Kryeministri Berisha flet në mbledhjen e qeverisë për vizitën e zhvilluar në kryeqytetin italian, Romë
Kryeministri Berisha informoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave lidhur me vizitën e zhvilluar në kryeqytetin italian, Romë, dy ditë më parë. Kryeministri bëri një ekspoze të takimeve të zhvilluara me personalitetet më të larta të vendit, Presidentin e Republikës së Italisë, Giorgio Napoletano, kryeministrin Mario Monti, Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fini, si dhe të pjesëmarrjes së tij në Forumin ekonomik “Shqipëria në Evropë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që u zhvillua në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e 100 sipërmarrësve italianë dhe shqiptarë.
Gjithashtu, kryeministri informoi edhe lidhur me takime të tjera, si takimin me Kryetarin e Bashkisë së Romës, me Presidenten e Rajonit të Lazios, apo dhe me shumë zyrtarë, afaristë, presidentë korporatash dhe miq të Shqipërisë.
Duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij dhe të qeverisë shqiptare ndaj personaliteteve më të larta italiane dhe të gjithë mikpritësve, Kryeministri Berisha theksoi se kjo vizitë do ti shërbejë zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, në fusha me interes të përbashkët, si dhe thellimit të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë.
Lidhur me këtë vizitë, kryeministri Berisha u shpreh:
“Rendi i ditës sot është i ngjeshur por unë dëshiroj tu informoj ju dhe qytetarët shqiptarë për vizitën që pata ditën e hënë në kryeqytetin e Italisë në Romë, vizitë në të cilën u prita nga autoritetet më të larta të Republikës Italiane Giorgio Napoletano, Kryeministri Mario Monti, Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fini, si dhe pata një forum shumë të rëndësishëm në institucionin kryesor të industrisë dhe sipërmarrjes së këtij vendi mik që është Confindustria. Këto takime ishin një rast shumë i veçantë për mua ti shprehja Presidenti të Italisë, Napoletano, këtij miku të shquar të Shqipërisë dhe kombi shqiptar, një personalitet me staturë shumë të veçantë, i cili në të gjithë karrierën e tij të rëndësishme politike, qoftë në funksionet e rëndësishme që ka patur në Parlamentin Italian, si ministër i brendshëm në qeverinë italiane dhe tani së fundi si President i respektuar i Republikës Italiane, ka bërë gjithçka për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe kombeve tona, ka bërë gjithçka për të mbështetur shqiptarët, të cilët kanë emigruar në këtë vend mik për arsye tashmë të njohura. Në memorien e shqiptarëve është e pashlyer dekreti tij si ministër i brendshëm për legalizimin e emigrantëve , në tërësi, por shumica ishin emigrantët shqiptarë dhe qëndrimet e tij jashtëzakonisht humane ndaj këtij problemi të ndjeshëm.
Me presidentin Napoletano, diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kombeve tona në fusha me interes të përbashkët, në fushën ekonomike, në arsim, në fushën e shëndetësisë dhe në të gjitha fushat e tjera. Takimi me Presidentin e Republikës Italiane ishte një rast i shkëlqyer për mua, jo vetëm për të shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend i ka dhënë Shqipërisë përgjatë këtyre 20 viteve, por edhe për ta ftuar Presidentin për një vizitë zyrtare dhe miqësore, ftesë të cilën Presidenti e ka marrë dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit për të qenë i pranishëm në rast se do ta lejonte axhenda e tij, në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar apo dhe në çdo ditë të këtij viti, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.
Pata një takim me kryeministrin reformator te Italisë, Mario Monti dhe ekipin e tij, edhe ky takim ishte një rast për mua te shprehja mirënjohjen më te thelle te Shqipërisë dhe shqiptarëve për atë ndihmë të jashtëzakonshme që ky vend mik ka dhënë gjatë këtyre 20 viteve.
Sot është një gjeneratë e re, e cila ka fatin e mirë të mos ketë në memorie fillimin e viteve ’90 kur vendi përjetonte krizën më të thellë humanitare ndofta në tërë historinë e tij. Italia mike u angazhua në një proces ndihmash të fuqishme, të cilat parandaluan një katastrofë njerëzore dhe ndihma të cilat për hir të së vërtetës regjimi që po jepte shpirt nuk po i ndante dot dhe u angazhua qeveria e Betino Kraksit dhe më pas e Xhulio Andreotit të angazhojë një batalion të ushtrisë së tyre, batalionin “Pelikan” për të shpërndarë ato ndihma në të katër anët e vendit. Më vonë ndihmat e kooperacionit italian janë ndihma me te cilat janë zbatuar me qindra e qindra projekte në këtë vend, projekte në të gjitha fushat që kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore jetën e qytetarëve shqiptarë. Ishte prekëse për mua shumë kur kryeministri Mario Monti njoftoi se pavarësisht vështirësive ekonomike me të cilat përballet vendi i tij kanë vendosur të japë një ndihmë tjetër Shqipërisë prej 52 milion eurosh, në kuadër të kooperacionit dhe të marrëveshjes së partneritetit strategjik të firmosur nga qeveritë e të dy vendeve.
Me kryeministrin Monti dhe ekipin e tij diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet në të gjithë fushat për rrugët dhe mënyrat e nxitjes së sipërmarrjes italiane për të investuar në Shqipëri, lehtësirat e domosdoshme për inkurajimin e këtyre investimeve, rëndësinë reale që ka Shqipëria në shkëmbimet ekonomike me këtë vend të madh mik, i cili është një ndër 5-6 vendet më të zhvilluara të botës.
Diskutuam për bashkëpunimin në fushën e energjisë. Italia është një nga tregjet më të mëdha në Evropë të energjisë. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe reale energjetike. Por natyrisht u diskutua edhe për diversifikimin e burimeve energjetike. U diskutua për bashkëpunimin në të gjitha fushat. Ky bashkëpunim në fushën e rendit dhe të sigurisë është i shkëlqyer. Institucionet e zbatimit të ligjit të Italisë i japin një ndihmë shumë të madhe institucioneve tona dhe kanë një bashkëpunim mirëbesimi të përkryer. Njësitë tona në Herat janë të inkuadruara në brigadën “Garibaldi”, një brigadë e cila kryen me sukses të madh misionin e saj në Afganistan. Reputacioni i shqiptarëve është shumë i mirë në Itali. Shqiptarët zënë vendin e parë në studentë e huaj në universitetet italiane 26 mijë studentë, që janë ndër më të shkëlqyerit. Por nga emigracioni janë edhe rreth 26 mijë biznesmenë, një faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Unë e ftova në kuadrin e 100 vjetorit, kryeministrin Mario Monti që të vizitojë Shqipërinë, ndonëse axhenda e tij e ngjeshur e reformave është jashtëzakonisht intensive, një axhendë që ka një reputacion mbarë evropian dhe më gjerë, por kryeministri më premtoi se do të gjejë kohën të vizitojë me kënaqësi Shqipërinë. Më kishte pritur në vitin ’96 në Komisionin Evropian, kur unë isha President. Ndërsa atje u takuam si dy kryeministra të vendeve mike. E kishte dhe kjo një simbolikë shumë të fuqishme. Kryeministri e pranoi ftesën që të vizitojë Shqipërinë.
Unë takova gjithashtu mikun e shquar të Shqipërisë dhe shqiptarëve Gianfranco Fini, ku diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera por hapësirat për thellimin e tyre janë të mëdha, diskutuam për bashkëpunimin parlamentar dhe probleme të tjera.
Në takimet me Presidentin Napoletano, me kryeministrin Monti, me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Fini, një temë e veçantë ishte integrimi i Shqipërisë në BE. Presidenti Napoletano, kryeministri Monti, Kryetari i Dhomës së Deputetëve Fini mbështesin dhe janë thellësisht të interesuar që Shqipëria të arrijë progresin dhe të marrë statusin e vendit kandidat, natyrisht e gjitha kjo mbi bazën e meritës dhe performancës.
Perspektiva evropiane e Shqipërisë është perspektiva më e shkëlqyer e saj, por sigurisht Shqipëria duhet të realizojë reformat për të merituar këtë proces. Unë i njoha miqtë e mi dhe të Shqipërisë me progresin e këtyre muajve të fundit, çka u vlerësua shumë , ndërkohë që progresi i mëtejshëm është i nevojshëm në mënyrë që qeveria dhe autoritetet më të lart të këtij vendi të mund bëjnë avokatinë që duan të bëjnë për marrjen e statusit të kandidatit.
Në Konfindustria u realizua një forum i shkëlqyer biznesi me një pjesëmarrje impresionuese të kompanive dhe sipërmarrjeve italiane dhe biznesmenëve shqiptarë. U ndjeva shumë i nderuar dhe e mora si një vlerësim të madh për vendin tim kur se bashku me mua në panel erdhi edhe ministri i jashtëm italian Giulio Terzi di Sant’Agata dhe zv/presidenit i Konfindustrisë Paolo Zegna, Presidenti i Fondacionit italian “Farefuturo”, zoti Adolfo Urso, një nga miqtë më të shkëlqyer imi dhe i shqiptarëve. Ky ishte një rast shumë i veçante. Ministri i jashtëm Italian u drejtua në mënyrën më ftuese dhe më siguruese, biznesit italian për të investuar në Shqipëri. Po këtë bëri zv/presidenti i Konfindustrisë, zoti Paolo Zegna. Këta zotërinj shprehen vlerësimin më të madh për suksesin e reformave ekonomike në Shqipëri dhe modelin ekonomik të saj. Problemi është se disa më shumë e besojnë kur e thonë të tjerët sesa kur e thonë rëndom këtu brenda vendit. Një vlerësim shumë i madh, “Shqipëria është një nga të paktat vende që nuk pësoi recension dhe ruajti rritjen ekonomike, Shqipëria ka bërë progres të madh”, garantuan audiencën ministri i jashtëm i Italisë dhe zv/presidenti i Konfinduistrisë në rrafshin ekonomik, fiskal dhe në të gjitha fushat. Janë mbi 450 sipërmarrje italiane që operojnë në Shqipëri, hapësirat janë më shumë se për 4500 dhe ne do të bëjmë gjithçka për inkurajimin dhe pjesëmarrjen më të madhe të biznesit italian në këtë vend. Është një rast për të shprehur mirënjohjen më të thelë ndaj mikut tim të shquar Adolfo Urso, ndaj zv/presidenti të Konfindustrisë dhe ministrit të jashtëm për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm që organizuan në mbështetje të Shqipërisë, në inkurajimin e madh të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë qëndrimit atje u takova me kryetarin e bashkisë së Romës, Presidenten e Rajonit të Lazzio, shumë zyrtarë, afaristë, presidentë korporatash dhe miqtë të mi. Edhe njëherë mirënjohjen më të thellë mikpritësve, ambasadorit Massimo Gaiani, së bashku me ambasadorin tonë në Romë për përgatitjen dhe suksesin e kësaj vizite. Dua të falënderoj mediat italiane për vendin që i rezervuan vizitës sime dhe informacionet që ato përcollën, publikut italian mbi gjendjen në Shqipëri, potencialet e mëdha të këtij vendi, klimën e shkëlqyer të biznesit dhe shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm që lehtësojnë investimet në vendin tonë.
Natyrisht nuk arrita të takoj mikun e shquar të Shqipërisë dhe timin pasi ai ishte atë ditë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin, si president, por i përcolla urimet më të mitra dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.
09/05/2012