Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e një kompanie holandeze dhe një kompanie gjermane, të interesuara për të investuar në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot në takime të veçanta përfaqësuesit e kompanisë holandeze Westermeijer Group, si dhe një delegacion të përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv z.Wintermeyer të Deutsche Marketing Gesellschaft, një kompani gjermane me përfaqësi në Shqipëri.
Delegacioni i investitorëve holandezë kryesohej nga zoti Westermeijer, President i kompanisë Westermeijer Group dhe nga z. Van der Mousdijk industrialist. Ata i shprehën Kryeministrit interesin e tyre për të investuar në Shqipëri në projekte për riciklimin e ujërave si përshembull ato të qytetit të Tiranës, riciklimin e mbetjeve urbane, menaxhimin e ujërave apo në projekte në fushën e turizmit.
Kryeministri i falënderoi ata për interesin e shprehur për të qenë prezent në Shqipëri. Fushat e shprehura për investim, vijoi Kryeministri, përbëjnë fusha prioritare të qeverisë shqiptare. Më tej, Kryeministri tha se me interes të madh për vendin do të ishin investimet në riciklimin e ujërave, si ato të kryeqytetit të Tiranës apo projektet e energjisë së erës, energjisë solare dhe energjisë hidrike. Turizmi malor, - nënvizoi Kryeministri, - përbën një fushë me karakter të veçantë, ku potencialet janë shumë të mëdha për zhvillim. Kryeministri inkurajoi investitorët për përgatitjen e projekt- propozimeve përkatëse.
Ndërsa në takimin me delegacionin e kompanisë gjermane, të përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv z.Wintermeyer të Deutsche Marketing Gesellschaft, qëllim i takimit ishte prezantimi i një plani biznesi për ridmensionimin e operacioneve në kombinatin mekanik të Poliçanit, për shndërrimin e tij në një kompani konkurruese në tregun ndërkombëtar një periudhë afatmesme-afatgjatë kohe.
Kryeministri falënderoi kompaninë për interesin e shprehur dhe i siguroi për shqyrtimin e projekt - propozimit me seriozitetin e duhur.
20/10/2011