Kryeministri Berisha: Gjithçka për të avancuar në procesin e integrimit dhe për një bashkëpunim të shëndetshëm, brenda parimeve themelore, me opozitën
- Qeveria po punon për të shndërruar në program pune të gjitha kërkesat tërësore të raportit të Komisionit Evropian
Kryeministri Berisha drejtoi, sot në mesditë, mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, ku u diskutuan hapat e mëtejshëm në përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, si dhe shndërrimi në program pune për qeverinë i të gjitha kërkesave tërësore të raportit të këtij Komisioni.
Kryeministri theksoi se në traditën e kësaj qeverie, ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm shndërrimi në program pune, qoftë i kërkesave që kanë të bëjnë me demokracinë dhe funksionimin e saj, por edhe ato që kanë të bëjnë me ekonominë e tregut dhe funksionimin e saj, me Aqui-të dhe çështjet sociale të zhvillimit të vendit. “Qeveria dhe agjencitë e saj duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kërkesave dhe standardeve të raportit. Nga ana tjetër, qeveria dhe agjencitë duhet të komunikojnë në mënyrë konstante me Komisionin e Integrimit dhe të raportojnë sa herë që kërkohet prej tij, sikundër, duhet të përshtaten qëndrimet me ato të cilat bien dakord në Komisionin e Integrimit”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi edhe njëherë qytetarët shqiptarë se qeveria mbetet shumë e vendosur të bëjë gjithçka që është në dorë të saj, për të avancuar procesin e integrimit, do të bëjë gjithçka, brenda parimeve më themelore, për një bashkëpunim të shëndetshëm me opozitën”.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“E thirra këtë mbledhje të Komitetit Ndërministror të Integrimit, për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore të qeverisë, për të përmbushur dhe për të punuar jo vetëm për 12 prioritetet e përcaktuara në mënyrën më konkrete dhe më të qartë nga Komisioni Evropian, por për të punuar dhe shndërruar në program pune, ashtu siç është kërkuar, të gjitha kërkesat tërësore të raportit të Komisionit Evropian. Në traditën e kësaj qeverie, ka qenë dhe mbetet e pandryshueshme shndërrimi në program pune, i kërkesave, qoftë të atyre që kanë të bëjnë me demokracinë dhe funksionimin e saj, por edhe ato që kanë të bëjnë me ekonominë e tregut dhe funksionimin e saj, atyre që kanë të bëjnë me Aqui-të dhe çështjet sociale të zhvillimit të vendit.
Ky vit, për një lloj specifike të krijuar nga qëndrimet tashmë të njohura të opozitës, ka një ndarje të re midis qeverisë dhe parlamentit në sensin që, Plani i Veprimit, në tërësinë e tij, është shndërruar në një dokument të miratuar nga mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Integrimit dhe kjo për mua është shumë pozitive. Ky fakt e dyfishon përgjegjësinë e qeverisë. Në njërin aspekt, qeveria dhe agjencitë e saj duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kërkesave dhe standardeve të raportit. Nga ana tjetër, qeveria dhe agjencitë duhet të komunikojnë në mënyrë konstante me Komisionin e Integrimit dhe të raportojnë sa herë që kërkohet nga ky komision, sikundër, duhet të përshtatë qëndrimet me ato të cilat bien dakord në Komisionin e Integrimit.
Duhet të theksoj edhe njëherë se procesi i Integrimit evropian është një proces gjithëpërfshirës për Komisionin Evropian, por edhe për vendet anëtare. Ky proces nuk ka qenë asnjëherë ndryshe. E tërë historia e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por edhe e themelimit nëse shkojmë më tej në kohë, është histori konsensusi dhe gjithë përfshirjeje midis forcave politike. Nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë shembulli shqiptar. Shembulli shqiptar është unik. Absolutisht, kjo praktikë ku mazhoranca miraton ligje, vendime dhe opozita nuk pranon t’i votojë, kjo nuk është një praktikë të cilën mund ta pranojë Brukseli dhe vendet anëtare. Por duhet të jem i sinqertë; si kryeministër i këtij vendi, nuk jam ai që mendoj se mund të pretendohet një gjë e tillë. Jo, nuk mund të pretendohet një gjë e tillë. Nuk ka asgjë më bizare, më të pa konceptueshme sesa të mos votohen në parlament reformat të cilat kërkohen nga Komisioni Evropian, në një proces që synon t’i bëjë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të të begatë, më të sigurt. Mos - votimi i këtyre reformave, siç është bërë e qartë si kristali, la Shqipërinë dy vjet pa status. Opozita, Kryetari i saj, deklaroi pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, se do të votojë çdo gjë që kërkohet për integrimin evropian. Kjo është deklarata e tij. Megjithatë, e vërteta është që ndryshime ka, opozita është në parlament, opozita voton, opozita amendon ligjet. Por ajo që ndodhi javën e kaluar ishte tërësisht melodia dhe muzika e vjetër e bllokimit. Tani sërish ata votuan Kodin.
Edhe njëherë, unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se, ne mbetemi shumë të vendosur të bëjmë gjithçka që është në dorë të qeverisë, për të avancuar këtë proces, do të bëjmë gjithçka brenda atyre parimeve më themelore, për një bashkëpunim të shëndetshëm me opozitën”.
06/03/2012