V E N D I M PËR PRIVATIZIMIN E PASURIVE TË NDËRMARRJEVE APO TË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE
V E N D I M
PËR
PRIVATIZIMIN E PASURIVE TË NDËRMARRJEVE APO TË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private, të pavarura, dhe privatizimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Objekt i këtij vendimi janë pasuritë e ndërmarrjeve shtetërore, të cilat e kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike, nuk kanë efektivitet dhe nuk plotësojnë kriteret e transformimit në shoqëri tregtare, në zbatim të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, si dhe pasuritë e institucioeneve shtetërore.
2. Institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore, për pasuritë e ndërmarrjeve apo të institucioneve, që kanë në varësi administrative, dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive në ministrinë përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore, në bazë të kërkesës së kësaj të fundit.
3. Në rastet kur institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore shprehen negativisht apo nuk japin mendim brenda një afati prej 30 (tridhjetë) ditësh, për të marrë vendimin për privatizimin e këtyre pasurive, ngrihet një komision ad-hoc.
4. Komisioni ad-hoc kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
- ministrin përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore;
- ministrin e Financave;
- titullarin e institucionit të varësisë administrative të ndërmarrjes apo institucionit shtetëror.
5. Ky komision mblidhet, me kërkesë të ministrit përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore, të cilës i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës. Zëvendëskryeministri, në bazë të kësaj kërkese, thërret mbledhjen e komisionit ad-hoc.
6. Ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore, pas marrjes së vendimit për privatizim nga komisioni ad-hoc, nxjerr urdhrin përkatës.
7. Vlerësimi i pasurisë, që do të privatizohet, si dhe dokumentacioni përkatës për privatizim përgatiten nga ministria përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore, në bazë të akteve nënligjore në fuqi.
8. Vendimi nr.195, datë 20.3.1998, i Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin e ndërmarrjeve, që nuk mund të transformohen”, të ndryshuar, shfuqizohet.
9. Ngarkohen ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I