E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të bëjmë gjithçka për gjetjen e trupave ende në kërkim

Kryeministri Berisha, gjatë një takim me përfaqësues të Komandës së operacionit të kërkimit të forcave ushtarake, në zonën e Gërdecit, u shpreh se do të bëhet gjithçka që është e mundur për të gjetur trupat që ende kërkohen nga familjarët e tyre. 

“Sot, kam pritur në zyrën time familjarë të dy viktimave që ende nuk janë gjetur dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t'ua gjetur atyre të afërmit e zemrës, për t’ua lehtësuar dhimbjen, pasi ata i kanë të hapur varret në shtëpi”, theksoi Kryeministri. Kryeministri tha se do të procedohet dhe me analizat e ADN-së, për të bërë edhe identifikimin e trupave të gjetur dhe për këtë, duhet të adresohen në këtë zonë ekspertët më të mirë.

“Tronditja dhe dhimbja është shumë e madhe dhe ato kanë mbizotëruar në mjedisin dhe atmosferën e kësaj zone, por nga ana tjetër, në këtë zonë u organizua operacioni i kërkim - shpëtimit, në kushtet më të rrezikshme, por me efiçencën më të lartë”, theksoi Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi që tashmë që po mbyllet faza e parë e operacionit, forcat ushtarake, në bashkëpunim edhe me ekspertë vendas e të huaj që kanë ardhur në Shqipëri, duhet të rrethojnë zonën ende me rrezik, që ajo të bëhet e pa kalueshme përmes pengesave që do të vendosen aty, në mënyrë që të shmanget rreziku i mundshëm për banorët.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›