Kryeministri Berisha: Dhuna në familje nuk është pjesë e traditës së familjes shqiptare, ndaj së bashku t’i themi stop këtij fenomeni
Kryeministri Berisha përshëndeti sot seancën e posaçme plenare kushtuar ditës kundër dhunës në familje, e iniciuar nga Kryetarja e Kuvendit, Zonja Jozefina Topalli. Në këtë seancë ishin të pranishme deputete të Kuvendit të Shqipërisë, personalitete të njohura të politikës, shoqërisë civile, të artit, kulturës dhe medias.
Duke e konsideruar dhunën në familje një nga problemet më të dhimbshme dhe tronditëse të shoqërisë shqiptare, Kryeministri Berisha theksoi se shoqëria jonë duhet ta shndërrojë këtë ditë në ditën e luftës së pandërprerë kundër dhunës në familje dhe këtë vit në vitin e masave konkrete, për t’i dhënë një kthesë rrënjësore këtij fenomeni.
“Ne duhet ta shpallim këtë ditë në një ditë, ku të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë të sintonizojnë veprimet të bashkërendojnë punën, për të dëshmuar se e tërë shoqëria është në një betejë për të ndryshuar këtë realitet.”
Drama të përditshme njerëzore, ndër më të thellat, - u shpreh Kryeministri - luhen dhe zhvillohen brenda mureve të shtëpive shqiptare, mure që duhet, si në një përqafim, të mbrojnë e të sigurojnë ngrohtësinë, intimitetin e familjes, por që, jo rrallë herë, shndërrohen në mure që mbulojnë me heshtje një ferr të vërtetë brenda tyre.
Kryeministri theksoi se dhuna në familje, ndonëse ka njohur rritje, nuk është pjesë e traditës së familjes shqiptare dhe se të gjithë së bashku mund t’i thonë stop këtij fenomeni.
“Nëse numëron krimet në familje në këto 15 vitet e fundit, ato janë më të mëdha se në tre shekujt e fundit të marra së bashku. Por familja shqiptare ka një trashëgimi tjetër. Këtë trashëgimi ne duhet ta rivendosim në një piedestal të ri. Asgjë nuk ka lëkundur dhe nuk mund të lëkundë themelet e shëndosha, të shkëlqyera dhe të çimentuara të një morali njerëzor të standardeve më të larta të familjes shqiptare. Të veprojmë së bashku për t’i thënë stop këtij fenomeni të turpshëm,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi se parlamenti ka rol qendror në këtë aspekt, duke filluar me kompletimin dhe zbatimin e një strategjie për t’i dhënë përgjigje shoqërore këtij fenomeni.
“Ne, - theksoi Kryeministri - duhet të shqyrtojmë të gjithë legjislacionin në këtë drejtim. Por ky është absolutisht vetëm një hap. Qeveria me paratë e taksapaguesve duhet të organizojë një fushatë të gjerë e të fuqishme kundër këtij fenomeni. Ministria e Arsimit, së bashku me komisionin parlamentar, ta shndërrojë këtë në çështje të zemrave dhe mendjeve të fëmijëve e qytetarëve tanë.”
Kryeministri vlerësoi se një rol të rëndësishëm në këtë përpjekje mund të japë edhe shoqëria civile dhe media.
Kjo javë iu kushtua dhunës në familje, gjatë së cilës u organizuan aktivitet të ndryshme sensibilizuese ndaj këtij fenomeni tronditës shoqëror, me moton “Dhuna Vret, nëse Ti Hesht! Ndal Dhunës në Familje!”.