E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron shkollën e parë shqipe të Lumës “Lidhja e Prizrenit”

6 mars 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në mesditë në aktivitetin përkujtimor të organizuar në mjediset e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të shkollës “Lidhja e Prizrenit” të fshatit Kolesian, në krahinën Lumë të Kukësit, ku dekoroi edhe dy personalitetete të shquara që dhanë kontribut të veçantë në hapjen e kësaj shkolle të parë shqipe të të gjithë zonës verilindore të vendit.

Pasi u prit përzemërsisht nga organizuesit e drejtuesit e Shoqatës atdhetare kulturore “Luma”, Presidenti Topi ndoqi me interes të veçantë studimet e hulumtimet e bëra nga historianët që referuan mbi përpjekjet për shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në krahinën e Lumës, mbi veprimtarinë atdhetare të luftëtarit dhe patriotit të shquar Islam Spahiu dhe hapjes së shkollës nga i biri, Riza Spahiu, si dhe mbi ndikimin e rëndësishëm edukues e mësimdhënës që pati kjo shkollë e parë në të gjithë Qarkun e Kukësit.

Më pas, u zhvillua ceremonia e dekorimit, ku, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjitshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kreu i Shtetit nderoi me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, Islam Spahiun (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të shquar si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe për rolin e tij vendimtar në çeljen e shkollës së parë në gjuhën shqipe, në zonën e Lumës”; Riza Spahiun (Pas vdekjes), me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare dhe si mësues e drejtues i shkollës së parë në gjuhën shqipe, në zonën e Lumës”, si dhe Shkollën “Lidhja e Prizrenit”, Kolesian, Kukës, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Për edukimin atdhetar dhe arsimimin e shumë brezave nxënësish, të cilët kontribuan në të gjithë Shqipërinë për përparimin e saj”.

Me këtë rast, duke marrë fjalën, Presidenti Topi u shpreh: “Të nderuar zonja e zotërinj,

Padyshim është një moment shumë emocional të jem këtu midis jush, në një ceremoni shumë domethënëse për një personazh historik të një krahine me shumë vlera patriotike. Por sikurse u demonstrua edhe në referimet me vlera të jashtëzakonshme, për sa i përket vizionit të tij për arsimin në Shqipëri, e pranova me shumë dëshirë ftesën për të qenë këtu midis jush, sepse ky takim, jo vetëm është një takim shumë i rëndësishëm përkujtimor për një figurë të përmasave kombëtare, – por ky takim realizohet një ditë përpara 7 marsit, që është ‘Dita e Mësuesit’, – një figurë e nderuar për cilindo, për mbarë shoqërinë, tek i cili çdo njeri ka parë prindin e dytë.

Ne e zhvillojmë këtë ceremoninë në kuadrin edhe të festimeve për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, dhe duke parë këtë figurë, i cili me një aftësi parashikuese të jashtëzakonshme, duke marrë në konsideratë rrethanat e kohës, rrethanat historike, diti t’i paraprijë, ndonëse pa arsimin, por me intuitën e jashtëzakonshme që kanë njerëzit e shquar, pikërisht atyre ngjarjeve që pasuan deri në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, në nëntor të vitit 1912.

Unë kam pasur rastin të njoh personalitete të krahinës së Lumës. I kam vlerësuar ata gjithmonë për atë ndjenjë patriotizmi që i ka shoqëruar në të gjithë aktivitetin e tyre, pavarësisht ku kanë punuar, njerëz mjaft dinjitozë, të cilët kanë ditur të përmbushin me nder detyrat e tyre, pavarësisht profesioneve të tyre. Dhe sot, përfaqësuesit e Lumës janë vërtet të nderuar, së pari në trashëgiminë e tyre historike, kulturore, të nderuar në karakterin e tyre, dhe me shumë dëshirë së bashku, duke nderuar këtë figurë të përmasave kombëtare, i cili sikurse u tha, diti jo vetëm të japë vizionin për perspektivën, por e kishte përgatitur edhe atë infrastrukturë minimale nëpërmjet djalit të tij, për ta ushtruar atë, unë besoj që ky është një tregues, është një pikë referimi 100 vite më vonë për të parë që gjërat në këtë vend kanë ardhur mbi bazën e një zhvillimi evolucionar. Nuk kanë ardhur në një ditë. Kështu që nder, lavdi këtyre figurave të shquara që në kushte jashtëzakonisht të vështira, në zona mjaft të vështira, ditën të japin shkëndijat e atij zhvillimi për të cilën ne krenohemi sot pikërisht në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar! Urime!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›