Kryeministri Berisha uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në Komitetin Mysliman, për të uruar gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë ditë të shenjtë si një mundësi ku sakrifica e çdo besimtari shqiptar të bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të paqes, harmonisë dhe të ardhmes së tyre.
Në urimin e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është rasti, këtë ditë të shenjtë, t’u dërgoj të gjithë besimtarëve myslimanë por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, urimet e mia më të përzemërta. Uroj që në këtë ditë të hyjnizimit të sakrificës, sakrifica e çdo shqiptari apo shqiptareje, për vete, për familjen, për fëmijët, për Zotin, t’i bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të të mirës, të paqes, të shpresës, të harmonisë dhe të të ardhmes.
Uroj gjithashtu që kjo ditë t’i gjejë shqiptarët vitin e ardhshëm, më të begatë, më të lirë, më të sigurt. Pra le t’i lutemi bashkërisht Zotit që Bajrami që vjen të na gjejë edhe më mirë.
Gëzuar gjithëve!”.
06/11/2011