E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR KRITERET E CILËSIMIT TË SHKELJEVE, ME PASOJA TË RËNDA, NË PYJE

V E N D I M 

PËR 

KRITERET E CILËSIMIT TË SHKELJEVE,  ME PASOJA TË RËNDA, NË PYJE

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 38, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.     Në varësi të dëmit mjedisor, që shkaktojnë, e të pasojave, që sjellin, në pyje, shkeljet, e parashikuara, shprehimisht, në pikën 1, të nenit 38, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, vlerësohen me pasoja të rënda, kur:

a.     është kryer në një zonë pyjore të mbrojtur, sidomos në nënzonat e saj, që janë me status strikt të mbrojtur, duke i nxjerrë ato jashtë funksionit, për të cilin kanë marrë statusin e mbrojtjes;

b.     është kryer në parcelat, eksperimentale e studimore, të pyjeve, të kullotave e të livadheve, duke bërë të pamundur vazhdimin e eksperimentimit e të studimit shkencor;

c.     ka dëmtuar grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore, të paracaktuara për konservim, germoplazmë, in situ dhe ex situ, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës;

ç)  është kryer në një pyll mbrojtës, të cilësuar të tillë në planet e mbarështimit, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit;

d) ka shkatërruar një monument pyjor natyror, të miratuar me një akt normativ;

dh) ka asgjësuar, me prerje, me shkulje, me marrje, individë të llojeve të florës, të rralla, të rrezikuara e që gëzojnë status të veçantë mbrojtjeje;

e)  ka shkatërruar cilësitë e një habitati konkret.

2.     Shkeljet e tjera, të parashikuara, shprehimisht, në pikën 1, të nenit 38, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, kur nuk përbëjnë asnjërin nga rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, vlerësohen me pasoja të lehta.

3.     Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe njësitë e qeverisjes vendore për pyjet dhe kullotat komunale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


27/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›