Kryeministri Berisha: Reformat e mëdha i ndryshuan fytyrën Shqipërisë
Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO” Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Shkodrës ku inauguroi disa vepra publike. Kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët e Shkodrës, të cilëve u shpjegoi reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat në dy vjet e gjysëm i mundësuan Shqipërisë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t`ju përshëndes ju sot, por dhe t`ju uroj përzemërsisht për mbështetjen e Shqipërisë në NATO. E them me bindjen më të thellë sepse në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë nuk ka qytetarë, të cilët të kenë sakrifikuar më shumë se qytetarët e këtij qyteti për liri dhe dinjitet. Nuk ka asnjë qytet, nuk ka qytetarë që t`i ketë rezistuar tiranisë siç i keni rezistuar ju gjatë gjysëm shekullli.
Shkodra, ishte i vetmi qytet në botën ish-komuniste, në të cilën ekzekutimi ishte nder, bashkëpunimi, ishte turp, ndaj dhe unë vij këtu tek ju, i bindur se me ftesën për anëtarësim në NATO, liritë tuaja, liritë e mbarë shqiptarëve, kanë gjetur mburojë më të shkëlqyer, siguri më të plotë për sot dhe brezat që vijnë. Aleanca e Atlantikut të Veriut është Aleanca më e madhe, më e shkëlqyer, më e pathyeshme e lirisë së të gjitha kohërave.
Aleanca e Atlantikut të Veriut para së gjithash është Aleancë e vlerave, të popujve të lirë, është zotimi i tyre i përbashkët për të mbrojtur këto vlera, për të mbrojtur liritë, për të ndërtuar të ardhmen e tyre liri të sigurt. Ndaj dhe në vlerësimin tim ftesa për anëtarësimin në NATO përbën për shqiptarët që nga koha e Skënderbeut gjer më sot ambicjen më të madhe të pushtetit të lirisë së tyre. Sot ne kemi të garantuar lirinë. Presidenti amerikan George W. Bush do t`i thoshte qytetarëve të Zagrebit në Sheshin "Shën Mark" se për shqiptarët dhe kroatët, kush cënon lirinë e tyre do të përballet me SHBA-në.
Ne ia dolëm të marrim ftesën për në NATO sepse ne si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore ja dolëm këto dy vjet e gjysëm t`i bëjmë shqipëtarët më të lirë, të zgjerojmë liritë e tyre, ia dolëm me reforma të thella, të dëshmojmë para qytetarëve të botës se ne jemi seriozë, se ne jemi të vendosur që të bëjmë çdo përpjekje në dy projektet tona më madhore të vendit; integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Ishte serioziteti i madh i reformave zbatimi i tyre ajo që bëri gradualisht që emri realisht i nxirë i shqiptarëve dhe shqiptareve për shkaqet të pa merituara nga ata, të ndryshojë gradualisht. Prestigji i Shqipërisë dhe i shqiptarëve po rritet çdo ditë e më shumë. Nuk mund të themi se nuk ishte i nxirë emri ynë kur në Shqipëri, qytete, fshatra dhe rrethe dominoheshin nga bandat e krimit, dominoheshin nga Nehat Kulla, Aldo Bare, dhe bandat e tjera. Nuk mund të themi se kishim një emër të mirë kur portet tona kontrolloheshin nga hanxharët e këtyre bandave. Nuk mund të themi që kishim një emër të mirë ku nga taksat e tatimet e qytetarëve shqiptarë mbi 1.4 miliardë dollarë përfundonin në xhepat e zyrtarëve të korruptuar, të kondrabandisve dhe evazorëve. Nuk mund të themi se kishim një emër të mirë kur kalohej nga zgjedhje të nxira në zgjedhje të nxira.
Shqipëria do të firmoste në Sarajevë marrëveshjen e MSA-së në vitin 1999 sepse shqiptarët e vitit `99 i bënë shërbimin më të madh në historinë e tyre kombit, hapën dyert e tyre strehuan rreth 1 milion refugjatë, vëllezër e motra që erdhën nga Kosova, në të cilën Sllobodan Millosheviçi donte me çdo kusht që katastrofën njerëzore ta nxirrte jashtë kufirit të saj. Përkundrazi ai ishte sistemimi më i shkëlqyer që kohërat kanë njohur në një vend; pa asnjë incident, pa asnjë krim, pa asnjë epidemi pa asgjë. Kjo ishte bujaria shqiptare, dhe ne patëm një rast për të treguar se kush jemi dhe e treguam.
Por, prapë firma nuk u vendos mbi MSA-në për ne sepse ne nuk bënim zgjedhje. Çfarë thanë përfaqësuesit europianë? Do t’ua japim Marrëveshjen pasi të bëni zgjedhje të lira. Zgjedhjet, këta që krijuan Komitetin Kombëtar të Mbrojtjes së Dushkut i dhunuan në mënyrën më të paturpshme. Dhe u thanë jo nuk firmosim MSA të presim zgjedhjet e 2001. Zgjedhjet e 2001 ishin zgjedhjet e Dushkut dhe u thanë sërish se nuk ua njohim Presidentin po e zgjodhët me këto vota.Ne bëmë një konsensus, u hapën negociata, por këto negociata mund të mbylleshin brenda 1 viti, por nuk u mbyllën deri në vitin 2006 sepse të gjitha zgjedhjet nga qeveria në pushtet u dhunuan njëra pas tjetrës.
Marëveshja e Stabilizim Asociimit u firmos në vitin 2006 sepse qeveria që unë drejtoj, nisi t`ia ndryshojë emrin Shqipërisë t`ja përmisojë imazhin Shqipërisë. Ne ndërmorëm një luftë, me zero tolerancë ndaj bandave për t`u treguar shqiptarëve dhe botës se ky është zotim, për t`u treguar shqiptarëve dhe botës që ky është një zotim dhe që Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me krimin, se kjo është një shoqëri, e cila në kodet e saj nuk pranon asnjëlloj krimi.
Por, ishte krimi i lidhur me pushtetin ose në simbiozë me pushtetin që ai mori këto përmasa. Në një kohë të shkurtër mbi 204 grupe kriminale dhe organizata me mbi 900 anëtarë u vendosën para ligjit u mblodhën ku ishin dhe ku s’ishin nga Greqia në Suedi nga Italia në Hollandë, dhe në të gjithë Europën dhe më gjerë.
Duke i kthyer në Shqipëri për t`u përballur me ligjin. Zero tolerancë do të jetë dhe do të mbetet qëllimi ynë. Udhëtoj shpesh jashtë për të bërë avokatinë e atyre që kemi arritur. Në mënyrë të përsëritur në vitin 2006 më bënin pyetjen zoti Kryeministër janë të parikthyeshme këto arritje apo jo?. Iu zotova dhe zotohem këtu para të gjithëve se ne nuk do të pajtohemi asnjëherë me krimin. Dhe ne ia dolëm që ta bëjmë Shqipërinë një nga vendet më të sigurta në Europë me tregues kriminaliteti nga më të ulëtit në kontinentin europian.
Qeveria që unë kryesoj dëshmoi se është shumë serioze në luftën kundër korupsionit. Sërish ka korrupsion, por prapë iu bëj thirrje qytetarëve të ndershëm të Shkodrës dhe Shqipërisë; mos lejoni që gjethet t`iu lejojnë për të parë trungjet. Bëhuni pjesë aktive në këtë luftë, kundër këtij kanceri, i cili në rast se nuk e luftojmë cdo orë, cdo ditë, cdo javë, cdo muaj rrezikon gjithnjë qënien tonë. Ne kemi marrë masa drastike dhe do marrim, kemi shkurtuar me1/3 shpenzimet operative, kemi ulur në sajë të transparencës me 20% koston e përgjithshme të prokurimeve, kemi rritur të ardhurat duke bërë uljen më të madhe të taksave jo 100, 200 apo 500 milion dollar, por 1.2 miliard dollar duke ua marrë që të gjitha kondrabandistëve dhe evazorëve. Kjo dëshmoi se në Shqipëri ka një qeverisje serioze, e cila përpiqet me të gjithë forcën për të vendosur ligjin në vendin e vet. Për të bërë që shteti ligjor të funksionojë, imazhi i Shqipërisë, prestigji i shqiptarëve u rrit nga dita në ditë. Dhe punuam me përkushtim që të kishim rritje për MSA-në. Në vitin 2006, imazhi i vendit njohu rritje të pandërprerë dhe të vazhdueshme, ishte kjo rritje që solli në Shqipëri për herë të parë, në histori Presidentim Bush në Shqipëri. Mund të thoni që do të vinte për miqësi, por për miqësi 6 vjet më parë nuk erdhi. Dhe atëherë e njihte popullin shqipëtar dhe atëherë ia njihte kontributin, por problemi ishte se ishte Aldo Bare, problemi ishte se ishte megakorrupsioni, problemi ishte se ishin monopolet e qeveritarëve, pra erdhi dhe i bëri Shqipërisë nderin më të madh. Mori kulmin e publicitetit në turin e tij europian. Nga ballkonet e Kryeministrisë së Shqipërisë lëshoi dy mesazhe historike për shqiptarët dhe Shqipërinë. Mbështetjen e plotë për anëtarsimin në NATO, dhe mesazhin e këndshëm mesazhin “time is now” për Kosovën.
Prestigji i Shqipërisë u rrit gjithnjë e më shumë dhe unë iu garantoj ju se rritja e prestigjit të Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në pavarësinë e Kosovës.
Kur u themeluam si Parti Demokratike ne shpallëm si yllin polar çështjen kombëtare. Në opozitë dhe në pushtet ne vendosëm një bashkëpunim të ngushtë, luajal dhe të gjithanshëm, me presidentin Rugova këtë personalitet të madh të historisë tonë kombëtare, figurë të madhe të kombit, i cili ia doli me fibrën shqiptare, me moralin e shqiptarit, çështjen e Kosovës ta çojë nga një barakë e vendosur në qendër të Prishtinës ku mbante konferencat e shtypit, në zyrën ovale të Presidentit të SHBA-së.
Ne kemi qëndruar të palëkundur prapa Presidentit Rugova, dhe përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet. Pas vitit `96 lëvizja e armatosur për liri dhe dinjitet nisi në Kosovë, Partia Demokratike shpalli apelin e saj "një komb një qëndrim".
Rradhët e luftëtarëve të lirisë shtoheshin çdo ditë ne bëmë çdo pëpjekje për t`u dhënë atyre mbështetjen maksimale. Shqiptarët nën udhëheqjen e Adem Jasharit dhe komandantëve të tjerë legjendar shkruajtën faqet e ndritura të historisë kombëtare. Unë dua t’iu them ju se ne si komb, kombi në tërësi, në dhjetë vitet e fundit kemi shkruajtur legjendën më të bukur të lirisë në Kosovë, pavarësia e Kosovës nuk erdhi si rezultat i konjukturave të fuqive të mëdha, pavarësia e Kosovës erdhi si rezultat i përpjekieve gjigande e një kryevepre qëndrese, politike të gjithëanëshme të shqipëtarëve, të cilën e faktuan para botës vetes së tyre dhe Zotit se janë të gatshëm, të flijohen për liri dhe dinjitetin e tyre. Ne qëndruam mbrapa tyre, të bindur se liria kombëtare është një dhe e pandarë. Se nuk mund të jesh kurrë i lirë vetë nëqoftëse pjesët e tjera të kombit nuk janë të lira. Këto ndodhën gjatë këtyre dy vjetëve, nuk ndodhën 2 vite më parë por ne kishim lartësinë e këtyre dy viteve. Këto ishin dy vite që ne i merituam plotësisht. Flamuri ynë u vendos përkrah flamujve të vendeve më të lira dhe më të fuqishme të botës.
Në ditën e saj të themelimit ishte Partia Demokratike që lëshoi thirrjen e para forcë opozitare në europën ish-komuniste “Shqipëria në NATO”. Vendosëm marrëdhëniet më të ngushta me Aleancën e Atlantikut të Veriut, bashkëpunimin më luajal. Proçesi u ngadalësua, por kurrë nuk u ndal. Sërish erdhëm në pushtet si pro-atlantistë të flaktë megjithëse ftesa për në NATO dukej larg, por ne e shdërruam në një kohë rekord në realitet. Ne ia dolëm që me reformat më të thella më serioze të bindnim partnerët dhe aleatët tanë se në Shqipëri jemi të vendosur të konsolidojmë vlerat e shoqërisë së lirë, të vendosur të respektojmë ligjin, të vendosur të bashkëpunojmë për mbrojtjen e lirisë nderin e saj kudo në botë. Ne me 3 prill na u dha ftesa e quajta në atë mbledhje, e quaj sot do ta mbaj gjithë jetën time si një mrekulli të vërtetë të shqiptarëve.
Më thoni a nuk është një Shqipëri me emër tjetër një Shqipëri e ftuar në NATO krahasuar me një Shqipëri në vend numëro. Sot kemi një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që zbaton Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në një Shqipëri që rrit dhe numëron firmosjet tona të Marrjeshjes. A nuk është një Shqipëri tjetër, nga një Shqipëri, e cila ishte tërësisht e izoluar. Sot kemi një Shqipëri që po negocion për lëvizjen e lirë , kemi një Shqipëri që para dy muajsh vizitohet nga Franco Fratini, i cili i dha mesazhin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë si qytetarë europianë. Kjo është një Shqipëri tjetër, ne e kemi ndryshuar Shqipërinë dhe unë ju siguroj se vlen më shumë se çdo gjë tjetër, për ne, për fëmijët tanë për fëmijët e fëmijëve tanë.
Por, unë ju siguroj se Shqipëria nuk është tjetër vetëm përsa i përket emrit të saj, por Shqipëria është tjetër sot po t`i hidhni sytë në rrugët e saj. Ne jemi angazhuar në një përpjekje gjigande të pashoqe në historinë e këtij vendi për ta bërë Shqipërinë në një kohë rekord me një rrjet rrugor modern europian. Nga të katër anët e vendit rrugët e Shqipërisë, janë në ndërtim dhe në rindërtim, nga Konispoli, Saranda, nga Gjirokastra, Korça, nga Peshkopian, Kukësi, Tropoja Shkodra, i gjithë sistemi rrugor i Shqipërisë në një periudhë tre-katër vjeçare do të jetë tërësisht sistem rrugor europian modern. Ne investojmë në rrugët e Shqipërisë 3.1 miliardë dollarë ose 89 miliardë lekë në një kohë kur vetëm 11 miliardë është investuar në vitin më kulmor të qeverive të mëparshme.
Rrjet rrugor modern do të ketë në Shkodër. Sot unë inagurova urën, e cila është shumë e kushtueshme, por shumë e domosdoshme. Ju siguroj se brenda këtij viti inagurohet fillimi i punimeve të rrugës që lidh Shkodrën me Podgoricën, ju siguroj se brenda këtij muaji do të fillojë projektimi i “By-passit” të Shkodrës, ku do parashikohet tërësisht rregullimi i rrugës për në Koplik, sikundër është në projekt rruga që lidh Shkodrën me Kosovën. Janë 84 km rrugë le të kushtojnë sa të kushtojnë, Shkodra do të ketë rrugën e vet dhe Kosova do të ketë rrugën e saj për t`u lidhur me Shkodrën.
Shqipëria sot është tjetër, jo vetëm po të hedhësh sytë nga rrjeti i saj rrugor që është i tëri në ndërtim, por shqiptarët sot, pensionistët shqiptarë, punonjësit shqiptarë paguhen më mirë se kurrë në historinë e tyre. Qeveria ime ka bërë një përpjekje shumë të mëdha në mënyrë ë të ndikojë në mirëqenien familjare të familjeve shqiptare.
Unë e kuptoj që sërish përballemi me vështirësi, por jam i bindur që kam mirëkuptimin tuaj në përpjekjen e madhe që kemi bërë. Kemi premtuar dyfishimin e pensioneve minimale në katër vjet, ne kishim një pension minimal 34 mijë lekë, ndërkohë që sot pensioni minimal në fshat është 60 mijë lekë. Ne kishim një pension minimal në qytet që zbriste deri në 60 mijë por që sot pensioni minimal në qytet është 110 mijë lekë. Ne kishim një rrogë minimale që zbriste në 140 mijë lekë, sot rroga minimale është 200 mijë. Jemi përpjekur dhe kemi investuar shumë në rritjen e rrogave dhe pensioneve. Nëse në tetë vjet u investuan për rritjen e rrogave dhe pensioneve 34 miliardë lekë, apo 4.2 miliardë në vit, në tre vitet tona, u investuan në shtim të rrogave dhe pensioneve 38 miliardë lekë apo 13 miliardë apo katër herë më shumë se sa janë investuar në vitet e mëparshme. Sot merren rreth 50 % më shumë se vite më parë. Ju garantoj se qeveria do të vazhdojë këtë politikë dhe në mënyrë të veçantë dua të siguroj pensionistët e Shkodrës, se rritjes së çmimeve të këtij viti do t`i përgjigjemi me kompensim qindarkë më qindarkë. Këtë do ta faktoj më 1 korrik.
Por çfarë kemi bërë deri tani tani, për të zhvilluar Shkodrën, për të zhvilluar Shqipërinë?. Isha në Estoni, dhe ka dy vjet që punojnë për përhapjen e teknologjisë së informaiconit, informatikës, dixhitalizimit, ky vend është i famshëm në botë për dy gjëra: është i famshëm për tregtimin e informatikë që ka shkallën më të lartë të zhvillimit dhe që është bërë i famshëm për klimën e biznesit, një ndër më mirat. Sigurisht që janë shumë më përpara tek informatika, por ritmi dhe shpejtësia me të cilin ne po ecim në këtë drejtim është nga më të lartat që mund të ekzistojë. Unë vizitova sot shkollën Jordan Misja, gjeta nxënësit me kompjutera para, i gjeta shumë të gëzuar dhe unë ju garantoj që brenda këtij viti çdo fëmijë shqiptarë në shkollë të klikojë në kopjuter, të lundrojë në internet. Ky është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Me miqtë e mi estonezë u ndala tek biznesi, i përballa masat që kemi marrë për bisnezin, kishte hapa në të cilat ata ishin shkëlqyer, ne mund t`i arrijmë, por kishte të tjera që ne ishim përpara. Ata e kishin taksën e sheshtë, por e kishin 24 % ndërsa ne e kemi vetëm 10 %, me barrën fiskale më të ulët në Europë për biznesin. Ata regjistronin biznesin me ONE-STOP-SHOP, në një ditë të vetme, ne regjistrojmë biznesin në një ditë, ata kishin shtrirë taksën online në të gjithë vendin, ne po e shtrijmë taksën online në të gjithë vendin. Së shpejti Shqipëria do të dalë në krye të klasifikimit përsa i përket klimës së biznesit.
Ka një interes të jashtëzakonshëm sot për pasuritë tona. Të gjitha kompanitë e mëdha të Europës janë në Shqipëri dhe kanë paraqitur projektet e tyre nga Vjosa deri tek lumenjtë e Alpeve. Interes shumë i madh po tregohet nga e gjithë bota për brigjet tona. Kompani nga e gjithë bota kanë projekte nga Velipoja deri në Ksamil dhe pritet që investimet të fillojnë. Kontrata miliarda dollarëshe pritet të fillojnë gjatë këtij viti në energji. Depozitat minerare po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Gjithashtu projekte të tjera do fillojnë, në turizëm, dhe në energji dhe në fusha të tjera. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që të shfrytëzojmë në mënyrë racionale pasuritë tona në përputhje të plotë me ruajtjen e mjedisit. Ne po punojmë për një Shkodër të pastër, ndaj dhe sapo paraqitët sot idenë e “By-passit” e miratova dhe do ta realizojmë me shpejtësi, ne kishim dhe kemi hidrocentralin e Bushatit, e kemi transformuar tërësisht për t`i respektuar sa më shumë mjedisin dhe ekosistemin. Ne do përpiqemi të zhvillojmë një Shkodër të pastër, me një Shqipëri të pastër, me një mjedis të shëndetshëm për qytetarët.
Shkodra është natyrisht në fokusin e kësaj qeverie, por dua t`u them se në fokusin e kësaj qeverie është e tërë Shqipëria, në mënyrë absolute ne nuk diskriminojmë, asnjë qytet dhe fshat. Ditët që vijnë do shkoj të inaguroj në Vlorë, ujësjellësin 26 milionë euro, këtë do ta bëj dhe në Shkodër me Ujësjellësin e Shkodrës që do të vijë nga Vau i Dejës që t`i japë Shkodrës sasinë më të mëdha dhe më të bollshme të ujit. Ne përpiqemi që Shqipëria dhe Shkodra të jetë sa më tërheqëse për biznesin. Për herë të parë në historinë e vendit buxheti, i cili këtë vit është 4.2 miliardë dollarë ka në qendër luftën pa kompromis kundër korrupsionit, çdo vit kemi miratuar dhe do miratojmë sërish në muajin qershor një buxhet të dytë në parlament, nga paratë që mbledhim më shumë në luftën kundër kontrabandës, kundër evazionit, kundër mashtrimit dhe informalitetit, kundër korrupsionit.
Ju ftoj të dashur qytetarë dhe qytetare të bashkoheni me ne në këtë nismë sepse nëse trungjet po i pastrojmë, degët sërish mbeten për t`u pastruar, le t`i themi së bashku jo rryshfetit, ju bëj thirrje ju dhe çdo shqiptari të dalim nga kjo praktikë, e cila është një praktikë që errëson, nxin moralin tonë, ju garantoj se në çdo rast që do t`i thoni jo rryshfetit, do të keni mbështetjen e Kryeministrit e Shqipërisë dhe ministrat e tij. Jemi një komb me vlera, jemi njerëz me moral, ne ia dolëm të marrim ftesën për në NATO, ne do të marrim lëvizjen e lirë në Europë. Unë u zotova në Bruksel se do të bëj çdo sakrificë që ne të lëvizim në Europë si qytetarë europianë pa viza. Por, ne duhet të ndahemi nga praktika të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me të ardhmen tonë si shqiptarë, si shoqëri e lirë.
Duke e mbyllur këtë fjalë dua t`ju garantoj se mbështetjen tuaj kam energjinë dhe frymëzimin më të madh, se do të mbetem njeri i fjalës së dhënë, sikundër deri sot do të zbatoj dhe do të vë në jetë të gjitha premtimet që kam dhënë përpara jush, në mënyrë që Shqipëria dhe Shkodra të ndryshojnë me shpejtësinë që meritojnë.