Kryeministri Berisha takohet me drejtues të lartë të KESH-it
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me drejtues të lartë të KESH-it. Në këtë takim, Kryeministri Berisha shprehu, së pari, vlerësimin e tij pozitiv për përpjekjet serioze të korporatës në menaxhimin e situatës së vështirë energjetike të vendit si dhe në përmirësimet e ndjeshme në treguesit në menaxhimin e korporatës, që janë më të mirat se asnjëherë tjetër.
Në veçanti Kryeministri Berisha vlerësoi furnizimin me prioritet për biznesin dhe zonat turistike gjatë sezonit të verës, gjë e cila ka minimizuar rrisqet që do të rëndonin mbi rritjen ekonomike të vendit për shkak të situatës energjetike.
Por nga ana tjetër, Kryeministri Berisha theksoi se nuk mund të pajtohet me një situatë ku raportet e konsumit të energjisë midis sektorit privat të biznesit dhe sektorit privat të konsumit nga familjet, të jetë i tillë ku sektori privat nga bizneset mbart vetëm 29% të konsumit të energjisë ndërkohë që familjet rreth 60% të këtij konsumi.
Duke patur në konsideratë strukturën ekonomike të vendit, peshën e saj në prodhimin kombëtar, dinamikën e saj rritëse me 6% rritje ekonomike dhe me 30% rritje të eksportit, Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo strukturë konsumi maskon brenda saj korrupsionin e segmenteve të caktuara të punonjësve të këtij sektori, gjë kjo që bie tërësisht ndesh me prioritetin e kësaj qeverie, luftën kundra korrupsionit dhe informalitetit ekonomik.
“Ky raport është dëshmi e një korrupsioni të papranueshëm dhe është detyrë imperative e korporatës tuaj të bëjë ndryshimin e këtij raporti”, vijoi më tej Kryeministri Berisha duke vazhduar se kjo qeveri ka përcaktuar si çmimin më të lartë të energjisë, çmimin e mungesës së saj,qeveria mbetet e vendosur të blejë të gjithë sasinë e energjisë që nevojitet por qeveria nuk mund të pranojë rritjen e çmimit të energjisë, pa ndryshuar ky raport I pagesës nga sektori I biznesit.”
Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se qeveria vendosi uljen e çmimit të energjisë për biznesin si për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare por edhe për të shmangur vjedhjet dhe abuzimet me energjinë.
Kryeministri Berisha u kërkoi drejtuesve të KESH që të investojnë me prioritet në teknologjinë më të avancuar, për të kontrolluar dhe monitoruar konsumin e energjisë nga këta abonentë.