E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do miratojmë vendimin për eliminimin e formave të diskriminimit ndaj grave

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha u ndal edhe tek vendimi  “Për Aderimin në Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave”, duke e cilësuar si një nga çështjet më themeloret të lirive dhe të drejtave njerëzore. 

Kryeministri Berisha tha se lufta ndaj çdo forme të dhunës në familje është një detyrim moral e ligjor. Ai kërkoi që çdo ministri të nxjerrë detyrat permanente nga plani i veprimit, që është i bazuar në këtë Konventë, me qëllim që ky problem serioz të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Kryeministri kërkoi që Qeveria dhe të gjitha institucionet të përcaktojnë të gjitha masat, të ndërtojnë të gjitha praktikat e strategjitë duke mbajtur një qëndrim të drejtë mbi barazinë që ekziston midis nënës dhe babait, motrës dhe vëllait, burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit.  E kjo duhet të jetë nga objektivat më të rëndësishëm e më të domosdoshëm të qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Duke hequr kështu çdo lloj koncepti se familja është kështjella ime dhe brenda kështjellës unë bëj ç’të dua.

Duke vlerësuar  Ban Ki Mun për krijimin e grupin e udhëheqësve kundër dhunës në familje, kryeministri u shpreh se  i ka kthyer përgjigje, se aderon me kënaqësi në këtë grup.

Duke u ndalur në këtë vendim kryeministri u shpreh:

Sot kemi në rend ditës një seri çështjesh shumë të rëndësishme, por një nga çështjet më të rëndësishme konsideroj miratimin  e  vendimit “Për Aderimin në Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit  ndaj Grave”.

Kjo është një nga çështjet më të mëdha të kohës sonë.  Çështja  e  eliminimit të formave të diskriminimit ndaj grave është çështje ndër më themeloret e lirive dhe të drejtave njerëzore.  Duhet ta keni të qartë se pas diktaturës dhe shtypjes politike, faktori i dytë më madhor i dhunimit të lirive dhe te drejtave njerëzore është patriarkia.   Patriarkia  e vendosur gjatë  5 mijë viteve të fundit, e kristalizuar në një univers të tërë praktikash, qëndrimesh, të cilat dhunojnë, liritë dhe të drejtat e vajzave e grave, pra të shumicës së shoqërisë të shumicës së kombit në mbarë globin.

Patriarkia në vendet e lira është faktori më kryesor  i dhunimit të lirive të të drejtave njerëzore. Ndaj dhe është e domosdoshme që të rishqyrtojmë në tërësi dhe të luftojmë me vendosmëri çdo praktikë diskriminuese, e cila për fat të keq kur them patriarkia, kam parasysh një refleks, një psikologji, një tërësi operative kudo dhe në çdo gjë.

Ka një plan veprimi zoti ministër, i bazuar në këtë konventë. Nga ky plan veprimi çdo ministri do të nxjerrë detyrat permanente dhe  treguesit e realizimit të tyre.  Nuk mjafton vetëm të përcaktojmë objektiva, por duhet të përcaktojmë treguesit që do të monitorohen për arritjen  e objektivit.  Ju zotërinj ministra jeni të ftuar që këtë problem themelor, fatkeqësisht dhe për  shoqëritë e lira,  ta trajtojmë me seriozitetin më të madh, nga të gjitha aspektet.

Arritjet duhet t’i konsolidojmë. Sot, e  jo vetëm në Shqipëri, patriarkia është faktori kryesor dhunues i të drejtave dhe lirive njerëzore, me forma nga më brutalet, nga më të sofistikuarat.  Ndaj lufta kundër tij është një detyrë themelore e çdo shoqërie.  Kur them e çdo shoqërie atëherë do të thotë se qeveria duhet të udhëheqë tërësinë e  një veprimi të fuqishëm. 

Ban Ki Mun ka krijuar grupin e udhëheqësve  kundër dhunës në familje.  I kam kthyer përgjigje se aderoj në këtë grup me kënaqësi.  Është në detyrimin tonë madhor  moral,  ligjor dhe të gjithanshëm , ta trajtojmë problemin e zhdukjes së diskriminimit si një problem themelor të lirive dhe të drejtave njerëzore.  Të heqim çdo lloj koncepti se familja është kështjella ime dhe brenda kështjellës unë bëj ç’të dua. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë.  Familja është vlera më e madhe, familja është dhe shoqëria, ndaj dhe nuk mund të dhunohet.  Le ta ketë të qartë çdo njëri!

Qeveria dhe të gjitha institucionet duhet të përcaktojnë të gjitha  masat, aq më tepër ne që po ecim me shpejtësi drejt niveleve të reja dhe jemi të vetëdijshme për këtë problematikë që ekziston. Në themel çdo qëndrim duhet të frymëzohet nga barazia  që ekziston midis nënës dhe babait, motrës dhe vëllait, burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit.  Mbi këtë bazë ne duhet të  ndërtojmë të gjitha praktikat dhe strategjinë tonë.  Zoti ministër,  kjo përbën një nga objektivat më të rëndësishëm, më të domosdoshëm të qeverisë dhe shoqërisë shqiptare.
 
 


19/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›