Kryeministri Berisha: 20 prilli, të jetë një fillim i madh, për një qëndrim të ri ndaj mjedisit
Kryeministri Berisha thirri sot, një mbledhje të zgjeruar të qeverisë dhe anëtarëve të Task Forcës për bashkërendimin e detyrave për organizimin në 20 prill të aksionit për pastrimin e territorit, e shpallur nga qeveria si “Dita së Shqipërisë së pastër”.
Kryeministri Berisha kërkoi mobilizimin dhe angazhimin e plotë të të gjitha mundësive dhe resurseve, për realizimin me sukses të këtij aksioni.
Kryeministri u bëri një thirrje publike të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen kësaj dite, për të dëshmuar një vetëdije të lartë se mjedisi është një çështje parësore e shëndetit, por edhe e imazhit të vendit.
Kryeministri theksoi se shoqëria shqiptare ka nevojë për qëndrim të ri ndaj mjedisit, duke e konsideruar datën 20 prill si një fillim të ri, në qëndrimin ndaj mjedisit. “Natyrisht, një ditë është një ditë, por vlera e saj më e madhe është apeli i saj. Një apel për çdo qytetar, për një qëndrim të ri. Kur vendos të ndryshosh diçka, akti i parë është fillimi i ri,” u shpreh Kryeministri.
Duke identifikuar si problemet më të mprehtë mjedisore mbetjet e ngurta dhe ndotjen e ujërave, Kryeministri tha se, ndonëse qeveria i ka përparësuar çështjet e mjedisit, kjo kërkon edhe ndërgjegjësimin e të gjitha institucioneve, qendrore dhe lokale, për trajtimin e neglizhimit të mjedisit dhe ndotjes së tij si “krime të rënda ndaj mjedisit”. Për këtë, theksoi Kryeministri, nuk mjafton vetëm aspekti i edukimit dhe sensibilizimit të shoqërisë me rëndësinë e mjedisit, por edhe ai ligjor. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Mjedisit të shqyrtojë mundësinë e adresimit të fonde drejt edukimit, rritjes së ndjeshmërisë së qytetarëve dhe qartësimit të dëmeve që shkakton ndotja e mjedisit.
Fjala e Kryeministrit Berisha në këtë mbledhje:
“Kjo mbledhje e zgjeruar edhe e Këshillit të Ministrave, edhe e anëtarëve të tjerë të Task Forcës ka për qëllim një organizim të përsosur të ditës së pastrimit të Shqipërisë, mobilizimin dhe angazhimin e të gjitha mundësive e resurseve, në mënyrë që ky aksion të shënojë një qëndrim të ri ndaj mjedisit në këtë vend.
Qëndrimi ndaj mjedisit, në të vërtetë, në thelb është qëndrimi ndaj shëndetit dhe jetës, para së gjithash të fëmijëve tanë, tonin, të njerëzve e miqve tanë. Ndaj, ai përbën në vetvete, një raport ndër më thelbësorët. Ne nuk mund të themi se këtë raport e kemi të konsoliduar në nivelin e duhur. Problemet e pastërtisë së mjedisit pasqyrojnë një tërësi faktorësh. Por unë sërish jam optimist në këtë drejtim dhe kjo për faktin se ky vend, që 20 më parë kishte një vdekshmëri foshnjore të niveleve më të larta afrikane, sot, për këtë tregues renditet në vendet e zhvilluara të botës. Ky është treguesi absolutisht më i ndjeshëm, më besnik që pasqyron një tërësi praktikash, normash që kanë të bëjnë me mjedisin në familje, me kushtet e jetesës, kushtet higjienike dhe një tërësie qëndrimesh. Ajo çka u mbetet shqiptarëve është që qëndrimin që mbajnë brenda shtëpisë e oborrit të tyre, në interesin më të mirë ta mbajnë në rrugën e rrugicën e tyre dhe kudo. Ky është hapi përfundimtar që ne, si shoqëri, të kemi një qëndrim të ri ndaj një problemi që lëndon rëndë mjedisin, lëndon rëndë imazhin e vendit, kërcënon rëndë shëndetin e qytetarëve.
Një qëndrim i ri ndaj mjedisit është jetik dhe i domosdoshëm, por sigurisht nuk realizohet duke operuar vetëm në rrafshin moral dhe edukativ. Këto janë shumë të rëndësishme, por po kaq i rëndësishëm është rrafshi ligjor. Çdo ditë konsumohen krime të rënda ndaj mjedisit. Organet e zbatimit të ligjit nuk janë ende në nivelin e vetëdijes, se sa të rrezikshme janë këto krime për komunitetin dhe shoqërinë. Po ashtu nuk janë në këtë vetëdije, autoritetet vendore, të cilat me ligj e me praktikë janë administratorët e territorit. Ende, kryetarët e qeverive vendore tolerojnë praktika nga më të dëmshmet, në qëndrimin ndaj plehrave, ndotjen e burimeve ujore, ndotjen e lumenjve.
Mediat kanë nisur të bëjnë një punë të shkëlqyer. Unë i përgëzoj dhe i ftoj ta vazhdojnë me intensitetin më të madh. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një ndryshim të qëndrimit të saj ndaj mjedisit. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një ndryshim të qëndrimit të tyre ndaj mjedisit të jashtëm. Sipërmarrësit shqiptarë kanë nevojë për një qëndrim të ndryshëm ndaj mjedisit përreth sipërmarrjeve të tyre. Këshillat e qeverive vendore, kryetarët e qeverive vendore e kanë domosdoshmëri një qëndrim të ri ndaj mjedisit. Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror e të gjitha institucionet e kanë të domosdoshme një qëndrim të ri ndaj mjedisit dhe krimeve që kryhen në mënyrë të përditshme, ndaj tij.
Qeveria duhet dhe do ta mbajë këtë çështje në axhendën e saj, në mënyrë konstante. Ajo ka përparësuar e do të përparësojë projektet e mëdha, të lidhura me mjedisin. Të gjitha çështjet e mjedisit janë shumë komplekse, por problemi më akut, më i mprehtë është problemi ndaj mbetjeve të ngurta, të cilat hidhen pa asnjë kriter, kudo, në çdo qoshe e skaj, duke na paraqitur ashtu siç nuk mund e nuk duhet të jemi. Ndaj është e domosdoshme të bëjmë një përpjekje e madhe edukimi për mjedisin. Zoti ministër i Mjedisit, le të shqyrtojmë që të shkurtojmë projekte dhe të adresojmë fonde drejt edukimit, sensibilizimit, rritjes së ndjeshmërisë së qytetarëve dhe qartësimit se çfarë dëmi japin këto ndotje. Studimet e fundit faktojnë se shkaku i 40 përqind të vdekjeve të njeriut, sot janë ndotjet mjedisore, të cilat “akuzohen” për sëmundje pothuajse të të gjitha llojeve. Një nga universitetet amerikane më serioze në studimet e tij thotë se ndotësit e ajrit, të ujit e tokës janë përgjegjës të 40 përqind të vdekjeve të njeriut, sot. Pra, kjo është situate.
Në datën 20 prill, t’u bëjmë thirrje prindërve me fëmijët e tyre, administratës, të ndajmë detyrat me bashkitë e komunat, që atë ditë të mund t’i japim Shqipërisë një frymëmarrje të re. Natyrisht, një ditë është një ditë, por vlera e saj më e madhe është apeli i saj. Një apel për çdo qytetar, për një qëndrim të ri. Kur vendos të ndryshosh diçka, akti i parë është fillimi i ri. Ndaj le ta konsiderojmë këtë një fillim të ri, të madh, në qëndrimin tonë ndaj mjedisit ku jetojmë. Ne po bëjmë përpjekje shumë të mëdha në drejtim të pyllëzimit me dru frutorë, po bëjmë përpjekje të mëdha në mbrojtje të vlerave të mëdha të mjedisit, por kryesore është një qëndrim i ri tërësor, veçanërisht ndaj mbetjeve, ndotësve të ujit, ajrit dhe tokës."
12/04/2012