E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Integrimi në NATO, liri e sigurt dhe e ardhme e sigurt

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e konferencës me temë “Integrimi euro-atlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Kartës së Adriatikut.  Të pranishëm në këtë konferencë ishin Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s z. David Hobbs, parlamentarë nga Bosnje Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, të ftuar nga Parlamenti i Kosovës, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, etj. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje të veçantë qeverisë dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që themeluan në Tiranë Kartën “Adriatik 3”, si dhe Asamblesë Parlamentare të vendeve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke bërë të mundur që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës, në Samitin e Strasburgut-Kylnit, në prill të këtij viti. “Shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit të SHBA-së të cilët themeluan në Tiranë Kartën “Adriatik 3” dhe tani e ri dimensionuan atë me dy vende të tjera mike dhe shpresoj që së shpejti do të arrijë të zgjerohet edhe me Kosovën dhe vende të tjera”, u shpreh Kryeministri Berisha. Më tej, Kryeministri nënvizoi se “Parlamentet e vendeve anëtare e dëshmuan mbështetjen e tyre duke ratifikuar brenda 6 muajsh Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por në këtë ratifikim parlamentar nuk ka dyshim që edhe anëtarët e delegacioneve parlamentare të vendeve anëtare të NATO-s në Asamblenë Parlamentare kanë luajtur rol kryesor”. Duke i’u referuar besimit që vendet anëtare të NATO-s kanë dhënë për Shqipërinë, Kryeministri garantoi të pranishmit se i tërë ky besim do të shndërrohet për qeverinë në një përgjegjësi më të madhe, në mënyrë që vlerat e përbashkëta të qëndrojnë në themelet e Aleancës dhe që kombet tona ndajnë dhe të njohin konsolidim të vazhdueshëm në Shqipëri. Kryeministri Berisha renditi disa nga reformat më të rëndësishme dhe sukseset që ka arritur qeveria në sajë të tyre. “Në një hark të shkurtët kohor, në kuadrin e Kartës “Adriatik 3” dhe përpjekjeve për anëtarësimin në NATO, Shqipëria me një luftë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar i’a doli të shndërrohet në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Kryeministri. Më tej, Kryeministri Berisha përmendi bashkëpunimin me forcat politike në vend, duke e cilësuar si një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që ka bërë të mundur progresin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Së bashku me opozitën ne kemi ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme në fushën e drejtësisë, kemi marrë reforma të mëdha Kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat vërtetë premtojnë për standarde të një niveli më të lartë demokracie në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri. Për sa i përket zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në muajin qershor, Kryeministri Berisha siguroi të pranishmit se “qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të zhvilluar zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Kryeministri i ftoi që vendet e tyre të sjellin në Shqipëri vëzhgues për zgjedhjet, ndërsa u shpreh se “do të përpiqemi me të gjitha mjetet tona që të nderojmë, në radhë të parë qytetarët shqiptarë, por të nderojmë edhe miqtë tanë për besimin e tyre ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë shqiptare”. Kryeministri Berisha vlerësoi se integrimi në NATO është një moment kulmor për çdo vend, por për vendin tonë integrimi në NATO është liri e sigurt dhe e ardhme e sigurt.

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha

“Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua, t'i adresohem sot kësaj audience të miqve të nderuar dhe të përshëndes këtë konferencë rajonale, në të cilën, në kuadrin e  Kartës së Adriatikut, do të diskutohen çështje të rëndësishme të lidhura me integrimin euroatlantik të Ballkanit.

Unë, duke shprehur kënaqësinë e madhe për ridimensionimin e Kartës “Adriatik 3” , shpreh bindjen se kjo Kartë si një element thelbësor i përpjekjeve të kombeve tona për t’u anëtarësuar në NATO, është bërë gjithashtu një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm i bashkëpunimit të gjithanshëm miqësor midis vendeve dhe kombeve tona.

Eksperienca e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Kartën “Adriatikut 3” është një eksperiencë shumë pozitive. Ndaj dhe unë shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit të SHBA-ve, të cilët themeluan në Tiranë Kartën “Adriatik 3” dhe tani e ri dimensionuan atë me dy vende të tjera mike dhe shpresoj që së shpejti do të arrijë të zgjerohet edhe me Kosovën dhe vende të tjera.

Karta e Adriatikut u shndërrua në një element me të cilin kombet dhe vendet tona i’a dolën të realizojnë njërin nga projektet më madhore, të historisë së tyre, projektin e integrimit në NATO.

Integrimi në NATO është një moment kulmor për çdo vend, por integrimi në NATO për vendet tona, të cilët në tërë historinë e tyre kanë përjetuar probleme madhore të sigurisë, është disa herë më kulmor sa për vende të tjera. Integrimi në NATO për ne është liri e sigurt, është e ardhme e sigurt. Ndaj dhe edhe njëherë shpreh mirënjohjen më të thellë, të gjithë atyre që bënë të mundur që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe të anëtarësohet në Samitin e ardhshëm në Strasburg-Këln, në prill të këtij viti. Në veçanti dua t’i shpreh një mirënjohje qeverisë së SHBA-ve, e cila mbajti gjallë parimet mbi të cilat NATO u themelua, frymën e Presidentit Truman, themeluesit të kësaj organizate që e mbrojti NATO-n nga çdo lloj lodhje zgjerimi dhe udhëhoqi procesin e zgjerimit të saj në një proces suksesi të madh, për kombet të cilat deri pak vite kishin qenë në kampe të tjera, kishin qenë në armiqësi me NATO-n.

Një mirënjohje të veçantë dua t'i shpreh këtu qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, parlamenteve, senateve, Kryetarëve të shteteve, Kryetarëve të Qeverive për besimin e madh që kanë dëshmuar te Shqipëria, për ratifikimin në një kohë rekord të Protokolli të Anëtarësimit të saj në NATO. I tërë ky besim, ju garantoj, se do të shndërrohet për ne në një përgjegjësi më të madhe, në mënyrë që vlerat e përbashkëta të qëndrojnë në themelet e Aleancës dhe që kombet tona ndajnë, të njohin konsolidim të vazhdueshëm në Shqipëri.

Zoti Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare,

Dua t'ju shpreh ju, Kryetarit të Asamblesë Parlamentare dhe të gjithë anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë. Krahu parlamentar i NATO-s ka qenë avanguarda e zgjerimit të tij. Zoti Sekretar i Përgjithshëm nuk do të harroj asnjëherë rezolutat e miratuara për Shqipërinë dy vjet më parë në Paris, ndërkohë kur për ftesën dhe anëtarësimin e vendit tim kishte një skepticizëm të përhapur, por jo në Asamblenë Parlamentare. Në Asamblenë Parlamentare kishte një vizion, një entuziazëm dhe një mbështetje jashtëzakonisht të madhe. Dëshmitari i kësaj mbështetje u bëra në Rekiavik ku unë pata rastin t'i adresoj Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe u riktheva në vendin tim shumë më i motivuar dhe me besim më të madh, se ëndrra e shqiptarëve do të shndërrohet në realitet dhe se parlamentarët e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s do ta mbështesin Shqipërinë në këtë projekt. Dhe fakti është se Parlamentet e vendeve anëtare e dëshmuan mbështetjen e tyre duke ratifikuar brenda 6 muajsh Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por në këtë ratifikim parlamentar nuk ka dyshim që edhe anëtarët e delegacioneve parlamentare të vendeve anëtare të NATO-s në Asamblenë Parlamentare kanë luajtur rol kryesor. Edhe njëherë mirënjohjen time më të thellë ndaj Asamblesë Parlamentare të NATO-s. 

Zonja dhe Zotërinj,

I gjithë ky besim dhe bashkëpunim me Kartën “Adriatik 3” ka qenë një motivim i madh për qeverinë time dhe një forcë e madhe shtytëse për të proceduar me reforma të gjithanshme, reforma të cilat duhet të zgjeronin dhe të konsolidonin liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe të minoriteteve, reforma të cilat duhet të shembnin murin e krimit të organizuar dhe korrupsionit që kishin vështirësuar progresin e vendit tim drejt NATO-s, reforma të cilat duhet të zgjeronin standardet e lirisë së tregut, sikundër konsensusin politik për problemet madhore të vendit.

Në një hark të shkurtët kohor, në kuadrin e Kartës “Adriatik 3” dhe përpjekjeve për anëtarësimin në NATO, Shqipëria me një luftë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar i’a doli të shndërrohet në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë. Treguesit e kriminalitetit në vendin tim janë sot qartësisht nën mesataren e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian. Disa raporte të fundit lidhur me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore,  ndonëse ato mbeten dhe persistojnë, sërish janë inkurajuese sepse bëjnë fjalë për rezultate substanciale dhe në këto drejtime janë zakonisht të rëndësishme. Shqipëria ka përjetuar një korrupsion sistemik, lufta ndaj të cilit përbënte një përparësi absolute madhore të qeverisë sime. Në katër vite ne ia kemi dalë të shkëputemi nga grupi i 24 vendeve më të korruptuara të planetit dhe të lëmë pas 95 vende të botës. Në luftën kundër korrupsionit Shqipëria arriti me një reformë të thellë fiskale, duke nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit, duke privatizuar të gjithë sektorët madhorë të ekonomisë dhe një seri reformash të tjera, që të ketë në katër vjet pothuajse 2-fishin e buxhetit katërvjeçar të  mëparshëm, ç’ka i dha mundësi vendit të ndërmarrë një rindërtim tërësor të infrastrukturës, reforma të thella në arsim dhe në fusha të tjera. Disa projekte kanë qenë të një rëndësie të veçantë. Ne fituam pragun e “Millennium Challenge Acount Corporation” dhe në kuadër pragut u realizuan tre projekte të rëndësishme; regjistrimi elektronik i biznesit, taksa elektronike dhe prokurimi elektronik, të cilat kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën tonë kundër korrupsionit.

Korrupsioni është një kancer, i cili duhet të luftohet çdo ditë, çdo orë dhe çdo muaj. Nga eksperienca shqiptare unë mund t’ju them se lufta kundër tij është jetike, para së gjithash, për konsolidim e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, është jetike për funksionimin e shtetit të së drejtës, si dhe përbën një levë vërtetë të fuqishme për të luftuar varfërinë dhe mjerimin në vendet tona. Përpjekje të mëdha dhe serioze kemi bërë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe lirisë së tregut. Shqipëria, nëpërmjet një reforme të vendosur, ia doli të ketë barrën më të ulët fiskale në Evropë dhe të thjeshtojë shumë procedurat burokratike. Në dhjetor dhe janar të këtij viti ne kemi firmosur 3.5 miliardë euro kontrata koncesionare në fushën e energjisë dhe fusha të tjera. Të gjitha këto janë firmosur në një kohë krize.  E pyes veten se cila do të ishte Shqipëria jashtë saj, ndaj dhe ne ndjekim me padurim përmirësimin dhe daljen e ekonomisë botërore nga kriza.

Bashkëpunimi me forcat politika ka qenë një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe që ka bërë të mundur progresin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Së bashku me opozitën ne kemi ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme në fushën e drejtësisë, kemi marrë reforma të mëdha Kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat vërtetë premtojnë për standarde të një niveli më të lartë demokracie në Shqipëri.Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe dua të shfrytëzoj këtë rast për t’ju siguruara ju se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju ftoj ju dhe vendet tuaja që të sillni vëzhgues dhe në do të përpiqemi me të gjitha mjetet tona të nderojmë, në radhë të parë qytetarët shqiptarë, por të nderojmë edhe miqtë tanë për besimin e tyre ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›