Qeveria miraton marrëveshjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua marrëveshja mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor. Kjo marrëveshje bën të mundur njehsimin e legjislacionit dhe praktikave mes dy vendeve dhe përgjysmon edhe shpenzimet përkatëse të secilit vend.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga ministria e Jashtme për këtë marrëveshje shumë të goditur dhe shumë të domosdoshme, bazuar në një model që e kanë përdorur vende të tjera, dekada më parë.
“Shqiptarët duhet ta ndiejnë veten njësoj, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë dhe nuk ka nevojë qytetari të mendojë se c’praktikë do t’i duhet të ndjekë në secilin vend”, u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet ta shndërrojnë praninë e dy qeverive dhe administratave në mundësi më të mëdha dhe jo në pengesa dhe burokraci më të mëdha.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen që një praktikë e tillë duhet të na udhëheqë edhe në dogana, në tatime, në arsim, në fushën sociale, në fushën e kulturës pa diskutim, mjedis e gjithçka tjetër. “Është e domosdoshme që trendet e bashkëpunimit të konsolidohen e fuqizohen me një kuadër ligjor të njëjtë, me praktika të njëjta, sepse kjo do të lehtësojë shumë barrën burokratike mbi supet e qytetarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të Shqipërisë”, vijoi Kryeministri.
- Gjithashtu, në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe vendimi “Për caktimin e tarifave të shërbimit të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.
Kryeministri Berisha tha se reforma që do të bëhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë do të jetë një reformë e rëndësishme dhe themelore për vendin. “Kjo reformë do të bëjë që kjo zyrë të shndërrohet në një nga zyrat më moderne që ekziston, me regjistër të pasurive totalisht të dixhitalizuar, me shërbime dixhitale dhe shumë më të qytetëruara ndaj qytetarëve”, theksoi Kryeministri Berisha.
- Një tjetër vendim i përmendur nga Kryeministri Berisha si shumë i rëndësishëm ishte dhe ai për marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Zvicrës, për dhënien e ndihmës financiare, për projektin “Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizime në Lezhë e Shëngjin” .
Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë zvicerane për bujarinë e saj dhe ndihmën që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në shumë fusha. “Këtë vit, Lezha së bashku me Velipojën, u shndërruan në polet më të fuqishme turistike të vendit, ndaj dhe ecja me shpejtësi me infrastrukturën përkatëse, është një domosdoshmëri”, tha Kryeministri.
- Një tjetër çështje shumë e rëndësishme e trajtuar sot nga Kryeministri në mbledhjen e qeverisë ishte dhe ajo e privatizimeve, duke iu referuar vendimit për transferimin 100 % të aksioneve të Shoqërisë HEC, Lanabregas”, sh.a, Tiranë, Shoqërisë së Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a.
Qeveria, theksoi Kryeministri Berisha, është e zotuar të vazhdojë me vendosmëri privatizimin, si një kusht më kryesor për të rritur eficencën e ekonomisë shqiptare dhe për të rritur menaxhimin. Në këtë paketë, bazuar në ligjin që është votuar në Parlament për privatizimin e HEC-eve, vendoset që HEC-i Lanabregas t’i ofrohet në kushte tregtare ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, për domosdoshmërinë që ka kjo ndërmarrje për të furnizuar me energji sistemin e pompave, pasi janë një seri zonash ku kryeqyteti furnizohet me një sistem të fuqishëm pompash. Për HEC-et e tjera, shpjegoi Kryeministri, do të ndiqen të gjitha kushtet e përcaktuar nga Korporata financiare Ndërkombëtare, kompania gjigande e kontraktuar nga qeveria për realizimin e procesit të privatizimit të këtyre hidrocentraleve.
Kryeministri vuri në dukje se ndoshta do të ketë kundërshtime nga opozita për këto privatizime, por, theksoi ai, “ne jemi ndarë 20 vjet më parë nga Shqipëria socialiste, kolektiviste”.
- Kryeministri vlerësoi shumë të rëndësishëm edhe vendimin për shpronësime, për vazhdimin e projektit të Unazës së madhe të Tiranës.
Kryeministri tha se Bashkia e Tiranës po ndjek me ambicie dhe përkushtim të madh transformimin e trafikut të qytetit dhe ky transformim mund të ndodhë më shpejt se me çdo gjë tjetër, me vazhdimin e Unazës së madhe të Tiranës. Ai theksoi se problemi i trafikut në Tiranë është bërë emergjent, jo vetëm në kohë, por edhe për shkak të gazrave helmuese. “Qeveria ka pasur prirjen e plotë për ndihmë edhe kur bashkia qeverisej nga kreu i PS-së, por zotëria e tij mendonte për partinë dhe jo për bashkinë. Tani që bashkia qeveriset nga një personalitet i përkushtuar kryekëput për bashkinë, ne kemi prirjen e plotë ta ndihmojmë bashkinë e Tiranës të kapërcejë një situatë jashtëzakonisht të vështirë, të krijuar gjatë këtyre viteve”, vijoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në vendimin për ristrukturimin e Komitetit Kombëtar të Digave. Digat, theksoi ai, janë një trashëgimi shumë e rëndësishme, ndërkohe që të tjera ndërtohen, ndaj dhe përkujdesi për to është i një rëndësie të veçantë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha lidhur me çështjet e trajtuara më sipër:
Rendi i ditës sot ka një seri vendimesh të rëndësishme, njëri prej të cilëve është marrëveshja që nënshkruan qeveria e Shqipërisë me qeverinë e Kosovës, në fushën e përfaqësimit konsullor. Unë dua ta përgëzoj ministrinë e Jashtme për këtë marrëveshje shumë të goditur, shumë të domosdoshme, e cila përgjysmon shpenzimet e secilit vend. Ky është një model që e kanë përdorur vende të tjera dekada më parë. Unë ju ftoj ju, zotërinj ministra,që të bëhet i mundur njehësimi tërësisht i legjislacionit dhe praktikave mes dy vendeve.
Ndarja administrative është njëra anë. Shqiptarët duhet ta ndiejnë veten njësoj, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë dhe nuk ka nevojë qytetari të mendojë se c’praktikë do t’i duhet të ndjekë në secilin vend. Në të dy vendet duhet të jetë e njëjta praktikë, sepse absolutisht ky është interesi më i mirë i të dy vendeve. Shqiptarët duhet ta shndërrojnë praninë e dy qeverive dhe administrative në dy oportunitete dhe mundësi më të mëdha dhe jo në pengesa dhe burokraci më të mëdha.
Kjo duhet të na udhëheqë ne edhe në dogana, në tatime, në arsim, në fushën sociale, në fushën e kulturës pa diskutim, në mjedis e gjithçka tjetër. Është e domosdoshme që trendet e bashkëpunimit të konsolidohen e fuqizohen me një kuadër ligjor të njëjtë, me praktika të njëjta, sepse kjo do të lehtësojë shumë barrën burokratike mbi supet e qytetarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të Shqipërisë.
Një reformë e rëndësishme do të jetë edhe reforma që do të bëhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë. Kjo reformë do të bëjë që kjo zyrë të shndërrohet në një nga zyrat më moderne që ekziston, me regjistër të pasurive totalisht të dixhitalizuar, me shërbime dixhitale dhe shumë më të qytetëruara ndaj qytetarëve. Kjo përbën një reformë themelore për vendin.
Miratohen marrëveshje me qeverinë e Zvicrës, të cilën unë dua ta falënderoj përzemërsisht për bujarinë e saj dhe ndihmën në shumë fusha që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, gjatë këtyre viteve. Kjo marrëveshje është për zonën turistike me një zhvillim të bujshëm, Shëngjin- Lezhë. Të mos harrojmë se këtë vit Lezha, së bashku me Velipojën, u shndërrua në polet më të fuqishme turistike të vendit, ndaj dhe ecja me shpejtësi me infrastrukturën përkatëse, është një domosdoshmëri.
Sot në këtë mbledhje miratojmë Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ky është një ligj ndërkombëtar jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kjo konventë përbën dokumentin më të rëndësishëm evropian të parandalimit dhe luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, që është dhe forma më e shëmtuar dhe më kriminale e dhunës, forma më mesjetare dhe që, për fat të keq, përbën një problem real për shoqërinë shqiptare. Ne kemi bërë përpjekje serioze dhe do të bëjmë përpjekje edhe më serioze kundër dhunës ndaj grave, që është edhe një nga format më të shëmtuara të lëndimit të të drejtave të njeriut. Për ta zbatuar me përparësinë më të madhe këtë konventë, ajo duhet të zbërthehet në të gjitha aktet e domosdoshme nënligjore, në mënyrë që ne ta kemi prioritet absolut zbatimin e saj. Kemi miratuar shumë ligje të mira, kemi bërë përpjekje të mëdha. Me Shoqërinë Civile duhet të punojmë edhe më tepër, pasi ajo ka një rol të pa zëvendësueshëm në parandalimin, por edhe denoncimin e dhunës ndaj grave. Ne e kemi problem serioz këtë çështje dhe gjërat ndryshohen duke i konsideruar me gjithë dimensionin e tyre. Duhet të marrim disa praktika të vendeve më të avancuara në këtë fushë dhe duhet t’i instalojmë progresivisht.
Duhet të bëjmë një punë shumë të madhe në shkolla në këtë drejtim. Kjo duhet të jetë çështje ndër më kryesoret në edukatën qytetare të fëmijëve. Muri i patriarkisë nga i cili buron ky fenomen, është muri më i lartë, më i gjatë, më i trashë i të gjitha kohërave, ndaj dhe duhet që në tekstet shkollore ky problem të ketë trajtimin më të gjerë. Duhet ta konsiderojmë si një problem të madh social dhe të punojmë për ta zvogëluar.
Privatizimi është një çështje tjetër shumë e rëndësishme e mbledhjes së kësaj qeverie. Qeveria është e zotuar të vazhdojë me vendosmëri privatizimin, si një kusht më kryesor për të rritur eficencën e ekonomisë shqiptare, për të rritur menaxhimin. Në këtë paketë, bazuar në ligjin që është votuar në Parlament për privatizimin e HEC-eve “Bistrica 1” Bistrica 2, “Ulëz”, “Shkopet”, “Lana Bregas”, vendoset që HEC-i Lana Bregas t’i ofrohet në kushte tregtare ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, e cila është një sh.a, për domosdoshmërinë që ka kjo ndërmarrje për të furnizuar me energji sistemin e pompave sepse janë një seri zonash ku qyteti furnizohet me një sistem të fuqishëm pompash. Me këtë vendim përcaktohen rregullat e këtij privatizimi. Ndërkohë që të tjerat do të ndjekin të gjitha kushtet e përcaktuar nga Korporata financiare Ndërkombëtare, kompania gjigande e kontraktuar nga ne për realizimin e procesit të privatizimit të këtyre hidrocentraleve.
Unë e kuptoj që sërish do të ketë kundërshtime nga opozita për këto privatizime, por ne jemi ndarë 20 vjet më parë nga Shqipëria socialiste, kolektiviste. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për konsolidimin e rendit të ri mbi bazën e pronës private. Nuk përjashtojmë edhe prona të tjera, por i japim përparësi asaj, si themeli më i qëndrueshëm i sistemit që ndërtojmë.
Një vendim tjetër është shpronësimi për Unazën e madhe të Tiranës. Bashkia e Tiranës po ndjek me ambicje dhe përkushtim të madh transformimin e trafikut të qytetit dhe ky transformim mund të ndodhë më shpejt se me çdo gjë tjetër, me vazhdimin e Unazës së madhe të Tiranës, nga Shkolla Teknologjike deri te segmenti që pothuajse po përfundon tani. Është bërë emergjente problemi i trafikut në Tiranë, jo vetëm në kohë, por edhe për çështjen e gazrave helmuese. Qeveria ka pasur prirjen e plotë për ndihmë edhe kur bashkia qeverisej nga kreu i PS-së, por zotëria e tij mendonte për partinë dhe jo për bashkinë. Tani që bashkia qeveriset nga një personalitet i përkushtuar kryekëput për bashkinë (siç e morët vesh ai deklaroi se nuk ka as ambicie për poste të larta në PD. Përse e bëri këtë nuk e dimë, por ka listën e zotimeve siç duket, ndaj e bëri), ne kemi prirjen e plotë ta ndihmojmë bashkinë e Tiranës të kapërcejë një situatë jashtëzakonisht të vështirë, të krijuar gjatë këtyre viteve.
Ristrukturohet Komiteti Kombëtar i Digave, një vendim tjetër i rëndësishëm i kësaj mbledhjeje . Digat janë një trashëgimi shumë e rëndësishme, ndërkohe që të tjera ndërtohen. Ndaj dhe përkujdesi për to është i një rëndësie të veçantë".
20/10/2011