Kryeministri Berisha: Janë ndërmarrë dhe po ndërmerren operacionet më masive në historinë e vendit, për përballimin me sukses të situatës së dëborës
- Nuk ka shërbim më të mjerë, sesa të vendosesh në funksion të një politike dhe të përpiqesh të mbjellësh në funksion tё saj, tmerr dhe terror, të zhveshur nga çdo lloj morali.
- Qëllimi i parë dhe kryesor i operacioneve të emergjencës është shpëtimi i jetëve njerëzore. Objektivi i dytё madhor është hapja e rrugëve, dërgimi i ndihmave.
Kryeministri Berisha drejtoi sot në mbrëmje, mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave, ku u diskutua për veprimtarinë e deritanishme në përballimin e situatës së krijuar në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, si dhe për të rakorduar hapat e mëtejshëm dhe prioritetet në menaxhimin e situatës në vijim.
Kryeministri vlerësoi kontributin e atyre vet qytetarëve tё zonave tё mbuluara nga dëbora, punonjësit e administratës tё qeverive vendore dhe asaj qendrore, tё Forcave tё Armatosura dhe tё Policisë sё Shtetit, tё drejtorive tё rrugёve, por edhe punonjёs të dhjetëra e dhjetëra kompanive private, të Drejtorisë sё Emergjencave Civile, tё Rezervave tё Shtetit, të sistemit të shëndetësisë, të cilët kanё ndërmarrë dhe organizuar një ndër operacionet më masive në historinë e vendit, për të përballuar me sukses pasojat e një situate dëbore të tillë.
Kryeministri theksoi edhe njëherë se qëllimi i parë dhe kryesor i operacioneve të emergjencës është shpëtimi i jetëve njerëzore. Objektivi i dytё madhor, pas emergjencës mjekësore, është hapja e rrugëve, por edhe dërgimi i ndihmave, përmes helikopterëve dhe mjeteve të tjera të mundshme, për të gjithë qytetarët në nevojë, në çdo zonë.
Kryeministri përgëzoi edhe angazhimin shumё serioz tё qytetarëve tё kёtyre zonave, nё pastrimin e çative tё shtëpive tё tyre dhe inkurajoi vazhdimin e këtij procesi me vendosmёrinё mё tё madhe, si një domosdoshmëri në shmangien e fatëkeqësive.
Duke iu referuar qëndrimit të Kryetarit të opozitës Edi Rama, për këtë situatë, Kryeministri tha se; “nuk ka shërbim më të mjerë, sesa të vendosesh në funksion të një politike dhe të përpiqesh të mbjellësh në funksion tё saj, tmerr dhe terror, të zhveshur nga çdo lloj morali”.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri u shpreh:
“Mblidhemi sot, nё kёtё mbledhje tё Komitetit Ndёrministror tё Emergjencёs, pёr tё bёrё bilancin dhe pёr tё pёrcaktuar detyrat pёr ditёt qё vijnё. Sё pari, dёshiroj tё falёnderoj shumё pёrzemёrsisht ata mijёra burra e gra, qytetarё tё zonave tё mbuluara nga dёbora, punonjёs tё administratёs tё qeverive vendore dhe asaj qendrore, tё Forcave tё Armatosura dhe tё Policisё sё Shtetit, tё drejtorive tё rrugёve, por edhe punonjёs të dhjetëra e dhjetëra kompanive private, të Drejtorisё sё Emergjencave Civile, tё Rezervave tё Shtetit, të sistemit të shëndetësisë, të cilët kanё ndërmarrë dhe organizuar një ndër operacionet më masive në historinë e vendit, për të përballuar me sukses pasojat e një situate dëbore masive, nё mё shumë se gjysmёn e territorit të vendit. Borё qё ka mbuluar në tërësi Europën, ka paralizuar trafikun në vende të mëdha dhe të fuqishme, por, mbi të gjitha, ka shkaktuar mbi 620 viktima dhe numri i tyre vazhdon të rritet.
Dita sot ka qenë më e qetë se dje. Sot, unë kam ndjekur në mënyrë konstante operacionet e kryera në zonën e fatkeqësisë natyrore. Nga Korça në Vermosh, anëtarët e Komitetit kanë qenë gjatë gjithë ditës në krye të detyrës, në qarqet me probleme dëbore. Zoti Nishani ishte në Korçë, Pogradec e Librazhd, zoti Olldashi ishte gjatë gjithë ditës në Kukës, zoti Haxhinasto në Punë, pra, të gjithë anëtarët e Komitetit janë shpërndarë në zona, në mënyrë që të bashkëredojnë më mirë veprimet e ndërmarra në tërë territorin.
Qëllimi i parë dhe kryesor i operacioneve të emergjencës është shpëtimi i jetëve njerëzore. Ky është objektivi ynë i parë dhe më madhor. Vetëm sot, me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, me automjete e me mjete të tjera rrethanore janë transportuar një numër jo i vogël të sëmurësh, mbi 10, janë shpëtuar jetë të kërcënuara. Sikundër sot, pas transportit nga një fshat i Rrapës në spitalin e Pukës, ka ndërruar jetë gjatë dёrgimit të tij nga helikopteri nё spital, një qytetar, nё tё 80-t, i cili vuante nga njё insuficencё kardiake kronike. U bë gjithçka, u ndërmor një operacion shumë i vështirë për të shpëtuar jetën e tij, por sëmundja kronike ishte shumë e avancuar. I shprehim ngushëllimet familjes sё tij.
Ndërkohë, të gjitha emergjencat e tjera akute janë trajtuar me përgjegjësi të madhe. Ministri Vasili do të japë njё raport më të hollësishëm për situatën dhe ndihmën emergjente në tërë territorin, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Përpjekje të mëdha janë bërë për hapjen e rrugëve kombëtare, është siguruar një kalim më i mirë e më i sigurt në rrugën e Kombit, pasi gjatë gjithë natës sё mbrëmshme është punuar me intensitet tё madh pёr tё larguar grumbujt e borёs, në të dy drejtimet e kalimit tё autostradës. Është ecur në aksin Bajram Curri – Fierzë, në të dy drejtimet, në të cilën, siç është njoftuar, kishin rënë 3 ortekë dhe shpresojmë që nesër, ky aks të bëhet i kalueshëm, në mënyrë që Bajram Curri tё ketё jo vetёm rrugёkalimin nga Gjakova, por edhe liqenin, sepse dje pasdite, në zonën përtej Morinës dëbora ishte mjaft problematike. Është punuar intensivisht në aksin Kukës - Peshkopi, në të dy drejtimet, nuk është i hapur, por ka një përparim të madh në largimin e dëborës, në segmente të tëra të këtij aksi. Është punuar dhe po punohet me intensitet në aksin Pukë - Fushë Arrëz, nga të dy drejtimet, nga Fushë Arrëzi dhe Puka. Nesër, ky aks besohet dhe shpresohet se do të jetë i hapur. Po punohet në drejtim të Qafë Malit, natyrisht, sasia e dëborës është shumë e madhe. Po ashtu, po punohet në drejtim të Prekalit dhe është ecur. Sërish Shala, Dukagjini, Vermoshi, Kelmendi, Valbona, Dragobia, Lekbibaj dhe komuna të tjera mё tё largëta tё veriut e verilindjes janë të bllokuara. Janё tё bllokuara komunat midis Kukësit e Peshkopisë, gryka e Drinit, Lura, komunat midis Peshkopisë dhe Librazhdit, janë të bllokuar komunat e Korçës, Ҫlirimi dhe Lekas nё Kolonjё, nuk ёshtё hapur ende edhe pёr 3 kilometra rruga Boboshticë - Dardhë, janë të bllokuara dy komuna të Gramshit. Pra, vëllimi i punimeve sot ka qenë shumë i madh.
Objektivi i dytё madhor, pas emergjencës mjekësore, është hapja e rrugëve. Në këtë përpjekje janë të angazhuar me qindra mjete të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe drejtorive lokale tё rrugёve, tё dhjetra kompanive private, të Forcave të Armatosura dhe mjete të tjera. Dy ditët që vijnë, shpresojmë të jenë si dita e sotme dhe të japin mundësi për një kalueshmëri më të madhe, më të plotë, në këto zona.
Sot, Ministria e Shëndetësisë është marrë intensivisht me urgjencën mjekësore dhe u është përgjigjur në tërësi thirrjeve, ngado që ato kanë ardhur. Ministria e Shëndetёsisё ka përgatitur paketën me medikamente e gjitha mjetet e tjera, të cilat do t’i shpërndajë nesër, në të gjitha qendrat shёndetёsore tё komunave.
Sot ka pasur njё angazhim shumё serioz tё qytetarёve tё kёtyre zonave, nё pastrimin e çative tё shtёpive tё tyre dhe unё i pёrshёndes ata, sikundёr dua t’u rikujtoj se dёbora mbi çatitё e shtёpive tё tyre ёshtё absolutisht rrezik madhor pёr jetёn e tyre e tё fёmijёve tё tyre. Ndaj duhet tё bёjnё çdo gjё pёr sigurinё e tyre mё tё mirё, tё pastrojnё çatitё. Ky proces ka filluar me seriozitetin mё tё madh dhe duhet tё vazhdojё me vendosmёrinё mё tё madhe.
Gjithashtu, janё realizuar njё numёr i madh fluturimesh nga regjimenti i helikopeterёve nё vendit. Janё dёrguar ndihma nё zonat mё nё nevojё. Nga ana tjetёr, ushtria ёshtё pёrgatitur qё tё stacionojё nga aeroporti i Kukёsit dhe i Gjadrit, shpёrndarjen e ndihmave, duke bёrё tё mundur njё numёr shumё mё tё madh fluturimesh drejt fshatrave e komunave tё bllokuara.
Kjo ёshtё situate e sotme, deri 30 minuta mё parё. Komiteti po e ndjek me vёmendjen dhe angazhimin mё tё madh.
Dua t’i falënderoj mediat për pasqyrimin që i bëjnë kësaj situate, sikundër më duhet të them se nuk ka shërbim më të mjerë, sesa të vendosesh në funksion të një politike dhe të përpiqesh të mbjellësh në funksion tё saj, tmerr dhe terror, të zhveshur nga çdo lloj morali. Mё duhet t’i them zotit Edi Rama që bën ciu - ciu nga mëngjesi deri në darkë, emergjencat janë çështje e burrave dhe grave të përkushtuar, të guximshëm, të vendosur dhe kurajozё dhe ti je unik, sot, në Evropën e mbuluar nga bora, je i vetmi qё bёn korbin, je i vetmi që përpiqesh të nxjerrësh kapital politik nga një situatë e tillë, je i vetmi dhe unik që bën kallogjerin, Kasandrën e së keqes, që, në një paranojë enveriane, na thua se pas borës do vijë përmbytja dhe pas përmbytjes do vijë dita e fundit. Ky zotëri ka organizuar një rrjet dizinformimi të paskrupull, ku me telefonata njofton se këtu u shembën dhjetë shtëpi, se katër shtëpi kanë zënë brenda tё gjithë njerëzit e tjerё. Dhe më e keqja ёshtё se, në raportin e tij fatal me vdekjen, ky njeri ka kulturë tё vetme përdhosjen e kodit tё vdekjes.
Sot, nga selia e partisë së tij, ai citonte familjen e një intelektuali të shquar, njё asistent profesori, në Margegaj, sipas të cilit, nёna e tij ka mbetur dy ditë, mbi dhe. Ky ka një pasion të çmendur për tё përdhosur tё vdekurit dhe për t’u marrë me të vdekurit. Ju kujtohet Kosta Trebicka, se ç’bëri me të, apo dhe nё raste të tjera? Nuk i ndërhyhet tjetrit nё fatkeqësi dhe ky zotёri duhet ta dijё se ky kod ёshtё kod tradite. Zonjës, që u bë zëdhënëse e tij, i them se andej nga ajo e ka origjinën, ata e caktojnë vet se sa e qajnë të vdekurin dhe sa e mbajnë të vdekurin. Në këtë kod, disa e mbajnë 24 orё, por të tjerë e mbajnë edhe 2 ditë, edhe 3 ditë dhe ka vetëm një ligj për këtë, ai duhet të respektohet. Ja që ndodhi që nëna e këtij qytetari të nderuar ishte varrosur sipas të gjitha përcaktimeve. Por kjo i duhej Edi Ramës, sepse pasioni i tij i manipulimit me vdekjen është i papërmbajtur. Edhe atëherë kur i përplasin shaminë nё surrat, edhe atёherё kur shpalli tё vrarë Kosta Trebickёn, nuk zё mend. Unё i them se kodin mortor duhet ta respektosh, si kushti më kryesor për të qenë njeri i qytetëruar. Ky kod është përcaktues, ndarës midis njeriut primitiv e njeriut të qytetëruar. Nёse nuk je i zoti tё ndihmosh, atёherё shpif e trillo sa tё duash, por me tё vdekurit mos u merr, leri në paqen që ata meritojnë. Ata nuk mund të bëhen në asnjë rast e në asnjë rrethanë, objekt politizimesh. Rrethanat mund të ndodhin, por duhet të ulesh kokën para dhimbjes njerëzore dhe jo të dalësh çdo ditë, si korb, e të ndjellësh vetëm zi. Dhe kjo ёshtё absolutisht nё kundërshtim flagrant me frymën e socialistëve, nё tё gjithë territorin e veriut dhe të juglindjes, sepse ata, pa as dallim e vetëm, nuk kanë ndasi partiake, por kanë përballë një rrezik dhe vëllazërisht, me përkushtim të madh, po përballen me të, nuk kanë asnjë lloj diference në qëndrimin e tyre ndaj problemeve të krijuara nga moti i madh. Ai duket sikur lexon librat e të atit të tij shpirtëror, i cili thoshte se “ma thotë kjo mendja ime se kështu do të ndodhë”.
Këto i thashë, sepse sot e gjithë Evropa është e mbuluar me dëborë. Vende shumë më të fuqishme se Shqipëria po përballen me pasojat serioze tё këtij dimri, përballen me dhjetëra e qindra viktima dhe nё asnjë vend, askërkund, nuk ka një lider opozite që tё manipulojë me të vdekurit, nuk ka një lider opozite që shkelmon mbi mundin, djersën e sakrificën e mijëra burrave dhe grave që janë angazhuar në këto operacione shpëtimi, operacione ndihme dhe operacione zhbllokimi”.
- Më pas, ministrat dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Ndërministror të Emergjencave bënë me dije veprimet konkrete dhe masat e marra në lehtësimin dhe përballimin e situatës së krijuar në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, nga dëbora e madhe.
Ministri Brendshëm Bujar Nishani tha se plani i masave të ndërmarra është shumë aktiv dhe po zbatohet tërësisht në terren. Ai bëri të ditur se tashmë u bë funksional edhe fondi i vënë në dispozicion nga Komiteti Ndërministror për Emergjencat, për administratat e komunave dhe bashkive, i disponuar vetëm për hapjen e rrugëve në këto komuna, si një nga kërkesat dhe nevojat emergjente të kryetarëve të komunave e bashkive në këto zona. Ai informoi gjithashtu se nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është bërë i mundur edhe përzgjedhja e vendit për dislokimin e ndihmave që do vijojnë të shpërndahen, si një mundësi për më shumë fluturime të helikopterëve, të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave.
Nga ana e tij, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi bëri një panoramë të situatës së rrugëve kombëtare dhe rurale, duke pёrmendur rrugёt që mbeten të bllokuara dhe tё rrugёve që janë zhbllokuar. Ai siguroi se po bëhet gjithçka dhe po punohet me intensitet të plotë, për të mundësuar zhbllokimin e tyre, aty ku është e mundur. Ai vlerësoi se ka një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha hallkat, veçanërisht me forcat e Ministrisë së Mbrojtjes, për të mundësuar hapjen e akseve të bllokuara dhe mbajtjen të hapura të atyre që janë zhbllokuar tashmë.
Ndërsa, Ministri i Shëndentësisë Petrit Vasili raportoi se janë kryer 12 operacione, nё disa prej të cilave nё tentativa të herëpashershme, për shkak të veshtirësive të kushteve natyrore. Kёto operacione, tha ministri Vasili, janë kryer kryesisht për urgjenca kirurgjikale, për nevojat e grave shtatzënë, për rastet e hipotermisë, komdiabetike, etj.. Ministri Vasili theksoi se është marrë në considerate, me shumë përgjegjësi, çdo informacion i ardhur nga të gjitha burimet, për rastet ku ka pasur nevojë për ndërhyrje dhe ndihmë. Gjithashtu janë plotësuar të gjitha paketat e medikamenteve për të gjitha qarqet, sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nё pёrmbushje tё porosisë së Kryeministrit, tha ministri Vasili, janë kontraktuar mamitë e nevojshme në qendrat shëndetësore, ku ato mungojnë. Ai theksoi se do të vazhdohet të punohet me intensitet të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave në vështirësi.
Ministri i Mbrojtjes Imami tha se Forcat e Armatosura vazhdojnë të jenë në gatishmëri dhe numri i forcave të dislokuara për kryerjen e operacioneve është rritur nga 65 në 165.
Gjithashtu, edhe efektivat e policisë së shtetit, siç raportoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Burgaj, ka shkuar në 1500 efektivë, të cilët u janë përgjigjur çdo thirrjeje dhe nevoje për ndërhyrje dhe ndihmë.
Ministri Mediu raportoi se, sipas porosisë së Kryeministrit, janë mbajtur nën kontroll basenet në të gjitha qarqet dhe tha se nuk është evidentuar asnjë rast rreziku për përmbytje.
Nga ana e tij, Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile Alfred Olli tha se e gjithë situata është në kontroll të plotë nga strukturat e grupeve përkatëse të punës. Ai nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me të gjitha strukturat. Duke iu referuar kërkesave të individëve dhe subjekteve private, për të ofruar ndihmë për njerëzit në nevojë në këto zona, ai parashtroi kërkesën për hapjen e një numri llogarie bankare, ku mund të depozitohen këto ndihma.
- Në përfundim të raportimeve të ministrave dhe anëtarëve të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, Kryeministri Berisha theksoi edhe njëherë se përqendrimi total duhet të jetë për emergjencën shëndetësore, sikundër do të bëhet gjithçka që të dërgohen ato ndihma që mund të transportohen në zonat më në nevojë.
“Është një veprimtari shumë intensive, një vëllim shumë i madh dhe një angazhim i përmasave që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në të gjitha nivelet, në radhë të pare, i qytetarëve të këtyre zonave, i autoritete vendore dhe atyre qendrore. Ky angazhim ka bërë që deri më sot të kursehen shumë jetë, deri sot të largohen nga akset kryesore, qindra mijëra metër kub borë, të garantohet kalueshmëria në akset më kryesore, të garantohet me të gjitha mjetet, ndihma mjekësore, emergjenca, por edhe të dërgohen një sasi ndihmash në zonat më në nevojë.
Unë dua t’u bëj thirrje kryetarëve tё komunave, të cilët nuk kanë tërhequr ende shumën e ofruar nga ky Komitet për pastrimin e rrugëve të komunave, ta tërheqin atë dhe të angazhohen me gjithë mundësitë e tyre për hapjen e këtyre rrugëve. Në takimin që patëm në Kukës, kryetarët e komunave dhe që deri dje përfaqësonin komuna të bllokuara, kёtё patën si kërkesë dhe kjo kërkesë, sot është plotësuar tërësisht. Dua t’u bëj thirrje kryetarëve të komunave, kryepleqve të vazhdojnë me intensitet pastrimin e çative nga dëbora, jo vetëm nga ndërtesat private, por edhe ato publike, nga shkollat, kopshtet, ku shkojnë fëmijët e tyre dhe qendrat e tjera.
Edhe një here, e theksoj dy janë rreziqet kryesore në këtë situatë, shembja e çative dhe rënia e ortekëve. Me këtë të dytën, parashikimi është më i vështirë, por, sidoqoftë, për autoritetet vendore dhe për vet banorët janë të njohura zonat ku bien më shumë ortekë, në grykën e Drinit, në Dragobi, në Lekbibaj, pra, janë zona të njohura. Ne duhet të bëjmë gjithçka që nga këto zona të evakuojmë banorët. Lagje të tëra, shtëpi të shkëputura, le të përpiqemi t’i evakuojmë në rastin më të parë dhe t’i vendosim në zona pa rrezikshmëri. Çështja e ortekëve nuk është një problem afatshkurtër, ndaj edhe duhet ta marrim me seriozitetin më të madh. Më mirë së kushdo tjetër këtë fenomen e njohin vet autoritetet vendore, e njohin vetё banorët që e dinë se ku kanë rënë më pare, këto ortekë.
Edhe njëherë, përqendrimi ynë total duhet të jetë për emergjencën shëndetësore, sikundër do të bëjmë gjithçka të dërgojmë ato ndihma që mund të transportohen në zonat më në nevojë.
Dislokimi i njësive të ushtrisë në Kukës përbën një avantazh të madh, sepse nga aeroporti i Kukësit mund të mbulohen shumë mirë komunat e Kukësit, Pukës, Tropojës, Hasit, Peshkopisë, duke kursyer kohë, karburant dhe duke rritur numrin e fluturimeve.
Nesër, përqendrimi ynë total duhet të jetë në akset kombëtare, ndaj duhet të bëjmë gjithçka për vendosjen e kalueshmërisë së tyre. Sërish ka zona problematike, sërish një numër zonash e komunash janë me rrugë të bllokuara, të palidhura me akset kryesore, por drejtim kryesor duhet të jetë hapja e rrugëve kryesore. Është një operacion shumë i vështirë. Në një pjesë të mirë të tyre, fadromat nuk bëjnë asnjë punë, sepse sasia e dëborës është shumë e madhe. Zotërisë që sot thoshte se në Pukë punon vetëm fadroma e Ndue Kolës, unë dua ta falënderoj Ndue Kolën, por ama duhet ta njoftojë zotin Rama se ajo fadromë mbeti tek Pishat, në dalje të Pukës dhe punën e vazhduan traktorët e firmës Velia, pasi fadromat kanë kufizimet e tyre. Edhe njëherë, dua ta falënderoj zotin Kola, sepse ky deputet bëri shumë mirë që e dërgoi mjetin e tij, por është mashtrim, trillim i paskrupullt të mendoje se në rrethin e Pukës ka qene vetëm kjo fadromë. Pra, shkohet deri në gënjeshtra vulgare, sepse atë rrugë, nga Vau i Dejës deri në Pukë, e hapi dikush dhe ka qenë rrugë e vështirë. E vërteta është se po punohet nga Puka në Fushë Arrëz dhe anasjelltas dhe sasia e dëborës është shumë e madhe.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme që keni marrë kripën nga Ministria e Ekonomisë dhe ta depozitoni në qendra prefekturash, në mënyrë që ajo të mund të shpërndahet veçanërisht në akset kryesore.
Ministria e Shëndetësisë po merret me shpërndarjen e paketave të ndihmave shëndetësore dhe dua t’i falënderoj me shumë mirënjohje ekipet e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, për fluturimet e guximshme që kanë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, në ndihmë të qytetarëve në zonat e dëborës”.
14/02/2012