Zëvendëskryeministri Genc Pollo pret në takim Trojkën Europiane
Sot, Zëvendëskryeministri z.Genc Pollo priti në takim Trojkën Europiane, të përbërë nga Ambasadorja e Ҫekisë, znj. Marketa Fialkova, e Ngarkuara me Punë e Suedise, znj. Elisabet Stam dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian, z. Helmut Lohan, për të diskutuar edhe çështje të lidhura me ligjin e lustracionit.
Zëvendëskryeministri z. Genc Pollo i siguroi bashkëbiseduesit se Qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e ta paanshëm të këtij ligji, se çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tre shkallët e gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. (ankimimi mund të vijojë eventualisht edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg). Ky ligj ka një afat veprimi 5-vjeçar dhe pushon së vepruari më 31.12.2014.
Gjithashtu, z. Pollo tha se është e mirëpritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës në autoritetin e kontrollit të figurës, përbërë nga 5 anëtarë, nga të cilët opozita përcakton 3 të tillë. Kjo përfshirje që është jo vetëm detyrë ligjore por dhe përgjegjësi publike kontribuon në besueshmërinë e procesit.
Z. Pollo e falënderoi Trojkën për mirëkuptimin e BE mbi nevojën e Shqipërisë për t`u ballafaquar me të shkuarën nën një regjim komunist dhe domosdoshmërinë për t`u ndarë përfundimisht prej tij, bazuar në normat morale të gjithëpranuara; ai mirëpriti gjithashtu monitorimin e zbatimit te këtij ligji nga ana e BE-se.
28/01/2009