Kryeministri Berisha: Investimet në sektorin energjetik, një nga shtyllat më të rëndësishme të projektit “Shqipëria, vend i zhvilluar”
- - Të shfrytëzojmë çdo potencial ujor të këtij vendi, ta shndërrojmë atë në një vlerë për ekonominë dhe çdo qytetar shqiptar
- Jo vetëm është krijuar një sportel unik për investitorët në fushën e energjisë, por është përgjysmuar ngarkesa burokratike mbi ta.
Kryeministri Berisha u ndal sot gjerësisht në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në në rëndësinë e investimeve në sektorin energjetik dhe masat lehtësuese që do të miratohen nga qeveria në ndihmë të investitorëve që operojnë në këtë fushë. Duke iu referuar takimit të djeshëm të zhvilluar me përfaqësues të biznesit kryeministri siguroi se vërejtjet dhe sugjerimet e paraqitura nga ata do të merren parasysh plotësisht dhe do të reflektohen në vendimmarrjen e qeverisë.
Kryeministri Berisha i vlerësoi investimet në energji si një nga shtyllat më të rëndësishme të projektit ‘Shqipëria, vend i zhvilluar”. Duke përshëndetur të gjithë atë të cilët u angazhuan me seriozitetin më të madh për të hapur këtë kapitull të ri në zhvillimin e vendit, përfshirë këtu specialistë, zyrtarë, ekspertë, drejtues, afaristë, biznesmenë vendas dhe të huaj, kryeministri iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë në mbarë vendin që të konsiderojnë me seriozitetin më të madh çdo burim të mundshëm uji për ndërtim HEC-ve, i cili pavarësisht nga përmasat ka më shumë më tepër vlerë, se sa një mosshfrytëzim i ujërave.
Kryeministri garantoi komunitete lokale në të gjithë vendin se qeveria është e vendosur që si inkurajim në këtë nisëm tu japë atyre lehtësirat më maksimale, që energjinë që prodhojnë ta menaxhojnë ata vetë, duke nxjerrë prej saj përfitime. “Ndaj është shumë e rëndësishme që ashtu siç shohin me besim në tokën e tyre për të nxjerrë fitimet e merituara le ti shohin ato edhe në ujërat që kanë përreth për ti shndërruar ato në burime të rëndësishme energjetike.” u shpreh Kryeministri
Kryeministri premtoi se qeveria do të krijojë lehtësira dhe do të mbështesë dhe për këtë bizneset duhet të ndihen të sigurta. “Ne jemi të gatshëm të ofrojmë lehtësira dhe të mbështesim. Ky vend nuk ka pasuri më të madhe se ujërat e bollshme të vetat, ndaj dhe le ti shfrytëzojmë ato. I garantoj se koncesionet janë kontratat më të sigurta dhe të mos kenë asnjë impresion nga thirrjet antiglobaliste të liderit të opozitës se do ti anullojë ato. Sa më shumë të shqipërojë thirrje të tilla, aq më shumë dekada do të mbetet në bankinë. “, u shpreh kryeministri.
Lidhur me këtë temë, kryeministri u shpreh:
“Një nga vendimet më të rëndësishme që do të marrim sot ka të bëjë me investimet në fushën energjetike dhe saktësisht në energjinë ujore. Pas një pune të gjatë që ka bërë ministria e ekonomisë dhe Taks Force rregullatore, pas një shqyrtimi të të gjitha praktikave burokratike të derisotme është arritur në përfundimin e rëndësishëm, jo vetëm në krijimin e një sporteli unik për investitorët në fushën e energjisë, por edhe në përgjysmimin e ngarkesës burokratike mbi ta.
Dje me ministrin Naço ne patëm një konsultë të gjerë me përfaqësuesit e dhjetëra e dhjetëra kompanive të cilët kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë HEC-e në të katër anët e vendit. Dëgjuam me vëmendje vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Dua ti garantoj se ato do të përfillen plotësisht dhe se qeveria ka një vlerësim shumë të madh për kontributin e tyre në zhvillimin e këtij vendi.
Zotërinj ministra, rezultatet e para janë shumë inkurajuese. Në rast se për 30 vite me radhë nuk u ndërtua qoftë edhe një HEC i vetëm, për tre dekada mbi 2/3 e ujërave të vendit u derdhën në det të fjetura, por pa vlerë. Kjo situatë i përket të shkuarës. Vendosmëria e qeverisë për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon po lëshon shtat çdo ditë e më shumë, po bëhet çdo ditë e më shumë një realitet i prekshëm. Ne duam që të shfrytëzojmë çdo potencial ujor të këtij vendi, ta shndërrojmë atë në një vlerë për ekonominë dhe çdo qytetar shqiptar.
Në njërën prej komunave më të zhvilluara të vendit, presidenti i një kompanie do të informonte se të ardhurat në atë zonë, pra fitimi është 50 milion lekë. Me HEC-in e ndërtuar ky fitim rritet me 13 milion lekë të tjera. Kjo është një garë për të shtuar të ardhurat në këtë vend, për të krijuar një shtyllë të zhvillimit të fuqishëm në këtë vend.
Kjo është një garë për të punësuar dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë në të katër anët e vendit. Kjo është një garë për të plotësuar nevojat energjetike dhe për të shndërruar vendin në një eksportues të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme. Ndiheshim të lehtësuar dje me zotin Nasip, kur pjesën më kryesore të kërkesave të sipërmarrësve, ne , në vendimin që marrim dhe në disa vendime të tjera i kemi shndërruar në realitet.
Unë kam kënaqësi këtu të informoj se në këtë hark kohor të shkurtër 3,4 vjeçar janë ndërtuar 46 HEC dhe kanë filluar ndërtimin apo kanë avancuar edhe 100 të tjera në një kapacitet total të barabartë me prodhimin që ka vendi sot, në një investim total që shkon mbi 2,7 miliard euro dhe sic fakton ky rend dite interesi është në rritje. Ministria e Ekonomisë ka sjellë gjatë këtyre viteve të fundit me dhjetëra e dhjetëra kaskada për koncesion të kompanive të ndryshme. Kanë përfunduar ndërtimin një seri HEC-esh si në Carshovë, Ceralevë,Tervol, Dishnicë,Lubonjë, Faqekuq 1 dhe 2, Bishnicë, Klos, Pesht, Dardhë, Benesovë, Sllabinjë,Martanesh, Fterë,Picar, Lenie, Çorovodë, Tuceps, Sllanik, Sasaj, Bogovë, Smokthinë, Bulqizë, Zerqan, Arras, Lekbibaj, Dukagjin, Marian, Lozhan, Barmasht, Treskë 2, Lunik, Borsh, Velçan, rajal dhe janë 100 të tjera në ndërtim e sipër.
Duke përshëndetur të gjithë ata, të cilët u angazhuan me seriozitetin më të madh për të hapur një kapitull të ri shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij vendi, specialistë, zyrtarë, ekspertë, drejtues, afaristë, biznesmenë vendas dhe të huaj po ngrenë çdo ditë një nga shtyllat më të fuqishme të projektit Shqipëria, vend i zhvilluar, unë shfrytëzoj rastin gjithashtu tu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit të konsiderojnë me seriozitetin më të madh çdo burim të mundshëm uji për ndërtim HEC ,pavarësisht nga përmasat e tij, sado i vogël që të jetë, ai është shumë herë më i mirë se sa ujërat të derdhen në det pa u shfrytëzuar në energji. I garantoj komunitetet lokale se qeveria është e vendosur që si inkurajim në këtë nisëm tu japë atyre lehtësirat më maksimale, që energjinë që prodhojnë, ta gëzojnë ata dhe ta menaxhojnë vetë. Ndaj është shumë e rëndësishme që ashtu siç shohin me besim në tokën e tyre për të nxjerrë fitimet e merituara, le ti shohin edhe në ujërat që kanë përreth për ti shndërruar ato në burime të rëndësishme energjetike. Një praktikë e tillë sot po rritet me shpejtësi në vendin ndofta më të mëkëmbur të planetit që është Zvicra. Edhe atje komunitet po ndërtojnë burimet e vogla për vete. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë lehtësira dhe të mbështesim. Ky vend nuk ka pasuri më të madhe se ujërat e bollshme të vetat, ndaj dhe le ti shfrytëzojmë ato. I garantoj se koncesionet janë kontratat më të sigurta dhe të mos kenë asnjë impresion nga thirrjet antiglobaliste të liderit të opozitës se do ti anullojë ato. Sa më shumë të shqipërojë thirrje të tilla, aq më shumë dekada do të mbetet në bankinë.
09/05/2012