Kryetari i Parlamentit gjerman Lammert: Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit euroatlantik
Kryeministri Berisha prit sot në një takim Kryetarin e Parlamentit të Gjermanisë, Dr. Norbert Lammert, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare disaditore në Tiranë.
Kryeministri Berisha i shprehu zotit Lammert mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme që ka dhënë Gjermania në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të ekonomisë së tregut, duke e vendosur Shqipërinë në krye të listës së ndihmës për frymë, të dhënë gjatë këtyre viteve, ndihmë që arrin në mbi 7 milionë euro.
Gjithashtu, Kryeministri e falënderoi zotin Lammert për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Kryeministri Berisha i përcolli falënderimet e tij Kancelares Angela Merkel, duke vlerësuar se ftesa për anëtarësim në NATO ishte një moment historik për vendin.
Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit gjerman Lammert theksoi se vizita e tij në Shqipëri synon të japë një nxitje të mëtejshme mbështetjes së rrugës evropiane të vendit dhe bashkëpunimit shumë të mirë dypalësh. Ai vlerësoi se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë, është një tregues i qartë i suksesit të reformave në vend. Në këtë kuadër, ai përshëndeti përparimet që ka bërë Shqipëria në periudhën e fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Z. Lammert siguroi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në NATO dhe në BE.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohu zotin Lammert me reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre 3 viteve të fundit, si luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, nxjerrjen e administratës nga konflikti i interesit, hartimin për të tretin vit radhazi e një buxheti suplementar, digjitalizimin e procedurave, krijimi i një klime mbështetëse dhe lehtësuese për biznesin, etj. Kryeministri theksoi se ekziston një klimë e favorshme për të realizuar reformat në vend, duke përmendur këtu reformën elektorale.
Gjatë këtij takimi, të dy personalitetet diskutuan edhe për çështje të rajonit, veçanërisht për zhvillimet në Kosovë.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Bundestagut gjerman, zoti Lammert, dhanë një deklaratë të përbashkët për mediet, në të cilën bënë këto komente:
Kryeministri Berisha: Edhe njëherë dua të shpreh kënaqësinë time për vizitën e Presidentit të Bundestagut, zotit Lammert, në Shqipëri, si një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore që ekzistojnë mes dy kombeve dhe dy vendeve tona. Unë shfrytëzova rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë Presidentit të Bundestagut për të gjithë mbështetjen e madhe që qeveria gjermane i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, duke e vendosur atë në krye të listës së ndihmës për frymë, të dhënë gjatë këtyre viteve, ndihmë që arrin në mbi 7 milionë euro. Gjithashtu, i shpreha mirënjohjen për mbështetjen që na dhanë për ftesën për anëtarësim në NATO.
Ndihma e Gjermanisë ka pasur një rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe është shtrirë në të gjitha fushat. Ajo ka qenë thelbësore për arritjet e Shqipërisë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të ekonomisë së tregut në vend.
Unë e informova mikun e shquar për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre 3 viteve të fundit, që kanë si synim kryesor konsolidimin e kritereve të Kopenhagën-it, standardeve evropiane dhe ato të partneritetit evropian. Unë e garantova se reformat janë dhe do mbeten objektivi kryesor i kësaj qeverie.
Kryetari i Parlamentit gjerman, zoti Lammert: Përzemërsisht faleminderit. Gëzohem shumë për pritjen miqësore dhe për interesin e madh me të cilin shoqërohet vizita ime këtu në Shqipëri. Padyshim që u gëzova për artikulimin shumë të qartë të vlerësimit të madh që ju i bëni mbështetjes gjermane për Shqipërinë në këto vite. Pas shumë vitesh izolimi, Shqipëria e kërkoi dhe e gjeti rrugën për integrim në Evropë dhe sigurisht që vizita ime këtu synon të japë një nxitje të mëtejshme kësaj rruge dhe këtij bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në bisedën që patëm pak minuta më parë folëm pikërisht për atë që e përmendi edhe zoti Kryeministër; për nevojën që reformat e brendshme në Shqipëri të vazhdojnë. Në këtë kuadër, ne i përshëndesim përparimet që ka bërë Shqipëria në periudhën e fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Ne do ta shoqërojmë zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë me një mbështetje edhe më të madhe.