Kryeministri Berisha: 20 shkurti faktoi për shqiptarët se forca e të gjitha forcave është tek liria dhe pasioni i saj

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite, në ceremoninë festive “21 vjet liri”, organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike, me rastin e 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, 21 vjet më parë, në Tiranë.
Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Berisha, së bashku me kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, zotin Gerti Bogdani, shpërndau për anëtarët më të rinj të Forumit, kartën e re dixhitale të anëtarësisë.
Në përshëndetjen e tij drejtuar të pranishmëve, kryeministri Berisha e cilësoi 20 shkurtin, ditën që çeli për shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë dhe të së ardhmes.
Kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje të gjithë ata, burra dhe gra, djem dhe vajza, të cilët 21 vjet më parë përmbysën me guxim dhe vendosmëri bustin e diktatorit, që u bë simbol i përmbysjes së diktaturës në vend.
Duke ftuar të rinjtë të mbajnë gjallë pasionin për lirinë, si forcën dhe energjinë kryesore për të ecur përpara, kryeministri u shpreh se kombi që vuajti për lirinë më shumë se çdo komb tjetër duhet të bëjë gjithçka për mbrojtjen, konsolidimin dhe zgjerimin e saj, të bëjë çdo gjë që vlerat e lirisë të konsolidohen gjithnjë e më shumë.
Në këtë festë, së bashku me Kryeministrin Berisha merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vend, të rinj e të reja, nxënës e studentë, si dhe shumë qytetarë, simpatizantë të Partisë Demokratike.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“ Të dashur studente dhe studentë, nxënës dhe nxënëse, të rinj dhe të reja, të pranishëm në këtë sallë, në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë,
Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë, kudo që jeni,
Gëzuar këtë ditë të madhe, ditë të bekuar, ditë që çeli për ne, shqiptarët, dyert e mbyllura të lirisë, dyert e mbyllura të së ardhmes!
Çdo njeri në jetën e tij ka data të rëndësishme, por pas ditëlindjes, për ata që lindin jo të lirë, dita e parë e lirisë është dita më e rëndësishme e jetës së tyre, është ditëlindja e lirisë së tyre, është ditëlindja e të ardhmes së tyre! Ndaj në ketë ditë, ne shprehim nderimin dhe mirënjohjen më të thellë, para këtyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që 21 vjet më parë u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës me diktaturën më të egër të Europës, u ngritën me forcën dhe vullnetin e tyre mbi mitralozët, mbi tanket e snajperat dhe zhvilluan betejën më të madhe për lirinë që Tirana ka njohur në tërë historinë e saj, përmbysën shtatoren e diktatorit, që edhe vite e vite pas vdekjes qëndronte si demon mbi liritë tona.
20 shkurti ishte ditëlindja e lirive dhe e të ardhmes së shqiptarëve. Të ardhme kanë vetëm njerëzit e lirë! Të ardhme ndërtojnë vetëm kombet e lira! Ju keni krahasuar këtu diktatorin me faraonin. Krahasimi është shumë i goditur, sepse aq sa blloqe kanë piramidat e Egjiptit, ai vendosi bunkerë mbi supet e kombit, mbi supet e qytetarëve shqiptarë, për t'i shtypur ata, më shumë se çdo regjim tjetër.
Unë kam një nderim të madh, një urim të përzemërt, për të gjithë ata që lindën në këtë ditë, 21 vjet më parë. Ju lindët të bekuar, fatlumë se kurrë nuk përjetuat atë ditë, sepse ju sot jeni 21 herë më të lirë, sesa ishim ne, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit!
20 shkurti i vitit ‘91 ishte ditë e një beteje të madhe. Djem dhe vajza, burra dhe gra ecnin të vendosur në sheshin “Skënderbej”, për të përmbysur shtatoren e diktatorit, për të përmbysur bustet e gjalla që mbanin në qendër të qytetit shtatoren e tij. Sheshi ishte i rrethuar me gryka zjarri, në të katër anët. Në shesh, atë ditë të bekuar, kryqëzoheshin ideja dhe pasioni i lirisë së qytetarëve shqiptarë, me armët e diktaturës mizore. Ajo ditë faktoi edhe njëherë se arma e të gjitha armëve, se forca e të gjitha forcave është tek liria dhe pasioni i saj. Ndaj ata burra dhe gra, djem dhe vajza nuk përfillën asnjë rrezik, asnjë kërcënim, por u vërsulën mbi shtatoren dhe e fshinë atë, nga faqja e dheut dhe së bashku me të, edhe bllokun që mbante tiraninë mbi vendin, vite pas vdekjes së tij.
Një ditë, po drekoja me disa miq të mi. Tek po flisnim për disa episode të asaj kohe, një bashkëmoshatare e juaja i drejtohet të atit të saj me pyetjen: Po ju pse duruat? Mos reshti kurrë së bëri këtë pyetje, në çdo vatër shqiptare. Vetëm duke shtruar këtë pyetje, ne do të garantojmë se histori të tilla nuk do të përsëriten më kurrë, për vendin dhe kombin tonë.
Të dashur të rinj dhe te reja, studentë dhe studente,
Do ta mbyll fjalën time të shkurtër duke ju ftuar të mbani të gjallë pasionin për lirinë, si forcën dhe energjinë kryesore për vete, familjen dhe vendin tuaj.
Kombi që vuajti më shumë se çdo komb tjetër për lirinë duhet të bëjë gjithçka për mbrojtjen, konsolidimin dhe zgjerimin e saj, të bëjë çdo gjë që vlerat e lirisë të konsolidohen gjithnjë e më shumë. Respekti për njëri tjetrin, respekti për lirinë e tjetrit është edhe thelbi i saj.
Në 21 vite, me besimin dhe pasionin tonë tek liria, ne kemi një Shqipëri krejt tjetër, një Shqipëri që është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, një Shqipëri që ka si projekt ëndërr, integrimin saj në BE, një Shqipëri që ka si projekt ëndërr, shndërrimin e pasurive të saj përrallore në vlera për ju, familjet tuaja, fëmijët tuaj, të ardhmen tuaj, një Shqipëri që së bashku me ju kërkon që të zërë vendin e saj në familjen e kombeve të qytetëruara.
Unë kam besimin e madh se sikundër deri më sot, ëndrrat tona më të bukura t'i keni shndërruar në realitet. Së bashku do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë europiane, Shqipërinë europiane, Shqipërinë e integruar në Bashkimin Europian!
Rroftë Shqipëria! Rrofshi ju! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja! Zoti i bekoftë shqiptarët!"
20/02/2012