E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shtimi i investimeve në furnizimin me ujë, domosdoshmëri jetike për qytetarët

-          - Investimet në kanalizime dhe trajtimin e ujerave të zeza, kusht jetik për të ulur ndotjen e ujërave ne tërësi  dhe ndikimin e saj në shëndetin  e njeriut

Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në çështjen e furnizimit me ujë të popullatës.

Duke e vlerësuar atë, një çështje me rëndësi themelore, kryeministri bëri të ditur se investimet në këtë drejtim do të shtohen, nëpërmjet zbatimit të projekteve të ndryshme në shumë qytete të vendit dhe se ato do të ecin paralelisht edhe me investimet në kanalizime dhe trajtimin e ujërave të zeza. “Në këto projekte përfshihet Lezha dhe Shëngjini, Berati, Fieri, Kamza Kuçova, Lushnja dhe Saranda,  Korça në fazat përfundimtare dhe është një shumë, në total, prej rreth 50 milion euro. Këto projekte janë jo vetëm në furnizimin  me ujë por edhe në kanalizime. Këto të dytat, gradualisht dalin të parat për shkak se duke përparësuar furnizimin me ujë si  një domosdoshmëri jetike nuk mund të them se është investuar në të njëjtën shkallë dhe për kanalizimet.”

Në këtë kontekst, Kryeministri përmendi se në krye të marrëveshjeve që kanë të bëjnë me financimin e furnizimit me ujë, për nga rëndësia qëndron marrëveshja me Bankën Gjermane te Zhvillimit që është dhe financuesi kryesor i projekteve të furnizimit me ujë të vendit. Por, gjithashtu, kryeministri renditi edhe kontributet qeverisë zvicerane dhe të fondeve të Komisionit Evropian.

Duke theksuar faktin se sot 98 % e qytetarëve shqiptarë furnizohen me ujë rubineti,  Kryeministri vlerësoi se po gjithnjë e me i madh behet numri i bashkive dhe njësive te qeverisjes vendore që garantojnë ujë 24 orë.

Për sa i përket kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të zeza, kryeministri evidentoi se dy vitet  e fundit janë ndërtuar 14 vepra madhore në të gjithë zonën bregdetare, duke shtuar këtu edhe projektin për veprën më të fundit atë të impiantit përpunimit të ujërave të zeza për Tiranën, investim prej rreth 90 milion euro. Kryeministri tha se ndërtimi i tyre është një kusht jetik për të ulur ndotjen e ujërave ne tërësi, e cila ka ndikimin e vet në shëndetin  e njeriut.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri u shpreh:

Mbledhja e sotme ka një rend dite të rëndësishëm me çështje të  një rëndësie themelore për jetën e qytetarëve shqiptarë, aq sa ka uji dhe furnizimi me ujë i tyre  dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të privatizimit të plotë, si qëllimi kryesor i politikave ekonomike te kësaj maxhorance. Ndër marrëveshjet  e rëndësishme që kanë të bëjnë me financimin   e furnizimit me ujë, në krye qëndron marrëveshja me Bankën Gjermane te Zhvillimit që është dhe financuesi kryesor i projekteve të furnizimit me ujë të vendit. Por natyrisht këtu ka dhe kontribute te tjera si ai i qeverisë së Zvicrës dhe kontribute të ndjeshme të fondeve të komisionit evropian. Në këto projekte përfshihet Lezha dhe Shëngjini, Berati, Fieri, Kamza Kuçova, Lushnja dhe Saranda,  Korça në fazat përfundimtare dhe janë një shumë, në total prej rreth 50 milion euro. Këto projekte janë jo vetëm në furnizimin  me ujë, por edhe në kanalizime. Këto të dytat gradualisht dalin të parat për shkak se duke përparësuar furnizimin me ujë, si  një domosdoshmëri jetike, nuk mund të them se është investuar në të njëjtën shkallë dhe për kanalizimet. Por sot furnizimi me ujë në 98 % të shqiptarëve marrin ujë rubineti, jo në 24 orë po gjithnjë e me i madh behet numri i bashkive dhe njësive te qeverisjes vendore që garantojnë ujë 24 orë.

Në drejtim të kanalizimeve dhe të trajtimit të  ujerave të zeza , natyrisht nuk ka qenë e mundur për të njëjtat ritme, por e vërteta është që dy vitet e fundit janë 14 vepra madhore të trajtimit  të ujërave të zeza dhe kanalizimeve të mëdha në të gjithë zonën bregdetare  dhe përveç këtyre, një vepër tjetër më e madhja e vendit që është impianti i përpunimit të ujërave të zeza për Tiranën, investim prej rreth 90 milion euro. Po behet gjithçka që të avancohet problemi i kanalizimeve dhe ujerave të zeza, si një kusht jetik për të ulur ndotjen e ujërave ne tërësi, e cila ka ndikimin e vet në shëndetin  e njeriut.


12/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›