E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një bashkëbisedim me nxënës të klasave të 9-ta, pjesëmarrës në projektin e OSBE-së “Ndërtimi i një qytetarie aktive”

Kryeministri Berisha priti sot rreth 50 nxënës të klasave të 9-ta nga Tirana, Kukësi e Vlora pjesëmarrës në projektin “Ndërtimi i një qytetarie aktive”, të ndërmarrë nga OSBE në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, me synim forcimin e një qytetarie aktive përmes sistemit të arsimimit. Gjatë kësaj vizite ata zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me Kryeministrin Berisha. Në këtë takim, nxënësit shoqëroheshin nga kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, si dhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës zoti Myqerem Tafaj.

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së z. Wollfarth e falënderoi Kryeministrin Berisha për mundësinë që u dha këtyre të rinjve për të bashkëbiseduar me të. “Përkushtimi i Shqipërisë ndaj vetes dhe komunitetit ndërkombëtar është një nga temat që kemi zhvilluar sot, ndaj dhe dëshiroj t’ju falënderoj zoti Kryeministër për këtë mundësi”, u shpreh ambasadori. Më tej, ai tha se për OSBE-në është kënaqësi profesionale të organizojë një ditë të tillë, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Duke shprehur kënaqësinë që takohej me këta nxënës dhe falënderimet e tij për Prezencën e OSBE-së, e cila ka ndërmarrë këtë nismë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Dua t’ju falënderoj shumë që jeni sot këtu. Është shumë kënaqësi për mua t’ju pres dhe t’ju  përshëndes përzemërsisht ju, familjeve tuaja, por edhe të gjithë shokët dhe shoqet e klasave, shkollave, të cilat ju i përfaqësoni sot dhe që nuk janë këtu me ju. Falënderoj Prezencën e OSBE-së që ka ndërmarrë këtë nismë dhe ka organizuar këtë vizitë tuajën në institucionet kryesore të vendit.

Edhe njëherë ju uroj mirëseardhjen dhe do të preferoja që këtë bisedë me ju ta zhvilloj mbi bazën e pyetjeve që ju mund të keni për Kryeministrin. Sepse për të dëgjuar Kryeministrin ju do të keni raste, ndërsa për ta pyetur do të jetë pak më e vështirë, për shkak të takimeve.

-          Pyetje: Ne kemi ligjin për arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar, por në disa zona të thella të vendit ky ligj nuk zbatohet. Cilat janë masat e marra për mos zbatimin e tij, pasi disa fëmijë nuk shkojnë në shkollë?

Kryeministri Berisha: Një nga objektivat madhore tonat është që çdo fëmijë të shkojë në shkollë. Në dijeninë time shifra e atyre që nuk ndjekin shkollën është shumë, shumë e ulët. Por prapë  të siguroj që ka të tillë. Nuk jam i sigurt që kjo është në zonat e thella, sepse familjet në zonat e thella perspektivën më kryesore shohin shkollimin e fëmijëve. Druaj që ky fenomen ekziston ndoshta më shumë në ndonjë periferi qyteti, në disa komunitete që janë më të skajuara. Ne po përpiqemi të regjistrojmë në radhë të parë fëmijët në këto komunitete. Regjistrimi i fëmijëve në këto komunitete ka dy objektiva kryesorë : objektivi i parë është që këta fëmijë të identifikohen dhe të mos mund të trafikohen, ndërsa objektivi i dytë është që këta fëmijë të bëjnë gjithçka që të mund të ndjekin shkollën. 

Unë nuk përjashtoj rastin se  mund të ketë shtëpi dhe familje ndoshta të izoluara, por ne kemi ndërtuar një seri konviktesh nga Tropoja deri në Përmet. Këto konvikte janë ndërtuar pikërisht për tu dhënë mundësi shkollimi  edhe fëmijëve në zonat  më të largëta, ku shkolla është mbyllur ose shkolla është larg. Ne kemi një qëllim që asnjë fëmijë të mos mbetet pa vazhduar shkollën. Madje tani, në këtë katër vjeçar që jemi, qëllimi ynë ndër më kryesorët është shtrirja e kopshteve masivisht. Fatmirësisht  familjet  i dërgojnë fëmijët në kopsht dhe kemi shtuar mbi 200 klasa të reja kopshtesh pranë shkollave. Sikundër kemi nxitur ndërtimet e kopshteve. Po bëjmë shumë përpjekje dhe do të jetë shumë  i rëndësishme roli i mësuesve, sepse qeveria i ka të gjitha mundësitë që të shkollojë fëmijët kudo që ndodhen. Unë kam parë shifrat e fundit në vlerësimin që i bën sistemi i arsimit analfabetizmit dhe ka një koncept tjetër, jo mosshkuarje në shkollë, sepse ajo është shumë  e rrallë, por edhe mosndjekjen e rregullt të saj, e cila është shumë e përafërt  me analfabetizmin dhe, sipas klasifikimeve që bëhet, ne qëndrojmë shumë mirë në këtë raport.

-          Pyetje:  Në  media kemi dëgjuar që në vitin 2017 Shqipëria do të jetë një vend shumë i zhvilluar. Si do të realizohet kjo gjë?

Kryeministri Berisha: Më ke bërë një pyetje shumë thelbësore. Shqipëria vend i zhvilluar nënkupton një zhvillim të gjithanshëm të vendit, por edhe një zhvillim që ka për rezultante vendosjen e Shqipërisë në grupin e vendeve me të ardhura të larta në botë. Do të thotë se Shqipëria ka qenë në grupin e vendeve me të ardhura më të ulëta, ndërsa sot është në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, duhet të kalojë në grupin e vendeve me të ardhura të larta. Objektivi  i përcaktuar për vitin 2017 është objektivi më ambicioz i jetës sime dhe më frymëzuesi. Është kompleks si nocion, vetëkupton një zhvillim cilësor të sistemit të arsimit dhe disa hapa pozitivë të qartë ne i kemi bërë. Çfarë kemi arritur ne? Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, do ta shtrijmë në çdo klasë. Çfarë kemi arritur tjetër?  91 përqind  e atyre që mbarojnë klasën e nëntë hyjnë në shkollat e mesme dhe kjo është nga shifrat më të larta, mbi bazë vullnetare. Ka vende që e kanë të detyrueshëm arsimin e mesëm. Ne nuk e kemi dhe nuk do ta bëjmë të detyrueshëm, sepse kjo shifër 91 përqind është e shkëlqyer si shifër. Kemi  arritjen tjetër që 70 përqind  e  atyre që mbarojnë shkollat e mesme ndjekin universitetet. Tani, ne më të gjithë potencialin tonë duhet të angazhohemi në cilësinë e mësimit. Në arsimin parauniversitar ne duhet të bëjmë gjithçka të forcojmë leximin dhe matematikën, si baza e të gjitha bazave. Në arsimin universitar ne duhet të bëjmë gjithçka që të përshtatemi me kushtet e tregut, kërkesat e tij.  Po kështu në fushën e shëndetit dhe ruajtjes së tij. Ne do të kapim brenda vitit 2017 dhe kemi kapur disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara, siç është jetëgjatësia. Ka një të dhënë të fundit që ne kemi një jetëgjatësi prej 79.4 vjet. Ne kemi një vdekshmëri foshnjorë përsëri më të lartë se ç’duhet ta kemi, por këtë vit e kemi një shifrore, e kemi pasur dy shifrore dhe është shumë e papranueshme. Vendet e zhvilluara e kanë një shifrore. Ne kemi një vdekshmëri amtare shumë të ulët. Ne kemi një nivel kujdesi për fëmijët dhe vaksinimi  shumë të lartë. 

Unë u ndala në disa tregues, por janë një seri treguesish në rrugën e zhvillimit. Ne synojmë që jo vetëm të bëhemi një vend i zhvilluar, por një vend i zhvilluar i qëndrueshme, në rrugë jeshile. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet që kanë bërë vendet e zhvilluara. Shumë vite më parë, në vendin e ambasadorit të OSBE-së, që është vendi më i zhvilluar i Evropës industria kimike krijonte shira acide apo në  vendet  tjera dhe për të gjitha këto janë marrë masa dhe janë eliminuar. Kancelarja  Merkel vendosi të mbyllë të gjitha centralet nukleare, ndonëse ato janë një burim shumë i fuqishëm energjie. Pra, synohet që zhvillimi të ecë, por asgjë të mos komprometojë  të ardhmen e atyre që vijnë pas. Ky është thelbi i zhvillimit të qëndrueshëm. Çfarë po bëjmë ne? Po bëjmë një përpjekje shumë të madhe për të zhvilluar të gjitha burimet tona energjetike. Ne jemi vend shumë i pasur me ujëra. Kukësi është një nga vendet më të pasura me ujëra. Unë sot po vij nga Librazhdi dhe isha në Stëblevë, një vend shumë i bukur në Fushë-Studen, në lartësi 1100 metra, por ndër të tjera një seri hidrocentralesh janë për tu ndërtuar në atë zonë. Ne nuk kemi lumenj të mëdhenj, por i kemi të shumtë dhe në tërësi bëjnë ujërat e të Danubit. Ne po bëjmë gjithçka që t’i shndërrojmë ato në energji elektrike, më  e pastra. Nuk ka emetim të dioksidit të karbonit. Po në këtë kontekst po bëjmë shumë dhe do të bëjmë shumë për të shtuar sipërfaqet e pyllëzuara, por tashmë me dru frutorë, sepse për to ka shumë nevojë.  Ne duhet të bëjmë gjithçka  të shtojmë sipërfaqen e tokës prodhuese. Dhe rruga më e sigurt është që të shtojmë edhe gjelbërimin dhe të jenë dru frutorë. Çdo industri që do të zhvillojmë, ne do ta zhvillojmë në standardet më të mira Evropiane. Bashkimi Evropian ka standarde të shkëlqyera të ruajtjes së mjedisit. Këtu ka nxënës nga Vlora dhe ju e patë zhurmën që u bë për termocentralin. Grupe mjedisore protestonin. Kur u ndërtua termocentrali rezultoi se ai e kishte ndotjen dy herë më të vogël sesa  lejonte ligji dhe kjo e monitoruar nga shoqëria civile. Ne i kemi këto cilësi dhe do të bëjmë gjithçka që të mos bëjmë hapa para, siç kanë bërë vendet e zhvilluara. Ne nuk jemi vend i zhvilluar, por duhet të zhvillohemi në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili nënkupton jo hapa të gabuar, jo veprime që errësojnë të ardhmen e gjeneratës që vjen.

-          Pyetje: Kemi parë në media që ju keni punuar për ta perfeksionuar botën e rinisë. Cili është projekti i radhës madhor që keni ju për moshën e rinisë?

Kryeministri Berisha: Rinia  është potenciali ynë absolut më kryesor. Që secili prej jush të jetë drejtues i vetes së tij, i familjes, i kombit dhe shoqërisë nuk ka asgjë më të madhe sesa një shkollim cilësor për ju. Kjo është bindja ime dhe ideja e Shqipërisë dixhitale është e frymëzuar nga ju. Ajo që ne duhet të përpiqemi është krijimi i vendeve të punës dhe nxitja e mjedisit më të mirë për vende pune dhe biznese. Shkollimi është kondita më themelore për zhvillimin e bazuar në dijen. Ndërkohë që Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme.  Kjo që bëjmë ne tani, që ndërtojmë infrastrukturën dhe do ta përfundojmë brenda 2-3 viteve, sepse Shqipëria do të ketë një infrastrukturë ndër më modernet dhe do të bëjë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të mëdha të gjithanshme të vendit, do të bëjë të mundur krijimin e vazhdueshëm të vendeve të punës të investimeve kudo.

Shumë shpejt do të vijë dita që nga çdo qoshe të vendit të mos jemi më larg se dy ore dy orë e gjysmë nga Tirana. Unë sot isha në Fushë-Studen, Stëblevë, është park kombëtarë  dhe po ndërtojmë rrugën atje. Po  ndërtojmë dhe një rrugë tjetër dhe po shkojmë drejt Bizës së Martaneshit, nga Qafë Priska drejt Shën Gjergjit dhe më pas në Bizë, por secili prej jush pas ndërtimit të tunelit të Elbasanit mund të shkojë nga Tirana për një orë e dhjetë minuta në Qafë Studen. Po të njëjtën distancë që do të shkojë në Bizë. Ajo që ne duhet të bëjmë është të shfrytëzojmë potencialet e vendit. Pra shkollimi juaj krijimi i një mekanizmi të rigjenerimit të vendeve të punës .

-          Pyetje: Në cilat fusha do t’i drejtoni synimet tuaja për vitin 2012?

Kryeministri Berisha: Më vjen mirë që bëtë këtë pyetje, sepse pas jush kam mbledhjen e buxhetit për vitin 2012. Tre do të jenë drejtimet kryesore. Së pari  infrastruktura. Ne duhet të asfaltojmë Shqipërinë. Ju  e përmendët rrugën e Kombit. Vërtet ajo është rruga e Kombit, por tani ne duhet të ndërtojmë rrugën e gjithsecilit, duhet të shkojmë me rrugë kudo. Duhet të bëjmë që çdo qendër komune të lidhet me rrugën kombëtare jo më shumë se në një kohë prej 15-20 minutash dhe pas kësaj  çdo fshat të lidhet me qendrën e komunës në një kohë sa më të shkurtër. Cila është ideja jonë? Ideja jonë është që aty ku jetojnë shqiptarët të kenë infrastrukturë të njëjtë me qytetin, të kenë rrugë të bukura, të kenë ndriçim, të kenë shkolla të bukura, kanalizime, ujësjellës. Pastaj e zgjedhin vetë ata se ku do të jetojnë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme ndaj dhe ne do të investojmë edhe në këtë buxhet pjesën dërmuese në rrugë, por kësaj herë më të shumta janë në rrugën e gjithsecilit, në rrugën e fshatit, në rrugën e komunës dhe lagjes.

Së dyti, Shqipëri dixhitale është përparësi absolute. Dua t’ju them një lajm të gëzueshëm. Dje publikoi të dhënat një organizatë botërore për internetin dhe Shqipëria kishte dinamizmin e dytë në botë për rritjen e tij dhe, absolutisht, ambicia është që ne të dalim në nivelin mbi mesatar dhe do të dalim. Sepse ne jemi komb i ri dhe të rinjtë kanë një pasion. E dini që në Facebook ju lini prapa 17 vende e Bashkimit Evropian në përqindjen e Evropës.  Ne po bëjmë gjithçka që në çdo familje tuajën të ketë internet më bazë super të gjerë. Po e ndjekim me shumë interes zhvillimet teknologjike. Unë kam bërë një premtim që çdo i ri të ketë një kompjuter, por tani telefonat iphone dhe Android  janë bërë shkuar kompjuterit  në xhep. Sikundër do të shtrijmë më tej interesin, sepse kemi 510 pika ku japim internet falas dhe do ta shtrijmë edhe në 1200 pika të tjera. Në gjashtë muaj në këto 510 pika të postës 1200 mijë shqiptarë kanë lundruar në internet. Pashë një natë që një gjyshe në Mirditë i çonte e-mail mbesës për ditëlindje. Pra Shqipëria dixhitale është projekti ynë i madh dhe arsimi do të jetë në krye.

Së treti, ne duhet ta bëjmë Shqipërinë një kopsht të bukur. Një nga burrat më inteligjent të kombi shqiptar, Faik Konica, ka një libër “Shqipëria kopshti shkëmbor në Evropën juglindore”. Në fakt Shqipëria është shkëmbore. Shqipëria 20 përqind  të tokës  e ka fushë dhe gjithë pjesën tjetër e ka kodra e male. Kështu që ne duhet të bëjmë që çdo gjë që të ecim në dy projekte: në projektin e ullirit, në projektin e arrorëve dhe në çdo dru tjetër frutorë. Pse e bëjmë këtë? E bëjmë këtë, së pari për të rritur të ardhura në çdo familje dhe së dyti nuk mund ta qëndisim me asgjë më bukur tokën tonë, sesa me drurët frutorë dhe frutat e Shqipërisë, të cilat janë më të shijshmet në Evropë.


05/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›