Kryeministri Berisha: By-pass i Fierit, segment i rëndësishëm i infrastrukturës Adriatiko -Joniane në territorin e Shqipërisë

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij vendimin “Për miratimin në parim të marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), për projektin e ndërtimit të by-pass-it të Fierit.
Duke folur për këtë vendim, kryeministri qartësoi qytetarët se ky projekt i rëndësishëm që mbyll tërësisht autostradën Vlore- Tiranë ka patur një shtytje në kohë, për faktin se projekti i parë kalonte mbi një zonë, në të cilën studimet dëshmuan se mund te ketë ose ka rrënoja arkeologjike.
Kryeministri bëri të ditur se pas hartimit të një projekti të dytë, i cili u miratua edhe nga financuesit e tij do të miratohet marrëveshja e re financiare prej rreth 80 milionë euro për të filluar sa më parë nga puna. Kryeministri theksoi se ky segment mbyll tërësisht autostradën Vlore- Tiranë, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për peshën turistike të Vlorës si qytet, por edhe për një projekt të madh rajonal atë të autostradës Adriatiko-Joniane.
Duke folur mbi këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:
Sot miratojmë gjithashtu Marrëveshje financiare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin e by-pass të Fierit.
Edhe njëherë dua të qartësoj qytetarët se ky projekt shumë i rëndësishëm i cili mbyll tërësisht autostradën Vlore- Tiranë ka patur një shtytje në kohë, një vonim për faktin se projekti i parë kalonte mbi një zonë, në të cilën studimet dëshmuan se mund te ketë ose ka gjetje arkeologjike, ka rrënoja arkeologjike. Pra, faktikisht Apolonia që ne e njohim vetëm në kodër, sipas këtyre studimeve shtrihet edhe në fushë, dhe natyrisht një pasuri e jashtëzakonshme arkeologjike, historike, një trashëgimi e shkëlqyer (nuk duhet harruar që në këtë qytet janë shkolluar perandorët) ndaj u detyruam të ribëjmë projektin e by-pass dhe iu dërgua institucioneve financiare që kishin financuar, që kishin vendosur financimin e by-pass sipas projektit të parë. Fatmirësisht ata e pranuan projektin dhe unë jam shumë mirënjohës. Ndaj do ta miratojmë marrëveshjen e re dhe do të bëjmë gjithçka, që ky projekt rreth 80 milion euro, pasi është me vepra arti dhe kërkesa të veçanta, të fillojë sa më parë në mënyrë që kryetari i opozitës të mund të na zbresë në Vlorë jo me kalë, siç e imagjinonte dje veten me Shpëtim Gjikën. Kishte vendosur të nisej ma kalë nga Kryeministria. Nuk mora vesh se kush do ja mbante frerin shokut. Por ajo është punë e tyre. E rëndësishme është që ne të bëjmë rrugën, by-pass-n. Kjo është një autostrade shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme për peshën turistike që ka Vlora por është e rëndësishme edhe për një projekt të madh rajonal që e quajnë autostrada Adriatiko-Joniane.
Edhe dje në konferencën e organizuar për Ballkanin Perëndimor, miq të vërtetë të Shqipërisë dhe të këtij rajoni theksuan domosdoshmërinë e kësaj autostrade dhe të mbështetjes së saj nga institucione financiare evropiane. Natyrisht përfundimi i segmentit të saj deri në Vlorë është përfundimi kryesor, do te jene specialistët dhe në një studim konkret do të faktojë nëse segmenti tjetër do të jetë rruga Levan – Tepelene-Gjirokastër, apo në funksion të kësaj autostrade do të ketë një trase që do të kalojë nga bregu, për çka mjedisorët, por jo vetëm mjedisorët, por edhe ata që i mbështesin më së shumti do të kishin hezitimet e tyre, për shkak të efekteve në mjedis që mund të sillte si dhe të traumatizimit të madh që mund ti shkaktonte mjedisit në trajektoren e saj buzë Jonit. Megjithatë këto janë çështje që do të zgjidhen në të ardhmen. Në rast se këto zgjedhje bëhen, në këtë trajektore eshte edhe by-pass i Vlorës, i cili është dhe ai një projekt shumë i rëndësishëm që fillon afër Panajasë dhe del mbrapa dhe përfundon afër Llogarasë. Dhe ky është një segment tjetër shumë i rëndësishëm i infrastrukturës Adriatiko-Joniane, kurse e vërteta është që autostrada deri në Vlorë është një segment shumë i rëndësishëm i autostradës Adriatiko-Joniane, në territorin e Shqipërisë.
12/04/2012