Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Kryeministrin e Maqedonisë, zotin Nikola Gruevski
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë, një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Maqedonisë, zotin Nikola Gruevski, i cili u pasua më pas nga një takim, ku të pranishëm ishin dhe dy delegacionet, shqiptar dhe ai maqedonas.
Gjatë takimit mes tyre, të dy personalitetet pohuan marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët të qeverive përkatëse, për zgjerimin dhe konsolidimin e tyre të mëtejshëm, në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve e popujve.
Në takim u theksua rëndësia e realizimit me sukses të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si ato rrugore dhe hekurudhore, të cilat do të bëjnë të mundur lidhjen më të ngushtë mes dy vendeve, në shumë plane, si atë të transportit, shkëmbimeve tregtare, turizmit, etj. Në këtë kuadër u theksua nevoja për krijimin e lehtësirave doganore dhe heqjes se barrierave burokratike për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke vendosur regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, duke e vlerësuar këtë takim shumë të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, u shpreh se të dy vendet kanë si përparësi madhore integrimin. Në këtë kontekst, kryeministri maqedonas Gruevski vlerësoi mbështetjen që qeveria shqiptare i jep Maqedonisë në procesin e integrimit të saj në NATO, duke shprehur dëshirën që Shqipëria të realizojë me sukses projektin e integrimit të plotë të vendit në BE.
Duke folur për zhvillimet në rajon, bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor është në dobi të popujve dhe i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.
Pas takimit , të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën kryeministri Berisha u shpreh:
Kryeministri Berisha: Faleminderit zoti Kryeministër, para së gjithash, dëshiroj t’ju falënderoj shumë përzemërsisht për ftesën që më bëtë dhe mikpritjen bujare që më rezervuat. Sikundër dua t’ju garantoj ju dhe qytetarët e Maqedonisë se për qeverinë time, për Shqipërinë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Maqedoninë mike janë shumë të rëndësishme dhe ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë krijuar një realitet të ri në këto marrëdhënie. Një realitet që mundëson intensifikim të shpejtë të tyre.
Të dy vendet po investojnë në lidhje të reja dhe fuqizimin e lidhjeve ekzistuese infrastrukturore. Në një hark kohor dyvjeçar, distanca midis Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohet në njërin aks, atë Shkup-Dibër-Tiranë, me 103 kilometra, në aksin tjetër Shkup-Strugë-Tiranë së paku me një orë. Një lidhje e tretë ndërkombëtare po ndodh. Ne po ndërtojmë dhe Kryeministri vizitoi dy-tre javë më parë komunën e Trebishtit, një aks kombëtar që do të shndërrohet në aks ndërkombëtar, pasi jemi vetëm 7 kilometra nga kufiri me Maqedoninë. Qeveria shqiptare është e vendosur të ndërtojë e rindërtojë çdo rrugë që lidh banorët e të dy vendeve tona, t’jua lehtësojmë sa më shumë jetën atyre, të lehtësojmë sa më shumë shkëmbimet.
Me Kryeministrin Gruevski diskutuam të fillojmë të shqyrtojmë të gjitha modalitetet për të vendosur midis dy vendeve tona, por edhe midis vendeve tona e Kosovës, Malit të Zi, regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Jetojmë në një periudhën e një krize ndofta më e thella dhe më e veçanta që Europa ka njohur në historinë e saj. Duhet të bëjmë gjithçka që energjia e tregut të gjejë hapësirat më të mëdha, si rruga e vetme e mbrojtjes ndaj pasojave të pashmangshme të kësaj krize mbi ekonomitë e vendeve tona. Ne mbështesim plotësisht idenë e ndërtimit të terminalit në Strugë dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim menjëherë shtrirjen e hekurudhës nga Lini në kufi. Kjo përbën një zgjidhje të përkohshme shumë të mirë, i jep një mundësi transportit me kontenier nga portet e Shqipërisë në territorin e Republikës së Maqedonisë. Natyrisht, përbën edhe një nxitje të madhe për të lidhur me hekurudhë Strugën me Kërçovën dhe bëhet një lidhje hekurudhore e shkëlqyer, jashtëzakonisht fizibël për dy vendet.
Sikundër ramë dakord me Kryeministrin që të bëjmë lobim të përbashkët në Bruksel për këto projekte, për të pasur edhe mbështetjen e tyre, pasi të paraqesim të gjitha përpjekjet tona serioze për një infrastrukturë të re komunikimi të gjithanshëm midis vendeve tona.
Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim. Do shqyrtojmë infrastrukturën doganore për ta bërë atë më të lehtën. Ne do të bëjmë gjithçka që potencialet turistike të vendeve tona të vihen në dispozicion të turistëve të vendeve tona dhe turistëve nga mbarë bota. Ohri është padiskutim kurorë e bukurive natyrore të liqeve të Europës e më gjerë. Potenciali i tij i jashtëzakonshëm turistik duhet të zhvillohet. Do të bëjmë gjithçka që bashkërisht ta mbajmë e zhvillojmë këtë potencial.
Vendet tona kanë një të ardhme dhe kjo e ardhme është integrimi i plotë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Shqipëria përshëndet progresin e madh që Maqedonia ka bërë dhe, faktikisht, ka plotësuar kriteret për anëtarësimin në NATO. De facto është një anëtare e NATO-s, por pritet që të zgjidhë një problem që ka me fqinjin jugor dhe jam këtu për t’i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, i cili është angazhuar gjer më sot me shumë përqendrim, por një përqendrim ende më i madh është i nevojshëm, në mënyrë që zgjidhja e këtij problemi të hapë rrugën dhe Maqedonia të zërë vendin që i takon në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Po kështu, reformat e këtij vendi e kanë bërë Maqedoninë vite më parë të përshtatshme për statusin. Ne besojmë se progresi i çdo vendi drejt Bashkimit Europian është interesi më i mirë i rajonit.
Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha dhe e ka procesin e integrimit në Bashkimin Europian si proces themelor. Shqipëria e merr këtë proces tërësisht si një proces të bazuar në meritë dhe nuk mund të jetë ndryshe. Ka një realitet fatkeq, në të cilin opozita shqiptare nuk voton ligjet me tre të pestat në parlament. Ajo nuk e bën këtë se është antieuropiane. Jo. Ajo në programin e vet ka integrimin në Bashkimin Europian, por e bën këtë se mendon se në këtë mënyrë i afrohet më lehtë pushteti. Këshilltar i saj nuk mund të bëhem. E vërteta është se i largohet më shumë pushteti. Megjithatë tratativat janë dhe mbetemi gjithmonë optimistë, por zgjidhja duhet të jetë një zgjidhje e vetëdijshme për një proces jetik për vendin. Reforma të tjera vazhdojnë me intensitetin më të madh dhe, natyrisht, në një univers reformash ka radhë, ka përparësi, por procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ne e konsiderojmë si një proces kryekëput të bazuar në meritë.
Shpreha kënaqësinë për koalicionin që doli nga këto zgjedhje dhe kam bindjen se programi i përbashkët është programi që u jep zgjidhje problemeve më të mëdha, me të cilat vendi mik do përballohet e përballohet.
Ftova Kryeministrin Gruevski të vizitojë Shqipërinë në kohën e tij më të përshtatshme dhe do ta pres me kënaqësi. Faleminderit.
Pyetje: Zoti Kryeministër, maqedonasit në Shqipëri do të kenë mundësi për arsimim në gjuhën maqedonase, ashtu siç kanë shqiptarët në Maqedoni?
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Dua t’ju siguroj se maqedonasit dhe çdo qytetar i Shqipërisë ka pasur, ka dhe do të ketë të drejtë të pamohueshme për t’u shkolluar në gjuhën që do. Vendi ka standardet më të mira, sipas dokumenteve ndërkombëtare të arsimimit të pakicave.
Pyetje: Shqiptarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje themelore [integrimin europian]?
Kryeministri Berisha: Shqiptarët janë tërësisht të bashkuar përsa i përket çështjes së integrimit. Në rast se mendojnë rrugët pak më ndryshe, nuk kanë asnjë lëkundje në besimin e përkushtimin e tyre në procesin e integrimit.
Pyetje: Zoti Berisha a mund të jepni një vlerësim të shkurtër për paralajmërimet e qarqeve të caktuara politike për ndarjen e Kosovës si zgjedhje e përhershme për gjendjen e atjeshme dhe një zgjidhje e tillë a është e pranueshme për Shqipërinë?
Kryeministri Berisha: Këto propozime e sugjerime janë që të gjitha të nxjerra apo nxirren nga arkiva e Sllobodan Millosheviçit. Duhet t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve ’90, mesazherë nga më të ndryshmit qarkullonin me harta në xhep për ndarje të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Por të gjitha ato u provuan si absurditete. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik më i mirë, absolutisht, i të gjitha vendeve të këtij rajoni, që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin e të ardhmen e tij. Tre komuna homogjene serbe pothuajse pa asnjë shqiptar janë në veri të Kosovës dhe duan që të tregojnë se nuk mund të jetojnë dot me shqiptarët, ndërkohë që shumica e serbëve jetojnë ndën Ibër dhe janë në paqe e harmoni me shqiptarët. Është një embrion i ëndrrës që i krijoi Ballkanit të gjithë ato drama e tragjedi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi. Asgjë tjetër.
09/11/2011