E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Dhuna ndaj gruas, forma më e shëmtuar dhe kriminale e dhunës

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua  Konventa e Këshillit të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës së grave dhe dhunës në familje”

Kryeministri theksoi se ky është një ligj ndërkombëtar jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përbën dokumentin më të rëndësishëm evropian të parandalimit dhe luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. “Kjo është forma më e shëmtuar dhe më kriminale e dhunës, forma më mesjetare dhe që, për fat të keq, përbën një problem real për shoqërinë shqiptare”, tha Kryeministri. Kryeministri vuri në dukje se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje serioze dhe po bën gjithashtu përpjekje edhe më serioze kundër dhunës ndaj grave. Konventa, vijoi Kryeministri, duhet të zbërthehet në të gjitha aktet e domosdoshme nënligjore, në mënyrë që zbatimi i saj të bëhet prioritet absolut. Duhet të merren disa praktika të vendeve më të avancuara në këtë fushë dhe të instalohen progresivisht.

Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se duhet të punohet edhe më shumë me Shoqërinë Civile, pasi ajo ka një rol të pa zëvendësueshëm në parandalimin, por edhe denoncimin e dhunës ndaj grave.

Gjithashtu, ai theksoi se duhet të bëhet një punë shumë e madhe në shkolla në këtë drejtim dhe ky problem duhet të jetë çështje ndër më kryesoret në edukatën qytetare të fëmijëve. “Muri i patriarkisë nga i cili buron ky fenomen, është muri më i lartë, më i gjatë, më i trashë i të gjitha kohërave, ndaj dhe duhet që në tekstet shkollore ky problem të ketë trajtimin më të gjerë. Duhet ta konsiderojmë si një problem të madh social dhe të punojmë për ta zvogëluar”, tha Kryeministri Berisha.


20/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›