E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Anëtarësimi në NATO, një fillim i ri në historinë tonë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi sot se "anëtarësimi në NATO është një fillim i ri  në historinë tonë me përpjekje mijëvjeçare për liri, paqe, stabilitet, mirëqenie e siguri”. Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, në Hotel Tirana Internacional, nisi sot punimet konferenca dy ditore e Kartës së Adriatikut: “Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor”, me pjesëmarrjen e delegacioneve të Parlamenteve të Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në Konferencë ishte i pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobs, si dhe autoritetet më të larta të vendit, Kryeministri Sali Berisha, deputetë, ambasadorë të akredituar në Tiranë, etj.Në fjalën e saj, kryeparlamentarja Topalli u shpreh e sigurt se "në Samitin e NATO-s në prill të këtij viti, ne do të tregojmë, së bashku me amerikanë e europianë, me vendet e Balltikut të Veriut, me Turqinë e Kanadanë, se jemi gati të takohemi me sfidat dhe premtimet e shekullit të 21-të". Ajo kujtoi se më pak se një vit më parë Shqipëria dhe Kroacia u ftuan në NATO dhe Bosnje-Hercegovina e Mali i Zi iu shtuan Kartës së “Adriatik 3”, duke e shndërruar këtë të fundit në A3+2. Znj. Topalli theksoi se "nga momenti, kur Sekretari i Shtetit, Kolin Pauell dhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në vitin 2003, nënshkruan A3-shin, si një kurs drejt anëtarësimit në NATO, kanë kaluar pak vite, por kanë ndodhur shumë ngjarje. Rajoni është rritur e paqëtuar me shtetin më të ri të lindur, Kosovën. Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi  gjithashtu kanë bërë përpjekje të mëdha për progres. Maqedonia ka vazhduar drejt reformave". Sipas saj, "imazhi ynë ka ndryshuar, por mbi të gjitha këtë besim ne e vlerësuam si një sfidë për të thelluar më  shumë reformat, për të rritur ekonominë, për të modernizuar shtetin tonë". Me këtë rast Kryetarja e Kuvendit ripërsëriti mirënjohjen për SHBA-në, Presidentin, Kongresin e Senatin Amerikan, që ratifikuan protokollin e NATO-s ndër të parët e pastaj me rradhë me vendet e tjera anëtare të Aleancës. Sipas Kryetares Topalli, "procesi i ratifikimit ka qenë një katalizator i progresit demokratik, dhe kjo  për ne do të thotë të jemi anëtarë me të njëjtat të drejta, privilegje, por dhe detyrime, për të ndërtuar bashkë me aleatët një koncept të ri strategjik të kësaj aleance, në përballjen me sfidat e këtij shekulli". 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›