E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporteri i Parlamentit Evropian vlerëson se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me raporterin  e Parlamentit Europian për Shqipërinë, zotin Libor Roucek.

Duke përgëzuar për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, Zoti Roucek vlerësoi progresin e reformave të arritur në Shqipëri dhe theksoi se tashmë Shqipëria po ecën në rrugën e duhur.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek reformat në fusha të caktuara, zoti Roucek vlerësoi klimën e mirë të bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës për të ecur përpara me zbatimin e ketyre reformave. Për sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave, zoti Roucek tha se është e rëndësishme që shqiptarët të lëvizin lirisht dhe se do të punohet intensivisht në këtë drejtim.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha, e njohu Zotin Roucek me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare për zbatimin me sukses të reformave në të gjitha fushat, si dhe për plotësimin e të gjitha standardeve për integrimin e plotë të vendit në NATO dhe në BE.

Kryeministri i  bëri të ditur  zotit Roucek përfundimin e raundit të dytë  dhe përfundimtar të bisedimeve me Aleancën e Atlantikut të Veriut , që  shënoi mbylljen me shumë sukses të tyr. Duke theksuar se anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO dhe finalizimi i MSA-së, përbëjnë dy objektivat madhore për këtë vit, Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare  do të ndërmarrë çdo nismë dhe do të bëjë çdo hap, për finalizimin me sukses të reformave.

Kryeministri theksoi ndër të tjera se qeveria shqiptare mbetet thellësish e angazhuar në  luftën me zero tolerancë  kundër krimit të organizuar, korrupsionit, informalitetit,etj. Kryeministri u shpreh se deri tani janë vendosur para ligjit 900 anëtarë të grupeve kriminale dhe drejtues të tyre, duke bërë që Shqipëria të shënojë tashmë indeksin më të ulët të krimit të Evropë.  Gjithashtu kryeministri e njohu zotin Roucek me masat e ndërrmarra në luftën kundër korrupsionit , si nxjerrjen e administratës shqiptare jashtë konfliktit të interesit, uljen e shpenzimeve administrative, digjitalizimin e një sërë procedurave të rëndësishme, të cilat i vinë në ndihmë biznesit dhe rrisin ndjeshem transparencën.

Kryeministri u shpreh se sajë të një transparence më të madhe në dogana, në tatime, si dhe në luftën kundër informalitetit, u arrit që të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten nga 22 në 27 për qind dhe do të punohet  që këtë vit të jenë 28 për qind, pra të rriten mbi 1.2 miliardë dollarë.

Gjithashtu, kryeministri u shpreh se si rezultat i të gjitha këtyre masave, në Shqipëri është krijuar një klimë e përshtatshme dhe e sigurt  për  biznesin në tërësi dhe investimet e huaja në vecanti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›