E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Duhen disa rregulla të reja për kapërcimin e krizës financiare, të diktuara nga leksioni i daljes nga kriza

-          Intervistë e Kryeministrit Berisha dhënë për TVSH gjatë Forumit të Davosit

Kryeministri Berisha, në një intervistë dhënë për Televizionin Publik Shqiptar, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik të Davosit, iu përgjigj interesimit mbi situatën e krizës financiare botërore, që po diskutohet në punimet e këtij forumi, si dhe mbi situatën e Shqipërisë në raport me këtë krizë ndërkombëtare. 

Në komentet e tij, Kryeministri u shpreh:

“Forumi i Davosit është forumi botëror i cili mbledh politikanë dhe biznesmenë në një mënyrë të balancuar. Është e vërtetë që ky forum, qoftë për nga prezenca, qoftë për nga fryma, është i dominuar nga politika, për shkak të krizës së thellë financiare që ka kapur ekonomitë botërore dhe domosdoshmërisë së pranisë dhe ndërhyrjeve të qeverive, si një rrugë e pazëvendësueshme, pa alternativë tjetër. Në këtë kontekst, mund të thuhet se Forumi i Davosit këtë radhë, është kryekëput i dominuar nga politika. Kjo faktohet jo vetëm nga prania më e madhe e politikanëve ndoshta në historinë e këtij forumi, mjafton të theksoj këtu pjesëmarrjen e Kryeministrit të Kinës, Kryeministrit të Japonisë, Kryeministri i Rusisë, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Kancelarja Angela Merkel - pra po flasim për personalitetet më të shquara - , por edhe për faktin tjetër se thelbi i debatit,  i cili sot po arrin në fazën më të rëndësishme , ishte se cili është roli i qeverive në këto kriza, a ka mundësi të abuzohet me këtë, të shkojmë dekada të tëra mbrapa me rolin e qeverive, të humbasim avantazhet e krijuara. Megjithatë, pyetjet morën përgjigje në mënyrë dërrmuese se duhet ndërhyrja e qeverive në forma të ndryshme, në mënyrë që bankat të rimarrin veten.

Sikundër, është një përshtypje e tërë që rregullat kërkojnë një respektim rigoroz, ose duhet të shkruhen rregulla të reja për tregjet financiare. Pasojat nga kjo krizë financiare, siç u shprehën pjesëmarrësit, kanë humbur 40 për qind të pasurisë botërore.

Pyetjes se cili është pozicioni i Shqipërisë në raport me këtë krizë, Kryeministri Berisha iu përgjigj:

Shqipëria vjen këtu si një vend ende i pa prekur nga kriza dhe në këtë aspekt, Shqipëria ofron shembullin se një ekonomi klasike, në të cilën nuk u zhvilluan tregjet e derivative e të stërderivateve, është duke u mbajtur shumë mirë. Sistemi bankar i Shqipërisë funksionoi mbi bazën e rregullave klasike, pra kredi jo më shumë  se 50-70 për qind të depozitave, në kohën kur të tjerët i kanë lejuar vetes të japin 3-4 për qind më shumë sesa kanë depozita. Nga ana tjetër, në Shqipëri nuk u zhvillua tregu i derivative. Pra Shqipëria, ndonëse një vend i hapur, por përfiton edhe nga stadi në të cilën ndodhet ekonomia e saj. Natyrisht, mund të ndikojnë faktorë si eksportet, sepse rënia e fuqisë blerëse në botë prek eksportet, remitancat që vijnë nga emigracioni, edhe ato mund të njohin kufizime, por në tërësi, ekonomia shqiptare nuk do të përjetojë krizën e ekonomive të mëdha, sepse ka edhe ajo avantazhet e veta. Për shembull, kjo është një periudhë ku kemi një prodhim energjie që nuk e kemi pasur ndonjëherë, një periudhë në të cilën ekonomia po merr energjinë e nevojshme me të gjithë fuqinë e saj.

Çfarë po bëjmë ne konkretisht: Ne jemi një nga vendet që, për sa u përket investimeve, nuk kemi shembull. Në kuptimin që, Shqipëria ka investuar 10-32 për qind të buxhetit të saj, ajo është qeveria që rreshtohet e dyta për sa i përket investimeve. Sot, një nga tendencat kryesore është shtimi i investimeve dhe ne po e bëjmë këtë, ulja e taksave, etj. Unë mendoj se parimet mbi të cilat është e vendosur reforma e ekonomisë shqiptare, janë parime antikrizë.

Ka një debat, për zgjidhjen e kësaj krize, nëse duhet të zbatohen rregullat ekzistuese, të cilat në mënyrë evidente nuk janë zbatuar, apo duhen të shkruhen disa rregulla të reja. Jam i mendimit se duhen disa rregulla të reja, sepse është  shumë e vështirë t’i bësh të besueshme dhe të ngjallësh rregulla të cilat lejuan të zhvillohet kjo krizë. Cilat do të jenë këto rregulla? Këto teza, këto rregulla do të dalin nga leksioni i daljes nga kriza”.                     


28/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›