Kryeministri Berisha përshëndet Forumin ekonomik “Shqipëria në Evropë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”

Gjatë vizitës në Romë, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin ekonomik “Shqipëria në Evropë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që u zhvillua në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e 100 sipërmarrësve italianë dhe shqiptarë.
Kryeministri Berisha iu drejtua Forumit me një fjalë, në të cilën bëri një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj.
Forumi u përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme Giulio Terzi di Sant’Agata, i cili falënderoi kryeministrin Berisha për prezencën e një numri të konsiderueshëm sipërmarjesh shqiptare në Forum. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve në shumë fusha me interes të përbashkët, Ministri i Jashtëm italian theksoi se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik. Duke shprehur vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, zoti Giulio Terzi di Sant’Agata theksoi se kompanitë italiane duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofron ky treg dinamik.
Gjatë këtij takimi e mori fjalën edhe Presidenti i Fondacionit Farefuturo, zoti Adolfo Urso, i cili shprehu kënaqësinë për prezencën e kryeministrit Berisha në këtë Forum që do të shërbejë si një mundësi e re, për vendosjen e lidhjeve të bashkëpunimit mes sipërmarrësve italianë dhe atyre shqiptarë, në fusha me interes për vendin.
Zoti Urso u shpreh se tashmë Shqipëria nuk është më vetëm një vend për të investuar apo promovuar produktet italiane, por mbi të gjitha është një vend partner i Italisë. Ai theksoi se në sajë të përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare dhe reformave të zbatuara prej saj, Shqipëria është sot vend anëtar i NATO-s, si dhe një vend i cili po ecën përpara në procesin e integrimit evropian. Zoti Urso e cilësoi Shqiperine si një model rritjeje dhe zhvillimi në zonën e Ballkanit, si dhe vlerësoi reformat politike, ekonomike, privatizimet e rëndësishme, si dhe klimën shumë të mirë ndaj biznesit të huaj, si faktorin kryesor të rritjes ekonomike në Shqipëri dhe mosprekjes nga kriza, ashtu sic ka ndodhur ne vendet fqinje të saj.
Në përfundimit të takimit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Postës shqiptare dhe Postës italiane.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Para së gjithash dua të shpreh mirënjohjen time të madhe ndaj qeverisë italiane, popullit italian për ndihmën e jashtëzakonshme dhe mbështetjen që i kanë dhënë vendit tim gjatë këtyre 20 viteve, në rrugën e vështirë të ndërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë. Raportet tona politike kanë filluar menjëherë pas hapjes së parë, në mos gaboj ka qenë Betino Craxi, kryeministri i parë që unë kam takuar në atë kohë, si lider i opozitës. Po marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shteteve kanë vazhduar pa luhatje, pavarësisht spektrit politik në të dy shtetet dhe sot janë marrëdhënie me të vërtetë të shkëlqyera.
Shqipëria e para 20 viteve dhe Shqipëria e sotme janë dy vende krejtësisht të ndryshme, që përputhen vetëm gjeografikisht. 20 vjet më parë vendi im së bashku me Ugandën dhe Angolën ka qenë vendi i tretë më i varfër në botë me 204 dollarë për frymë në vit. Shqipëria ka pasur një izolim të plotë nga diktatura orëelliane që ka mbizotëruar përgjatë një gjysmë shekulli. Vendi i parë që bëri gjithçka për të lehtësuar këtë vuajtje të jashtëzakonshme të popullit shqiptar ishte qeveria italiane, populli italian, të cilat ofruan dhe shpërndanë ndihma nëpërmjet operacionit Pelikan në çdo fshat të vendit tonë. Pas 20 viteve, Shqipëria i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Pas 20 viteve Shqipëria është mes vendeve që në 5 vitet e fundit ka arritur që në ndonëse në kohëra krize të ketë një rritje ekonomike në këto vite të marra së bashku prej 22 % .
Shqipëria e sotme është një vend ndryshe. Censusi i vjeshtës së kaluar dëshmon se shqiptarët kanë ndërtuar banesa në 10 vitet e fundit, më shumë se sa çdo vend tjetër europian në 30 vite. Shqiptarët kishin në vitin 2001 më pak banesa se çdo vend tjetër europian, ndërsa sot lënë pas, 5 vende të BE dhe anëtare të OECD. Shqipëria ka pasur tregues të krahasueshëm me shumë vende të prapambetura afrikane. Sot, Shqipëria ka tregues njëshifror të mortalitetit foshnjor, ka mortalitet amtar ndër më të ulëtit në botë, ka aksesin më të lehtë në shërbimet shëndetësore në botë, por ka ende një rrugë të gjatë e të vështirë për t’u bërë një vend i zhvilluar. Objektivi ynë kryesor është “Shqipëria - një vend i zhvilluar”. Shqipëria do të bëhet një vend i zhvilluar dhe do të hyjë në BE me pjesëmarrjen e investitorëve italianë para së gjithash dhe investitorëve të tjerë të huaj. Ne kemi nevojë për këto investime të huaja më shumë se çdo vend tjetër. 20 vjet më parë investimet e huaja ishin të ndaluara me Kushtetutë. Ne kemi bërë gjithçka për të krijuara një klimë miqësore ndaj investimeve të huaja në tërësi. Këto përpjekje kanë dhënë rezultate konkrete. Të dhënat e fundit të Kombeve të Bashkuara dëshmojnë se investimet e huaja në Shqipëri nga 2007 deri në 2011 janë rritur me 316%. Të dhënat tona dëshmojnë se eksportet shqiptare nga 2009 deri në 2011 janë dyfishuar. Shkëmbimet me Italinë janë dyfishuar në 5 vitet e fundit. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që ka pasur një rritje të investimeve të huaja gjatë viteve të fundit. Midis investimeve të huaja, të parët janë investitorët italianë që marrin pjesë në zhvillimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë shqiptare. Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë investitorëve italianë që më shumë kurajë kanë vendosur të zhvillojnë projektet e tyre në vendin tim, duke dëshmuar besimin më të madh që mund të tregonin. Unë i siguroj se qeveria ime u është shumë mirënjohëse atyre dhe se do të bëjë gjithçka që projektet e tyre në Shqipëri të jenë një histori suksesi.
Në këto vite kemi bërë përpjekje të mëdha për një mjedis miqësor ndaj investitorëve. Sot vendi im ofron sportel unik, jo vetëm për regjistrimin e biznesit, por edhe për lejet e dhe licencat. Pasi kemi hequr 2/3 e të gjithë lejeve dhe licencave, ato që mbeten do të kalojnë në sportelin unik, për të lehtësuar dhe ndihmuar investitorët. Kemi krijuar një sistem të prokurimeve publike tërësisht on-line, ndër më transparentët në botë. E-procurement është instaluar në vitin 2009. Sot, sipërmarrësit mund t’i paguajnë taksat e tyre on-line. Po krijojmë një sistem gjurmimi që do të thotë se një sipërmarrës mund të ndjekë kudo në administratën e shtetit shqiptar, dokumentin që ai ka paraqitur. Do ta implementojmë së shpejti këtë sistem. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë rrugore moderne. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar më shumë se 10 mijë km rrugë në të gjithë vendin, që i jep mundësi investitorëve të vijnë në Tiranë, nga çdo cep i vendit, në një kohë shumë më të shkurtër, sesa vinin më parë. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë dixhitale. 5 vjet më parë kemi pasur nivelin e penetrimit në internet, ndër më të ulëtit prej 4.8 %, ndërsa sot më shumë se 60% dhe do të kapim e shkojmë edhe më tej se niveli mesatar i BE në këtë tregues.
Të dashur miq,
Këto janë disa nga përpjekjet tona për t’ju ndihmuar, por nuk duhet harruar se do të gjeni në Shqipëri një nga 10 administratat më të vogla në botë dhe ajo që është më e rëndësishmja është një nga 10 qeveritë me ndërhyrjen më të vogël, ndaj biznesit. Ne besojmë në modelin liberal. Ne nuk e kemi humbur besimin në këtë model. Barra fiskale është ndër më të ulëtat në Evropë. Ne do të vazhdojmë të ulim taksat dhe jam absolutisht i bindur se një nga shkaqet më thelbësore të kësaj krize mbetet tek taksat e larta që stimulojnë informalitetin. Edhe duke i ulur taksat, kush mund ta imagjinojë se Shqipëria në 6 vjet ka pasur 7 miliardë dollarë më shumë nga taksat dhe doganat dhe me një taksë të sheshtë prej 10 përqind.
Shqipëri ofron për investitorët italianë mundësi të mëdha për investime. Shqipëri është një vend i pasur në ujëra. Janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale. Vendi im firmosur me sektorit privat ndërtimin e 320 HEC-eve. Ka sipërmarrje italiane që kanë marrë lejen për të filluar punën. Në një kohë shumë të shkurtër, Shqipëria do të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. U kemi dhënë licencat sipërmarrjeve italiane për shfrytëzimin e 1600 megavat energji eolike. Jemi të hapur për energjinë diellore dhe të gjithë potencialet e tjera të energjisë së rinovueshme.
Shqipëria është e pasur në burime natyrore. Pak muaj më parë, kam takuar ish Drejtorin e Përgjithshëm të Rio Tinto, i cili kishte kaluar tre muaj, në malet e Shqipërisë dhe më tha se pavarësisht shfrytëzimit, rezervat e kromit të këtij vendi janë të dimensioneve botërore. Shqipëri është shumë e pasur në bakër, hekur - nikel dhe në vitet e fundit janë gjetur edhe burime të arit dhe platinit. Investitorët italianë janë të mirëpritur. Nga Veriu në Jug, malet e Shqipërisë janë plot me minerale dhe në Jug, gurët më dekorativë për ndërtim që mund të gjenden dhe që eksportohen në Itali.
Të dashur miq,
Shqipëria ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Ky është një vend i vogël, por mund të gjeni trashëgimi kulturore nga më mbresëlënëset, si Butrinti, Gjirokastra, Berat, të gjitha këto të regjistruara nga UNESCO në rrjetin e trashëgimisë botërore, si site kulturore për t’u vizituar. Ujërat e saj nuk mund të gjenden në asnjë vend mesdhetar. Plazhet e saj janë me të vërtete të mrekullueshme. Por Shqipëria është një vend malor, më malori në të gjitha vendet evropiane. Nuk ka majat më të larta, por më të shumtat në numër, duke e bërë Shqipërinë të ketë dyfishin e lartësisë mesatare evropiane, 708 metra. Duke filluar nga ky vit, investuesit që do të investojnë në zonat malore nuk do të paguajë asnjë taksë, për tetë vjet.
Raportet tona politike janë të shkëlqyera. Raportet tona ekonomike po shtohen edhe më shumë. Edhe në dy vitet e fundit ka pasur një rritje prej 40 % të shkëmbimeve, por e vërteta është që potencialet janë për shumë më tepër. Unë ju lutem investitorëve italianë që para se të konsiderojnë Kinën apo Indinë të shohin njëherë nga ky vend i vogël, por plot mundësi, i cili ofron avantazhe të mëdha. Një ditë udhëtoja me një sipërmarrës italian, i cili më tregoi se kishte investuar në Indi. Kur unë e pyeta pse, ai më tha se atje flisnin shkëlqyeshëm anglishten dhe unë i thashë, ejani në Shqipëri, se flasin shkëlqyeshëm italishten.
Në Shqipëri ka një treg pune nga më të favorshmit që mund të imagjinoni, të ri, të arsimuar, që punojnë shumë. Jemi duke krijuar parqet industriale dhe qeveria do të bëjë gjithçka për të krijuar të gjitha lehtësitë.
Edhe njëherë dua të falënderoj të gjithë italianët që kanë investuar në vendin tim, të falënderoj të gjithë ata që kanë ndërmend të ndjekin këtë rrugë dhe t’i risiguroj se ne së bashku do të shkojmë përpara me këtë model, i cili është një model që funksionon. Kemi një borxh publik prej 58%, një deficit prej 3,2%, por kemi mbetur dhe do të qëndrojmë në këto limite. Unë nuk jam një ekonomist dhe ndonjëherë jam dogmatik në ekonomi, besoj në Rregullin e Artë të Ferguson, pra ne do të vazhdojmë të investojmë për të krijuar një mjedis sa më të mirë për ju.”08/05/2012