Shqipëria - Pamjet spektakolare dhe thesaret kulturore që presin të zbulohen
Reportazh
Për shumë dekada me radhë, Shqipëria komuniste ishte po aq e izoluar nga bota e jashtme sa Koreja e Veriut. Edhe pas rrëzimit të diktaturës, vendi që shtrihet në brigjet e Mesdheut, për shumicën e turistëve gjermanë, është edhe sot e kësaj dite, akoma një “terra incognita“ dhe cilësohet si një destinacion turistik i rrezikshëm dhe vend i prapambetur. Por në fakt, këto frikëra janë të pamotivuara. „Shqiëpria prej disa vitesh tashmë është e sigurtë“, na thotë Klajd Kruja, ndërsa na shpërfaq mendimet e tij. “Në Tiranë mund t’ a lesh makinën pa mbylluyr e s’ e gjen gjë. Hajdutë rrallë gjen tashmë“, na thotë udhërrëfyesi ynë, i cili prej vitesh shoqëron turistët gjermanë në udhëtimet e tyre. Bujaria është edhe njëra ndër virtytet më të mëdha të shqiptarëve. “Ne jemi të përzemërt e miqësorë “, thotë djaloshi që ka studiuar pedagogjikë në Hajdelberg .
Me gjasa janë pasardhës të grupimit të popujve indoeuropianë të Ilirëve, të cilët u vendosën në trojet ku ndodhet Shqipëria e sotme, rreth 700 vjet para Krishtit. “Ne jemi aborigjenët e Europës, me një kulturë të moçme mijëravjeçare“, na thotë tërë krenari Klajdi. Përveç thesareve të panumërt historikë, atdheu i tij na ofron një natyrë spektakolare me një vijë të gjatë plazhesh ranorë, gjire të rrallë, liqene plot peshq dhe pyje të dendur halorë, ku gjejnë parajsën arinjtë, ujqërit dhe riqebujt . Livadhe të gjera e hone të thella me fshatra të ndara nga njëri-tjetri, popullojnë malet e pjerrët që kapin majat në lartësi deri në 2800 metra.
I madh është kontrasti me këtë rajon të rrallë e të mahnitshëm malor, kur e krahason me kryeqytetin plot gjallëri e lëvizje, Tiranën, e cila nga Mynihu është vetëm një orë e gjysëm me avion larg. Deri në kohën e rrëzimit të diktaturës, në fillim të viteve nëntëdhjetë, këtu jetonin vetëm 200 mij banorë, e tashmë numri i tyre kap të paktën 800 mij. Dhe kështu qyteti duket sikur shpërthen nga të gjitha anët. Para së gjithash, në rrethinat e qytetit shihet një kantier i vërtetë ndërtimi që zgjat pa mbarim. Aty ku më parë kishte vetëm pemë frutore, tashmë kanë mbirë fabrika, autosallone, ndërtesa për zyra hipermoderne, apartamente banimi dhe hotele.
Por megjithatë, shumë banorë akoma dhe sot jetojnë në shtëpi e apartamente parafabrikate betonarmeje të trashëguara nga koha e komunizmit. Për të sjellë pak ngjyra në atë trishtim, kryebashkiaku Edi Rama i ka lyer me ngjyra të shumëllojshme fasadat e tyre. Qarkullimi në kryeqytet është kaotik, e kalimi në rrugët e gjëra kërkon gjithsesi edhe një dozë guximi. “Në kohën e diktatorit Enver Hoxha, kishte vetëm dy makina private“, rrëfen Klajdi.
Por qysh prej disa viteve, bllokimi i rrugëve tashmë është bërë pjesë e jetës së përditshme. Para së gjithash veturat “Mercedes” janë ato që mbushin rrugët e Tiranës, por edhe kamionë transporti të markave gjermane. Në mbrëmje vonë, në qendër të qytetit ka shumë gjallëri. Automjete luksoze të “të pasurve të rinj” rreshtohen ngadalë tërë qesëndi drejt lagjes së shumëlakuar të Bllokut me baret , kafenetë dhe butikët e saj. Më parë, në këtë lagje jetonin vetëm anëtarë të Byrosë Politike, të veçuar nga populli, në vila të rehatshme. Gjatë regjimit të Hoxhës, i cili vdiq në vitin 1985, me mijëra shqiptarë gjetën vdekjen në ekzekutime. “Vetëm Pol Poti ishte më keq“, na thotë Klajdi. Xhaxhai i tij u dënua në vitin 1980 me njëzet vjet burg, pasi ai donte të arratisej nga vendi i tij i lindjes. Hoxha e ktheu vendin - me sipërfaqe pak a shumë sa Belgjika - në një burg të madh. Nga ana tjetër, regjimi ua mohonte turistëve hyrjen në “parajsën e punëtorëve dhe fshatarëve“. Sot, të huajt në Shqipëri janë sërish miq të mirëpritur e të respektuar.
Në fshatin turistik Dhërmi, në brigjet e Jonit, një grua e moçme rreh duart me kënaqësi ndërsa turistët gjermanë kalojnë para shtëpisë së saj dhe na ofron tej gardhit të saj, një buqetë me lule të sajuar nxitimthi. Fshati, në dukje i mirëmbajtur, shtrihet teposhtë qafës 1000 metra të lartë të Llogarasë, në njërin nga segmentet më të bukura të “rivierës shqiptare“. Ka disa pensione (bujtina) të vogla dhe hotele modeste të ndërtuar aty mes pishave. Një dhomë dopio mund ta shijosh për rreth 20 Euro në ditë, dhe ushqimi është i lirë, si kudo në Shqipëri.
Turizmi, ekonomikisht luan një rol gjithnjë e më të madh, qëkurse gjendja politike dhe ekonomike është stabilizuar në vitet e fundit. Në gjysmën e parë të vitit 2008, erdhën rreth 13 mijë gjermanë në vend. Tendenca vjen duke u rritur. “Por ne nuk kemi një turizëm masiv“, na thotë Klajdi. Por përgjatë brigjeve, shihen edhe disa “mëkate” ndërtimore, si ato që kemi njohur në disa raste në Turqi apo Spanjë. Në qytetet si Durrësi, Vlora dhe Saranda, po ndërtohet hotel pas hoteli. Dhe ata po bëhen gjithnjë e më shumë. Edhe shumë pallate banimi po ndërtohen vetëm pak metra nga njëri-tjetri, duke ngritur kokën lart drejt qiellit.
Por, megjithatë bregdeti me një shtrirje prej 400 km, mund të thuhet se akoma është i virgjër. Përsa i përket bunkerëve të kohës së Enver Hoxhës, ato ishin rreth 700 mijë kërpudha betoni në formë gjysëmrrethore që ai i ndërtoi pas daljes së Shqipërisë nga “Pakti i Varshavës”, në vitin 1968, për të mbrojtur vendin e tij nga invadorët e mundshëm. Në kohët shëmë puritane të komunizmit, çiftet e rinj i shfrytëzonin bunkerët si streha dashurore. “Make love not ëar” në shqip. Tashmë ato i shërbejnë fshatarëve si magazina për të ruajtur ushqimin e bagëtive dhe veglat e punës. Për të prishur ndërtimet e shumta, tashmë të përfunduara, kjo do të ishte një ndërmarrje shumë e shtrenjtë nga ana financiare. Për turistët e huaj, bunkerët, përkrah monumenteve antike, tashmë janë bërë motivet më të fotografuara në Shqipëri. Deri tashmë, në vend janë zbuluar vetëm një pjesë e vogël e rrënojave antike. “Qytete të tëra, ende qëndrojnë nën rrënoja. Vetëm 15-20 % e tyre kanë dalë deri më tani në dritë”- rrëfen Klajdi.
Ndër sitet më të rëndësishme antike të zbuluara në vend, është Apolonia, në të cilën dikur jepnin mësim filozofë të shquar; aty ku studioi më pas edhe Perandori romak Augustus. Në këtë listë renditet edhe Butrinti, i cili është shndërruar në një park kombëtar, vendosur në një mjedis përrallor mes liqeneve shumë pranë ngushticës që të lidh me ishullin e Korfuzit. Në një gadishull mes një liqeni plot kthjelltësi, i cili nëpërmjet një kanali lidhet me detin, gjenden rrënoja të epokës helenike, romake, veneciane dhe otomane. Butrinti është shpallur nga Unesco “Trashëgimi Kulturore Botërore”, dhe po ashtu, edhe qyteti i rrethuar nga malet e larta, Gjirokastra, pranë kufirit me Greqinë. Shumë nga shtëpitë disakatëshe, krenare të epokës otomane, tashmë gjenden në një gjendje të mjerueshme. Por ndërkohë po bëhet shumë, për të restauruar ndërtesat me trarët dhe zbukurimet e tyre në dru.
Në mënyrë perfekte është ruajtur edhe qendra historike e qytetit të Beratit, me shtëpitë e tij piktoreske dhe ballkonet e varura. Qyteti më i bukur i Shqipërisë, u themelua 500 vjet para Krishtit nga ilirët dhe gjatë historisë së tij të trazuar, ai është shkatërruar e rindërtuar disa herë. Në sokaqet e shtruara me rrasa e guri, një burrë i moshuar shihet të kullosë tufën e gjelave të tij të detit, ndërsa një fqinjë e tij shihet të vijë nga nga pas me një tufë pula. Gjermanisht pensionisti sigurisht se nuk di të flasë, por nga ana tjetër, ai duket se njeh mirë disa emra futbollistësh gjermanë nga kohët e shkuara. “Bekenbauer, Necer, Myler”, përmend ai. Edhe ndeshjen legjendare Shqipëri-Gjermani, e cila përfundoi dikur me rezultatin 0:0 në vitin 1967, ai mund ta kujtojë fare mirë. Në kërkim të punës ndërkohë, rreth një milionë shqiptarë kanë braktisur vendin e tyre. Në rajonet malore, lokalitete të ndryshme po lihen gjithnjë e më shumë në fatin e tyre. “Disa fshatra mund t’i blesh madje për 15 mijë Euro “, na thotë Klajdi. Në shtëpitë e braktisura, ndonjëherë madje hyjnë edhe ujqërit. Në dimër ata zbresin madje deri poshtë në qytete si Gjirokastra, të ndjellur nga era e plehrave, që lihen ashtu zbuluar, të shtrira ngado. Në fshatin malor Shtpcke, më parë jetonin 200 familje me prejardhje nga Rumania. Tashmë aty gjenden vetëm katër: ndër ta fshatari Mika, bashkëshortja e tij, Shene dhe e bija, Marinela. Ata gëzohen kur udhëtarë e turistë gjermanë kalojnë në fshatin e tyre. Më pas familja na servir nga kazanet që vlojnë tortelini të mbushura, e për ta shoqëruar na serviret raki e bërë vetë. Mika na thotë se është bërë merak për numrin në rritje të arinjve. “Ka shumë. Ata hanë çdo gjë që gjejnë”, ankohet ai. Në hotelin që shtrohet disa kilometra larg e që mban emrin “Akademia”, në mbrëmje dëgjohen qentë roje. Ndoshta ato kanë ndjerë aromën e një ariu që vërtitet i vetmuar në pyll. Në hotel rryma elektrike bie sërish. Kjo gjë ndodh shpesh edhe në kryeqytetin Tiranë madje. Edhe ngrohja nuk funksionon. Turistët e marrin çdo gjë shtruar. Të mbështjellë mirë, ata grumbullohen një e nga një rreth oxhakut të restorantit. Edhe udhërrëfyesi ynë, Klajdi, mund të nxjerrë diçka pozitive nga kjo situatë e përftuar: “Kjo forcon ndjenjën e solidaritetit”.
Marrë nga: “Echo Online” - Gjermani, 20 shkurt 2009
Përktheu: Armand Plaka