Kryeministri Berisha: Do mbështesim banorët e zonës së Gërdecit deri në hyrjen e tyre në shtëpitë e rindërtuara
Kryeministri Berisha pati një takim edhe me drejtues të Bashkisë së Vorës, ku u njoh nga afër me masat e marra në mbështetje të banorëve të zonës së dëmtuar dhe përgatitjet për fazën e dytë të operacionit, atë të rindërtimit të zonës.
Kryeministri tha se gradualisht po kalohet në fazën e rindërtimit të zonës, që është dhe faza që ka nevojë për përkushtim të madh, si fazë jashtëzakonisht e rëndësishme për normalizimin e jetës së qytetarëve. “Ashtu siç është bërë e ditur, në përputhje edhe me konsensusin që ju arritët me komunitetin këtu, ne përcaktuam skemën e zhdëmtimeve me lekë në dorë. Por kjo nuk do të thotë se ne do t'ju japim paratë dhe do t'u kthejmë shpinën këtyre njerëzve. Këta qytetarë ne do t'i mbështesim deri sa të hyjnë në shtëpitë e tyre të rindërtuara”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri shprehu besimin se bashkia Vorë, së bashku me emergjencën civile dhe organizatat joqeveritare, do të vazhdojnë të plotësojnë nevojat e këtyre familjeve me gjërat bazë, veshje, ushqime dhe artikujt të tjerë që u nevojiten.
Kryeministri theksoi se qeveria tashmë i ka gati fondet për zhdëmtimet e familjeve, ndërkohë që bankat kanë marrë përsipër të hapin vet llogaritë bankare për familjet. “Tashmë duhet të gjejmë një mënyrë t'i ndihmojmë dhe orientojmë këta banorë, pasi nuk janë të familjarizuar me praktikat bankare. Gjithashtu, mund të ketë familjarë që u mungojnë dokumentet, ndaj duket të procedohet me shpejtësi me pajisjen e tyre me dokumentacionin që mund të kërkojë banka”, vijoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri tha se duhet të veprohet paralelisht në disa drejtime, duke bërë të ditur se nesër do të botohet një numër i gazetës “Postieri”, ku do të publikohen emrat e të gjitha familjeve dhe vlerën monetare që ato përfitojnë në bazë të vlerësimit të bërë. Kjo gazetë do të shpërndahet falas, do të dërgohet edhe në konvaleshenca ku janë shumë qytetarë. Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të veprojë me transparencë të plotë.
Kryeministri kërkoi edhe bashkëpunimin e bashkisë Vorë dhe të kryepleqve të fshatrave të dëmtuar, për të marrë miratimin e të gjithë familjarëve dhe për të nisur largimin e rrënojave dhe më pas përgatitjen e shesheve të ndërtimit. “I ftoj qytetarët që të respektojnë mendimin e specialistëve, ajo shtëpi që vlerësohet se duhet të shembet, kështu duhet të ndodhë dhe duhet të ndërtohet nga e para. Shtëpitë duhet të ndërtohen sipas shkallës së domosdoshme të sigurisë”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri tha se qeveria do të marrë masa edhe për ndërtimin e gjithë infrastrukturës publike të zonës, në bashkëpunim me banorët e zonës.
Kryeministri u shpreh se Komisioni i Emergjencës do të vazhdojë të mbikëqyrë të gjitha këto procese, së bashku me bashkinë Vorë, duke shprehur edhe njëherë garancinë se qeveria do ta ketë objektiv parësor rindërtimin e kësaj zone.