Kryeministri Berisha: Dekreti “për ligjin e legalizimeve” do të shqyrtohet në dritën e sugjerimeve të Presidentit dhe vërejtjeve të Partisë Republikane
Kryeministri Berisha tha në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike se dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin, dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, është e domosdoshme të shqyrtohet nga Kuvendi.
Kryeministri theksoi se në ligj do të pasqyrohen si vërejtet e Presidentit ashtu edhe objeksionet e Partisë Republikane. “Është e domosdoshme që ky dekret të studiohet dhe duhet të punohet si për pasqyrimin e vërejtjeve të Presidentit në ligj si dhe objeksioneve të Partisë Republikane, e cila ka qenë iniciatore e kërkesës për mosdekretimin e ligjit”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ndaj, vijoi më tej Kryeministri, dekreti do të rishqyrtohet në dritën e sugjerimeve të Presidentit dhe në dritën e objeksioneve të bëra nga Partia Republikane dhe pasi të arrihet në një sintonizim do të kalohet në parlament.
“Unë mendoj që z. Olldashi bashkë me z. Memia si drejtor i ALUIZNI-t dhe një anëtar të Komisionit të Ligjeve do të ulen me Partinë Republikane t`i shqyrtojnë pretendimet e tyre, për të cilat ata e kanë kundërshtuar dhe vërejtjet që ka bërë Presidenti të marrin përgjigjen dhe të reflektohen në variantin para se të vijë në parlament”, tha Kryeministri Berisha.