të informoj këtu, se të ardhurat që krijohen nga privatizimet nuk janë përfshirë në buxhet. Natyrisht që të gjitha do të shkojnë në parlament, por ne nuk mund të bënim buxhet, të parashikonim dhe të paragjykonim çmimet dhe të ardhurat që vijnë nga privatizimet, por garantoj se ato sapo të realizohen, në mënyrën më transparente do të caktohet destinacioni i tyre dhe sërish ato do të ndjekin linjat kryesore të përcaktimit të buxhetit, pra përfundimi i akseve kombëtare, autostradës Tiranë-Elbasan, vazhdimi i autostradës Qukës-Qafë Plloçë, i rrugës së Arbrit dhe te gjitha segmenteve të rrugëve të mëdha kombëtare që janë by-pass i Shkodrës, autostrada Kardhiq-Delvinë që afron Sarandën dhe Delvinën me një orë, autostrada Levan-Tepelene, e cila do të jetë e gatshme në 100 vjetorin e pavarësisë, por do të jenë dhe mijëra kilometra të tjera, rruga e gjithsecilit, rruga e fshatit, rruga e komunës, rrugë të cilat edhe ato e transformojnë Shqipërinë. Ndaj dhe unë e kuptoj që ky përqendrim i madh në rrugë nuk është se gëzon çdo agjenci, por ne duhet të japim vendit infrastrukturën me moderne rrugore dhe jam i bindur se kjo është në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi. Janë mahnitëse bukuritë dhe potencialet e mëdha të Shqipërisë, por kanë mbetur të pashfrytëzuara.
Drejtimi i dytë më themelor i Shqipërisë në 100 vjetorin e saj është Shqipëria dixhitale, ndaj dhe zotërinj ministra para se ti vendos firmën përfundimtare buxhetit jeni të lutur ti përshtatni shpenzimet tuaja, duke përparësuar secili prej jush projektet e Shqipërisë dixhitale. Unë mund të përmend disa këtu: Ministria e Brendshme duhet të hapë linjat e transparencës dhe të komunikimit të qytetarëve me policinë, on-line; Ministria e Punëve Publike, projektin e regjistrimit on-line të lejeve te ndërtimit; Ministria e Ekonomisë, e kemi ne vazhdim projektin e dixhitalizimit të ndihmës ekonomike; Ministria e Arsimit, duhet të realizojë projektin internet në çdo klasë, nga internet ne çdo shkollë, tani kalon internet ne çdo klasë. Shkolla shqiptare është shkollë dixhitale. Unë e di që kemi bërë 1000 klasa apo shumë më tepër, por ne duhet të bëjmë gjithçka që të dixhitalizimi të mos jetë vetëm në kabinete, por në çdo klasë dhe në çdo mësim. Ju keni një seri projektesh të tjera, por duhet që shkolla shqiptare të jetë e tera mbi baza dixhitale; Ministria e Kulturës, zoti ministër, Biblioteka Kombëtare duhet te mbështetet që të ketë shkallën më të lartë të dixhitalizmit, ata kanë bërë përpjekje shumë serioze, por nuk kanë patur ndihmën e duhur nga qeveria. Kanë patur inkurajim, por jo ndihmë. Tani do të kenë të gjithë mbështetjen financiare me përparësi të plotë që fondi i tyre i mrekullueshëm të dixhitalizohet sa më shpejt; Ministria e Financave krahas sistemit të ri dixhital tatimor, rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe publikimi on-line i çdo qindarke që del nga thesari i shtetit. Qytetarët duhet të ndjekin çdo shpenzim të zyrave të këtij vendi. Ky është dhe një nga kushtet që kemi ne, nismën e partneritetit për qeveri të hapur. Pra ne e kemi të mundur, por tani duhet që shqiptarët të shikojnë të gjithë shpenzimet që bëhen, të na kontrollojnë on-line. Për sa i përket, Ministrisë së Ekonomisë, duhet urgjentisht të zhvillojmë dhe konsolidojmë sistemin e regjistrimit on-line te bizneseve dhe me ministrin Pollo dhe AKSH-in duhet të ndërmarrin, të zbatojnë projektin e gjurmueshmërisë, projekt, i cili i bën të mundur biznesmenit të ndjekë në cdo hap dokumentat që dorëzon në zyrat tona. Mnistri Pollo dhe AKSH po marrin masa, Ministria e Ekonomisë duhet ta mbështesë me buxhet këtë projekt. Viti që vjen do te jetë viti i numrit të përbashkët 122. Çdo agjenci që ka lidhje me këtë do të përcaktojë fondin respektiv. Inspektrorati qendror i sapokrijuar do të zhvillohet si inspektoriat dixhital.
Pra, siç e dini për vitin që vjen është regjistri i tokës, janë një seri projektesh madhore, është dixhitalizmi i noterisë, tregu i punës, pra janë 125 projekte ndaj dhe ajo që nuk mund të ndodhë, është se nuk mund të ndodhë që ne këto nuk i kemi parashikuar në buxhet. Ne këto do ti parashikojmë me përparësi absolute ne buxhetin e çdo ministrie, duke hequr projekte te tjera. Unë e kuptoj që qeveria fatmirësisht nuk vuan për projekte dhe kjo është një arritje shumë e madhe e jona, por do të përparësojmë mbi të gjithë në zyrat tona projektet dixitale, si projekte te transparencës, si projekte që i japin përparësi luftës kundër korrupsionit,si projekte që i garantojnë qytetarit shërbimet më të mira dhe na shkëpusin nga prapambetja.
Drejtimi i tretë themelor është frutikultura apo projekti kombëtar i ullirit arrorëve por edhe i çdo druri tjetër frutor, sepse ne i orientojmë, por janë fermerët dhe fshatarët ata që e dinë vetë se çfarë frutash bëhen më mirë në tokën e tyre. Ky projekt ka një rëndësi kapitale për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit për rritjen e te ardhurave ne familjet shqiptare. Faktikisht është ndezur në të katër anët e vendit pasioni për mbjelljen e drurëve frutorë. Unë mund tu them ju një të dhënë, 9 muaj më parë është lançuar projekti i arrorëve. Aplikimet për arrorë kanë arritur në 1600 mijë ha, pra po bëhët një pasion i papërmbajtur mbjellja e drurëve frutorë. Projekti është më ambiciozi që mund të bëhet, 200 milion arrorë. Tani 20 milion rrënjë ullinj dhe pas 4 viteve 30 milionë rrënjë të tjera ullinj. Po ti pyesësh planovikët, të thonë se kjo nuk mund të ndodhë, sepse ata shohin vetëm fushën. Imagjinoni ju, në një moment sikur të gjitha gardhet me ferra të këtij vendi, ti bënin hardhi, 1 milion rrënjë hardhi do të mbillnin, prandaj dhe e rëndësishme është të mobilizojmë fondet. Ky buxhet ka një specifikë, është përcaktuar një fond i veçantë, përveç atij që ka përcaktuar ministria e bujqësisë, një fond i barabartë me 20 % e grantit të pakushtëzuar, i cili do të jetë tani kryekëput i përkushtuar pyllëzimit me dru frutorë dhe gjelbërimit. Edhe ne qytete mund të mbillen dru frutorë apo dhe dru të tjerë dekorativë. Askush nuk duhet të ketë frikë se "i ha populli ato", siç i thoshte Hrushovit dikush.
Duhet pra të mbështesim këto dy projekte kombëtare dhe shpreh kënaqësinë se kemi gjetur mirëkuptim të gjere me drejtues komunash dhe fermerët, të cilët shohin në këtë projekt të madh kombëtar, nje perspektivë reale për te rritur të ardhurat e tyre. Ka qenë gjeni Faik Konica që një nga librat më të bukura të tij e titulloi “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” Në fakt Shqipëria shkëmbore është, shumë pak fushore, por mund të jetë kopësht dhe ka mundësinë e saj për tu bërë kudo kopësht, ndaj dhe ne, me besim të madh dhe me vendosmëri të madhe do të investojmë cdo vit më shumë në këtë projekt, derisa derisa ta bëjmë atë, një realitet te prekshëm nga cdo shqiptar.
Unë përmenda këto, por ju garantoj se nuk janë lëne prapa aspak fusha të tjera, si ujësjellësa-kanalizime, shëndetësia, turizmi, kultura, mbrojtja, rendi, institucionet e pavarura, por zotimet tona më madhore para shqiptareve janë rrogat, pensionet,infrastruktura, Shqipëria dixhitale dhe Shqipëria kopshti më i bukur në Evropë.
04/11/2011