E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton ecurinë e operacionit të kërkimit në zonën e kraterit në Gërdec

Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë zonën e Gërdecit, për të parë nga afër ecurinë e operacionit të kërkimit, si dhe të masave të marra për pastrimin e kësaj zone nga municionet dhe mbetjet e shpërthimit. Kryeministri Berisha pa nga afër situatën në pikën më të thellë të shpërthimit. Ai përgëzoi punë e guximshme të forcave ushtarake në kërkimin e viktimave të mundshme që mund të jenë në zonën e kraterit, ndërsa kërkoi prej tyre që të vazhdojnë këtë proces, në mënyrë që familjarëve të këtyre viktimave t'u lehtësohej sadopak dhimbja.

"Duhet të bëjmë gjithçka për të lehtësuar disi dhimbjen e familjeve që ende kërkojnë të afërmit e tyre. Duhet të përpiqemi me çdo mënyrë që të mund të t'ju gjejmë të afërmit. Dhimbja e tyre është shumë e madhe, ndaj duhet të bëjmë çmos për këtë gjë. Kjo është shumë e rëndësishme, është humane, pavarësisht se nuk është e lehtë, pasi aty ku duhet të bëhen kërkimet është një mjedis me rreziqe shumë të larta", u shpreh Kryeministri.

Më pas, Kryeministri ndoqi nga afër punimet për ndërtimin e rrugës së re që po ndërtohet në zonën e Gërdecit nga forcat e Xhenios. Kryeministri i përgëzoi këto forca  për punën e shpejtë dhe cilësore të ndërtimin e kësaj rruge. Ai premtoi se pas përfundimit të hapjes së rrugës dhe sistemimit të përgjithshëm të saj, qeveria do të bëjë të mundur shtrimin e saj me asfalt. "Keni bërë një gjë shumë të mirë. Qeveria do të mundësojë asfaltimin e kësaj rruge, pasi duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të rikthyer jetën normale në këtë zonë", u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›