Kryeministri Berisha i prezanton biznesit të energjetikës masat lehtësuese për marrjen e lejeve për projektet energjetike

- - Qeveria do të shkurtojë nga 22 në 12 procedurat për marrjen e një leje për projektet energjetike
Në vijim të takimeve me grupe dhe përfaqësues të biznesit, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim të zgjeruar me përfaqësues të biznesit të energjetikës, gjatë të cilit kryeministri prezantoi propozimet e bëra nga Task Forca për energjinë, për të lehtësuar procedurat e pajisjes së lejeve dhe licencave për projektet energjetike.
Kryeministri Berisha bëri të ditur se nëpërmjet një One Stop Shop, nga 22 leje dhe autorizimeve që duhet të merren për të realizuar një projekt koncesionar të energjisë, qeveria ka vendosur ti shkurtojë ato në 12 hapa, duke ulur shpenzimet dhe kohën duke zbatuar parimin heshtja është pranim. Në këtë kontekst, Kryeministri shpjegoi mënyrën e zvogëlimit të hapave dhe numrin e lejeve e dokumenteve që nevojiten.
Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri u shpreh se:
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, koncesionarët e hidrocentraleve të vendit, t’ju siguroj se qeveria, energjinë në tërësi dhe energjinë e rinovueshme në veçanti, e ka prioritetin e saj më madhor.
Në këtë kontekst, ajo është e vendosur të bëjë çdo përpjekje brenda ligjeve të vendit për suksesin tuaj. Ne konsiderojmë potencialin hidrik të vendit, si pasurinë e të gjitha pasurive të kësaj toke. Ne e konsiderojmë shfrytëzimin racional të ujërave të vendit, si përparësinë tonë më madhore. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë. Ne e nisëm nga nivele të paimagjinueshme për Europën, kur 20 vjet më parë Shqipëria renditej me Angolën dhe Ugandën, ishte vendi i 3 më i varfër në Botë. Sërish Shqipëria nuk është vend i zhvilluar, por sot është në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe duhet të kalojë në grupin e vendeve me të ardhura të larta. Shqipëria në këtë krizë ka një ekonomi realisht vibrante, në 5 vitet e fundit, në një kohë kur ligjin në pjesën dërrmuese të Europës dhe më gjerë e bën recensioni. Shqipëria regjistroi një rritje ekonomike prej 22 % të marrë sëbashku, rritjen më të lartë të kontinentit. Ju jeni dëshmitarë të një përpjekje të madhe të qeverisë, për të shndërruar në vlera, asetet e këtij vendi dhe në këtë kontekst shfrytëzimi i ujërave për energji elektrike është dhe do të mbetet një nga përparësitë më madhore.
Së pari, ne synojmë të favorizojmë çdo pasuri për qytetarët shqiptarë, së dyti asgjë më të rëndësishme sesa energjia nuk ka për një vend, për një ekonomi, për një zhvillim. Energjia, sot është problemi më madhor në Europë dhe në botë. Energjia do të vazhdojë të mbetet problemi më madhor për tu zgjidhur, por nga të gjitha llojet e saj energjia ujore, energjia e erës, e diellit, janë më të pastrat, janë ato të cilat nuk krijojnë probleme madhore mjedisore, në rast se veprohet në përputhje me kriteret.
Në këtë kontekst në ambicien dhe projektin tonë për një Shqipëri të zhvilluar, pa diskutim që kjo qeveri bën gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap, në të cilin ne të fitojmë diçka sot, por të rrënojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, e brezave që vijnë, jo. Ndaj dhe në këtë kontekst shtyllë jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm është energjia jeshile, zhvillimi jeshil. Sot në botë ka një inkurajim të madh tërësor ndaj kësaj energjie, sikundër ka edhe një shtrëngesë për shkak të krizës. E vërteta është, se rendja pas energjisë lehtësisht të siguruar është rënie gjithashtu në një mënyrë të pa shmangshme drejt pasojave serioze mbi klimën dhe mjedisin, ndotjen dhe shëndetin, ndaj dhe ne mbetemi të vendosur në energjinë e rinovueshme. Ne do të bëjmë gjithçka, që të gjitha ujërat e vendit që derdhen në det , mundësisht të prodhojnë një energji të caktuar para se të bashkohen me ujërat e detërave.
Shqipëria ka një potencial ujor, pak kohë më parë po lexoja një raport të Albert Calmes të vitit 1922. Ky profesor i shquar mik i shqiptarëve, pasi përshkruante një prapambetje ekzemplare zhvillimi, shkruan se përsa i përket ujërave, ky vend mund ta krahasojmë vetëm me vendin më të pasur në ujëra dhe e vërteta është se, më shumë se kurrë, po e dëshmojmë sot. Me një hark kohor të shkurtër, me një ligj të shkëlqyer koncesionesh, ne ia dolëm të firmosim me ju dhe kompani të tjera mbi 120 kontrata për ndërtimin e rreth 320 hidrocentraleve dhe interesi është i madh vazhdon për të tjerat. Në rast se 30 vjet dhe me radhë, nuk u ndërtua qoftë edhe një hidrocentral i vetëm, gjatë këtyre viteve kanë përfunduar ndërtim nga e para mbi 25 hidrocentrale, rindërtim nga e para 21, në total 46 hidrocentrale, të cilat në fund të vitit do të kenë një kapacitet prej 115 megavat.
Ajo çka është shumë inkurajuese, është fakti se kanë filluar punimet dhe po vazhdojnë edhe në 100 hidrocentrale të tjera, me një kapacitet të vendosur prej 240 megavat dhe se kanë marrë miratimin për projekte zbatimi rreth 100 hidrocentrale, po përgatisin kantieret e ndërtimit me një kapacitet tërësore prej 750 megavat. Pra në total shifrat e mësipërme, sëbashku kapin 1200 megavat. Kjo përbën një nga arritjet më madhore në zhvillimin e këtij vendi dhe kontratat e tjera, koncesionet e tjera janë në përgatitje e sipër, këto ditë u finalizua tenderi i kaskadës së Osumit, një lum me një kaskadë të mrekullueshme me një zbritje prej 900 metrash është përgatitur dhe së shpejti del në treg, kaskada më e bukur e vendit që ka mbetur kaskada e Vjosës.
Së shpejti fillojnë punimet në lumenjtë e tjerë. E vërteta është se, Shqipëria po përjeton sot, periudhën e ndërtimeve më intensive në fushën e energjisë ujore. Unë e di se krahas këtyre shifrave, të cilat janë inkurajuese, janë të vlerësuar shumë nga çdo shqiptarë, ju përballeni me vështirësi të ndryshme të shumëllojta burokratike dhe jo vetëm kaq. Me Taks Forcën rregullatore ne vendosëm të kalojmë në rishikim edhe njëherë të gjitha burokracitë që rëndojnë mbi ju dhe gjetëm se juve, ju kërkohen rreth 21 leje dhe autorizime, me Task Forcën rregullatore, ne konstatuam dhe vendosëm të kalojmë në 11 dhe të funksionojë One Stop Shop edhe për ju, mund t’ju them disa prej tyre. P.sh ju kërkohet leje për heqjen e sipërfaqes nga fondi pyjor dhe leje për përdorimin me kontratë qeraje në fondin pyjor dhe leja e koncesionit për përdorimin e ujit për veprat energjetike, këto të dyja do të shkrihen në një lejë të vetme. Leje për shfrytëzim materialesh inertesh nga shtretërit e lumenjve për veprat energjetike, këto katër leje ju do ti merrni në një, të gjitha këto sillen në një problematikë të caktuar, ndaj dhe One Stop Shop, ju do të aplikoni vetëm për një leje. Task Forca mendon se, kërkesa për identifikimin e pronarëve të pasurive te paluajtshme duhet të mbetet, kemi të bëjmë me çështje pronësie dhe këtu nuk mund të ndërhyjmë. Kërkesa për lidhje marrëveshje ose për lidhje shpronësimi për interes publik dhe këtë duhet ta bëjmë dhe të nisin procedurat, kurse miratimi i projekt-idesë dhe miratimi i projekt-zbatimit, këto do të shkrihen në një. Deklarata e mos prekjes të një zone natyrore leje me kusht në një zonë të mbrojtur këto do të jenë në një. Do shkrihet në një, deklarata për mos prekje të një zone të trashëgimisë kulturore arkeologjike dhe leja për mos prekje në një zonë kulturore arkeologjike. Nëse operohet në një zonë të tillë, aty ku mund të operohet, atëherë nuk do të jetë dy, po një dokument. Do të shkrihet në një, deklarata për mos prekje në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve dhe leja për lidhje me rrjetin e ujësjellës kanalizimeve. Deklaratë konformiteti për mbrojtje nga zjarri, autorizim me kusht për mbrojtje nga zjarri të dyja do të jenë vetëm në një. Çertifikimi i konformitetit të projektit elektrik, është i domosdoshëm, mbetet siç është. Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse nuk mund të hiqet se është i domosdoshëm, mbetet siç është.
Pra nga 22 lejë dhe autorizime do të jenë 12.
Fjalën e kemi ju ne kemi shqyrtuar edhe problematikat e ndryshme. Ne duhet të dëgjojmë sugjerimet tuaja sesi mund t’ju lehtësojmë. Unë shpreh vlerësim më të madh për ju, ata të cilët përgojojnë pa asnjë fakt pa asnjë bazë koncesionet tuaja, ata dëshmojnë se janë thashethemexhinj ordinerë, nga të cilët ju nuk duhet të ndikoheni aspak, sepse unë mendoj se ju me përkushtimin tuaj, me guximin tuaj, me projektet tuaja, po i bëni vendit një shërbim shumë të madh. Po shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në Rajon dhe ky është një nga zhvillimet me pozitive të të gjitha kohërave, që ne mund ti bëjmë këtij vendi. Ndaj dhe nuk duhet të keni asnjë lloj ndikimi nga anti-globalistët, të cilët ndjekin strikt interesa apo parime ekstreme ideologjike, por të mendojmë sëbashku sesi ne, mund t’ju lehtësojmë më shumë, mund t’ju inkurajojmë më shumë , sepse kushtet nuk janë më të mira sot, në tërësi! Sot ka një krizë financiare të padiskutueshme, sot ka një krizë të euros të borxheve, por unë jam shumë i inkurajuar nga fakti se, sot kanë përfunduar 46 hidrocentrale, se sot ndërtohet në 100 hidrocentrale, natyrisht ato nuk janë asnjëra në qendër të Tiranë, as në zyrat e partive dhe as në klubet e gazetarëve, ato janë në ujërat e kaskadave. Një gjë do t’ju sugjeroja, që ti promovoni më shumë edhe qeveria duhet të bëjë më shumë për promovimin e tyre, por edhe ju duhet të bëni më shumë për promovimin e punës dhe kontributit tuaj.
Në mbledhjen e kaluar miratuam vendimin e qeverisë, ju do të keni me 1 euro tokën publike aty ku ju ndërtoni veprën. Qeveria kaloi vendimin për t’jua dhënë me 1 euro, sikundër kemi marrë vendimin tjetër që çdo vonese burokratike, fatura i shkon burokracisë dhe heshtja është miratim.
* * *
Më tej, gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse, në një bashkëbisedim me kryeministrin ngritën disa nga problematikat me të cilat hasen në veprimtarinë e tyre të përditshme.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha duke vlerësuar punën shumë të mirë të firmave që veprojnë në sektorin energjetik, si dhe kontributin e tyre në këtë fushë, shprehu falënderimet e tij, por edhe mbështetjen e plotë të qeverisë për të lehtësuar dhe ndihmuar aktivitetin e këtij biznesi.
Duke u ndalur në secilën prej çështjeve të ngritura, kryeministri inkurajoi përfaqësuesit e kompanive që nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe diskutimeve me autoritetet lokale dhe ato qëndrore, të krijojnë ura komunikimi, në dobi të zgjidhjes sa më të favorshme dhe në interesin më të mirë të tyre dhe të qytetarëve.
Kryeministri siguroi biznesmenët për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë për të përmirësuar sa më shumë kuadrin ligjor dhe kushtet në të cilat këto kompani operojnë.
Duke trajtuar problematikat e ngritura, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari shpreh edhe falënderimin dhe mbështetjen e plotë të qeverisë për ju, vlerësimin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni, sepse jam plotësisht i vetëdijshëm për morinë e madhe të vështirësive që ju përballeni në këtë fushë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për kontributin tuaj shumë të madh në sektorin energjetik. Dua të theksoj se vetëm duke u bazuar në shifrat që unë lexova janë mbi 2,5 miliard euro investime në të gjithë projektet të cilat përmenda. Janë dhjetëra mijëra punëtorë që paguhen, janë qindra kilometra rrugë që sistemohen, janë qindra e qindra kilometra linja që shtrihen. Ju keni ngritur çështje shumë serioze, shumë të rëndësishme dhe unë do ti marr një nga një ato.
Së pari nga shumë diskutues del një problem, çështja e lidhjes me rrjetin, paraprirjes së kësaj lidhje nga OST-ja dhe Ente të tjera publike. Ne po kalojmë një ligj, i cili do të detyrojë entet publike të përparësojnë, lidhjet tuaja me rrjetin. Po ndërkohë enti do të marrë porosi të prerë të marrë menjëherë kthesën në drejtimin tuaj, çka do të thotë të rishqyrtojë buxhetin e investimeve për tu dhënë ju përparësi. Kjo do të bëhet. Në një udhëtim në Francë, një kompani që ka ndërtuar në Dardhë, më pyet, do të më lejoni që ta eksportoj? Energjinë tuaj, ju do ta shisni ku të doni, ne po ju qëndrojmë detyrimeve tona, plotësisht por ne qoftë se ju gjeni treg më të mirë, atëherë jeni të lirë. Por ju duhet të dini një gjë, që parimi i kësaj qeverie është liberalizimi i plotë i tregut dhe natyrisht qëllimi është për tu ndihmuar sa më shume brenda ligjeve. Lidhur me zotërinjtë që diskutuan për HEC në Skrapar, që të gjitha do të kenë një porosi të marrin një kthesë rrënjësore. OST të orientojë burimet e saj përparësisht ndaj jush.
Për sa i përket çmimit të energjisë, qëndrimi ynë ndaj jush është inkurajimi dhe sigurimi juaj. Edhe këto dy muaj kemi diskutuar me një nga ekspertët më të mirë që ekziston, të BB për këtë çështje dhe i kemi kërkuar edhe atij ndihmën në mënyrë që të arrijmë në një çmim të ndershëm sepse ju këtë doni, të jemi inkurajues dhe të ndershëm. Dhe ne e shqyrtojmë me përparësi këtë. Për sa i përket çështjes së linjave, ne do të kalojmë ligjin përkatës. Unë jam një njeri që persistoj në ato që përcaktoj. Kemi qëllim që të krijojmë një fond për projektet e energjisë, pasi ju e meritoni plotësisht, atë fond i cili mund të shërbejë si garanci. Në rastin më të parë që kjo qeveri do të mundet, do të përpiqet që tu lehtësojë, sikundër ju garantoj që në çdo rast që ka mundësi unë dhe ministrat lobojmë për financime për ju, private sigurisht. Nuk ka një sektor të dytë që të lobojmë për investime se sa ju.
Për sa i përket Linjës me Italinë, dy, tre vite me parë, diskutimet me Italinë kanë qenë që të ndërtojmë bashkërisht një linjë. Ne nuk ishim në gjendje nga ana buxhetore, por kemi licencuar dy linja Shqipëri-Itali, sikundër në interesin më të mirë tuajin dhe tonin, në rast se e shohim se do të jetë e domosdoshme, ne, si qeveri do të marrim pjesë në ndërtimin e saj, do të kërkojmë në vitet e ardhshme të bëhemi bashkëaksionerë, ta ndërtojmë me tender ose me një kompani tjetër. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të lehtësoheni. Lidhja me Malin e Zi ekziston dhe është e shkëlqyer, është 420 kilovolt, e inauguruar, e standardeve më të mira.
Për sa i përket problemit të vaditjes, unë admiroj debatin dhe dialogun që ju keni me autoritetet lokale dhe komunitetet, është i domosdoshëm dhe e imagjinoj se duhet shumë punë dhe durim për të zgjidhur problemet. Natyrisht do ti kërkoj ministrisë së bujqësisë tu ndihmoj me ato mundësi që ka për të bërë një marrëveshje sa më të favorshme, duke mos harruar asnjëherë se bimët nuk mund ti thajmë, se vaditjen nuk mund të imagjinojmë se mund tua cenojmë fermerëve tanë. Nuk është në interesin e askujt që ujërat të derdhen kot. Nuk janë raste të shumta, por aty ku janë duhet të ulemi dhe të diskutojmë.
Duke u ndalur në problemin që ngritët, për sa i përket faturimit mund tu them se ligji është i gatshëm zotërinj, përfitoni prej tij. Paraqituni, Shqipëria ka dy vjet që ka miratuar ligjin e faturimit. Ai që do të aplikojë do të ketë mbështetjen bazuar në këtë ligj. Do të theksojmë një gjë këtu. Në rastin tuaj do të keni parasysh se kjo është një përparësi madhore dhe se qeveria ka fuqi në të gjitha rastet të aplikojë nacionalizimin për tokën dhe ndërtimi është përparësi absolute, kështu që autoritetet vendore duhet ta kenë parasysh përcaktimin e ligjit për këto raste. Natyrisht do të bëni përpjekjet më racionale për të arsyetuar me to, për të zgjidhur me to, por në çdo vështirësi qeveria do të ndërhyjë në anën tuaj.
Ligji për energjinë e rinovueshme është në shqyrtim e sipër dhe unë mendoj se para se të kalojë në qeveri të diskutohet dhe njëherë me ju në mënyrë që ju të shprehni mendimet tuaja. Kjo është shumë e dobishme.
Lidhur me vështirësitë apo pengesat burokratike që ju hasni gjatë veprimtarisë suaj të përditshme, ju duhet që për secilën prej tyre ta ngrini zërin fuqishëm. Administrata shtetërore është dhe duhet të jetë në funksionin tuaj. Administrata shtetërore ka një qëllim absolut, mbrojtjen e publikut, por duke ju mbështetur ju, e mbron atë shumë më mirë. Për sa i përket çmimit, unë do të kërkoj menjëherë ta shqyrtoj, jam plotësisht dakord. Duhet që të jetë e drejtë dhe jo diskriminues. Jam këtu për tu bërë thirrje se ju jeni kompani me eksperiencë, të shohim, të kalojmë deri në marrëveshje të vogla lagjesh dhe fshati për ndërtimin e tyre (Hec-ve). Nuk po e bëjmë vetëm ne, këtë po e bën Zvicra, një nga vendet më të pasura të planetit, por absolutisht kjo ju jep mundësi komuniteteve të vendosin mbi burimet e vogla, në mënyrë që kur komuniteti e shikon të arsyeshme se ka kosto më të lirë për ta ndërtuar me kontributet e tyre, ne jemi për ti inkurajuar ato. Kemi fiksuar një shifër 443 HEC-e për tu ndërtuar, le të mendojmë edhe për 1200 të tjera, të vegjël.
Këtu unë kërkoj ndihmën tuaj se më mirë se ju askush nuk mund të ndihmojë, ju jeni ekspertë, i keni të gjitha dijet, prandaj përpiquni ta studioni. Nuk duhet të injorojmë as edhe një burim të vetëm ku mund të vendoset turbinë. Shpreh bindjen se qeveria do të bëjë gjithçka që të inkurajojë prodhimin tuaj, do të bëjmë gjithçka që ju të vazhdoni të prodhoni dhe më vjen shumë mirë që të prodhoni turbina.
Lidhur me certifikatën jeshile ne do të diskutojmë seriozisht me qeverinë italianë, por dje në Romë, investitorë italianë më kërkuan mua që të negocioj dhe me vende të tjera si Bullgaria, Rumania, vende të tjera. Nuk do të lemë përpjekje pa bërë që ne të negociojmë më çdo vend të mundshëm për tu mbështetur ju.
Edhe njëherë lidhur me energjinë e erës, ligji i ri i energjisë së rinovueshme do tu japë përgjigje të gjithë atyre problemeve sikundër mendoj se një stimul të veçante për energjinë e erës dhe të diellit ne duhet ta aplikojmë, në tërësi për energjinë erinovueshme. Kur ne hoqëm TVSH për makineritë, ju garantoj se në mendjen time gjëja e parë kanë qenë makineritë tuaja që ju importoni për HEC.
Këtë dialog do ta vazhdojmë por ndërkohë në qoftë se ju keni ndonjë problem të veçantë për kompanitë, ju ftoj ta përcillni dhe ju jap garancinë e plotë se ne do ju mbështesim. Kemi hedhur një hap shumë të madh përpara. Për 30 vite ujërat mbeteshin të fjetura dhe hidheshin në det pa vlerë, ndërsa tani po i zgjojmë po i valorizojmë dhe fakti që në fund të këtij viti arrijnë pa Ashtën, në 110 mega, Hec-et e reja që po ndërtohen dhe Ashta vetë shkon tek 50 mega edhe kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv.
Le ta vazhdojmë këtë përpjekje të madhe në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, por edhe të kompanive tuaja. Kjo është ekonomi tregu dhe ju jeni treguar të guximshëm, keni mobilizuar të gjitha energjitë tuaja, të gjithë burimet tuaja financiare, ndaj dhe unë ju përshëndes, do ta vazhdojmë këtë dialog, por nuk doja ti kaloja në qeveri këto masa pa i diskutuar edhe me ju. Disa çështje që u shtruan do ti shqyrtojmë edhe në një Task Force tjetër të afërt, për të përmirësuar sa më shumë kuadrin ligjor, kushtet në të cilat ju operoni.
08/05/2012