E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino

20 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino, në kuadrin e vizitës zyrtare që ai po kryen në vendin tonë. Në këtë takim, zyrtari i lartë i BE-së shoqërohej nga Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.

Presidenti Topi e vlerësoi këtë vizitë të zotit Sanino si një dëshmi e interesimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes së plotë që Bashkimi Evropian i jep vendit tonë me qëllim arritjen e standardeve integruese dhe realizimit të aspiratës sonë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Presidenti, duke shprehur mirënjohjen për ndihmesën dhe përkrahjen e gjithanshme të Bashkimit Evropian nënvizoi bindjen se një mesazh i tillë arrin të përçohet i plotë tek qytetarët shqiptarë, sidomos në këto momente pas njohjes me Raportin e Përparimit 2011 mbi Shqipërinë, të cilin e konsideron si: “një dokument realist, të paanshëm dhe profesional, që pasqyron ecurinë dhe problematikën e procesit të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.”

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Shtetit Shqiptar nënvizoi faktin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian vijon të mbetet një aspiratë me interes kombëtar dhe përparësi madhore për Shqipërinë, ndaj dhe nënvizoi domosdoshmërinë që klasa politike shqiptare, të cilës i adresohet kryesisht dhe raporti i bërë publik disa ditë më parë, të arrijë të reflektojë seriozisht mbi rezultatet e tij dhe të dijë të shohë e t’i vlerësojë si një mundësi dhe shans sugjerimet e partnerëve tanë evropianë duke realizuar reformat e nevojshme në luftën kundër korrupsionit, për konsolidimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe për garantimin një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social për qytetarët e këtij vendi. “Nevoja për një dialog konstruktiv dhe institucional nuk është më vetëm një kërkesë, por ajo duhet të tingëllojë tashmë si një kambanë alarmi për t’i rikujtuar klasës politike shqiptare angazhimin e marrë përpara votuesve shqiptarë, përgjegjësinë për të mos humbur më kohë në arritjen e një misioni historik, atë të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe faktin se vetëm bashkëpunimi dhe dialogu politik janë një ndër shtyllat bazë për një demokraci funksionale”, – u shpreh Presidenti i Republikës në këtë takim.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi lidhur me përfundimet dhe vërejtjet e Raportit dhe vuri në dukje se është detyra e klasës politike shqiptare, sidomos e udhëheqësve të saj kryesorë, që të nisin menjëherë dialogun konstruktiv institucional dhe të kryejnë reformat aq të nevojshme dhe jetësore për të ardhmen integruese të vendit. “Dyert e Evropës vazhdojnë të mbeten të hapura për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por në fillim duhen përmbushur dhe plotësuar të dymbëdhjetë kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë plotësisht i merituar.” – theksoi zoti Sanino.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›