Fatura financiare për tragjedinë e Gërdecit do të përballohet me të ardhurat nga donacionet, fondi rezervë i qeverisë dhe fondi i kontigjencës
Kryeministri Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se fatura financiare për dëmshpërblimin e familjeve të prekura nga katastrofa e Gërdecit do të përballohet me të ardhurat nga donacionet, fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe fondi i kontigjencës.
“Tri do të jenë burimet kryesore të këtij kompensimi: donacionet (ndihmat e ofruara nga vendet mike, institucionet ndërkombëtare, qytetarët, organizatat, biznesmenët, etj); fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, i cili do të mbulojë pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve; ndërsa rreth 40 % e tyre do të mbulohen nga fondi i kontigjencës”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kjo faturë, u shpreh Kryeministri, lidhet me zhdëmtimin e shtëpive të shkatërruara, shtëpive të dëmtuara në shkallë të ndryshme dhe bizneseve vetëm si ndërtesa, pasi do të ketë një tjetër përllogaritje për makineritë dhe bazën materiale të bizneseve.