Kryeministri Berisha: 100 vjetori i pavarësisë, të jetë viti i vështrimit objektiv, jashtë çdo manipulimi, të zhvillimeve të një shekulli
Kryeministri Berisha tha se viti i 100 vjetorit të pavarësisë duhet të jetë edhe viti i të vërtetave të historisë, i vështrimit objektiv, jashtë çdo manipulimi, të zhvillimeve të një shekulli. “Le të jetë ky vit inspirues, për të ecur drejt të vërtetave. Të vërteta kombit janë më të rëndësishme dhe duhet të përpiqemi t’i paraqesim siç kanë qenë”. Këtë qëndrim, Kryeministri Berisha e shprehu në Komitetin shtetëror për organizimin e veprimtarive për kremtimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, i cili diskutoi sot për platformën e veprimtarive, të shtrira për gjatë gjithë këtij viti jubilar.
Duke u ndalur në disa momente të rëndësishme historike të këtij shekulli pavarësi, Kryeministri ftoi historianët e studiuesit të vështrojnë me objektivitet, larg klishesë bardh e zi, ngjarje, momente dhe figura të rëndësishme të historisë së këtij shekulli, në të cilin shqiptarët u bënë të pavarur.
“Moment që kërkon një vështrim objektiv – tha Kryeministri - është momenti i luftës çlirimtare, e cila përbën gjithnjë një faqe të ndritur në historinë kombëtare, por ana tjetër e kësaj medaljeje është manipulimi dhe përdorimi i saj edhe kundër atyre që luftuan nën një flamur pa yll të kuq dhe që janë një realitet i pamohueshëm historik.”
Kryeministri konsideroi si një event të rëndësishëm edhe 100 vjetorin e krijimit të Organizatës së shqiptarëve së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vatra, në prill të këtij viti. Kryeministri e cilësoi Vatrën “një avokate të pamposhtur e kombit e vendit të vet, në kombin e vendin më të madh e më të lirë të botës” dhe i propozoi Komitetit që Shqipëria të jetë një pjesëmarrëse e rëndësishme në festimet e 100 vjetorit të kësaj organizate.
Më poshtë, fjala e Kryeministrit Berisha në Komitetin Ndërministror për kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
“Kjo mbledhje vjen si vazhdim i punës së bërë nga të gjitha nëngrupet e këtij Komiteti, për hartimin e një plani veprimtarish të rëndësishme e të domosdoshme për kremtimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Këto veprimtari do të shtrihen në të gjithë vitin, pasi ky është vit jubilar. Ato do të shënojnë ngjarjet e momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, gjer në datën 17 shkurt të vitit 2008.
Në këtë kontekst, është punuar dhe po punohet nga nëngrupet, nga institucionet, nga qeveritë vendore, në një përpjekje për ta shndërruar këtë vit, në vitin e të vërtetave të mëdha kombëtare, gjë për të cilën shqiptarët kanë shumë nevojë, sepse i ka ndjekur një fat i keq manipulimi i historisë, sepse edhe ne, më shumë apo më pak se kombet e tjera, kemi pasur të përpjetat e të tatëpjetat, ngjitje e rënie, suksese e dështime, qëndresa e cedime në rrugën tonë. Ndaj, besoj unë, shqiptarët do të donin që ky të jetë viti i të vërtetave të historisë së tyre, i vështrimit objektiv, jashtë çdo manipulimi, të zhvillimeve të një shekulli, në të cilin shqiptarët u bënë të lirë, të pavarur. Sigurisht në të gjithë këtë proces, rolin në kryesor e kanë studiuesit. Zyrtarët mund të përcaktojnë një protokoll, mund të mbështesin evente, momente, por ato për të cilat ka më shumë etje kombi shqiptar janë të vërteta e tij të pamanipuluara, me qëllimin kryesor për të parë qartë drejt të ardhmes.
Moment që kërkon një vështrim objektiv është momenti i luftës çlirimtare, e cila përbën gjithnjë një faqe të ndritur në historinë kombëtare, por ana tjetër e kësaj medaljeje është manipulimi dhe përdorimi i saj edhe kundër atyre që luftuan nën një flamur pa yll të kuq dhe që janë një realitet i pamohueshëm historik. Ka dy momente shumë të rëndësishme: rivendosja e gjykimit të drejtë historik mbi ta. Në rast se marrim Mbretin dhe gjykojmë qëndrimin e tij, njëlloj si pothuajse të gjithë mbretërit, përveç kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, u larguan për të vazhduar rezistencën nga mërgimi. Por, në fakt, në Shqipëri ata e vazhduan rezistencën deri në minutën e fundit. Është shumë e njohur për shqiptarët se pushka e parë kundër okupatorit ishte e Abaz Kupit dhe qëndroi deri në fund. Mora vetëm një shembull dhe shembuj të tjerë ka plot. Ka edhe një moment më delikat, - sigurisht, këto janë të rëndësishme e duhet të nxirren - është ai i qëndrimit ndaj disa prej këtyre zyrtarëve të lartë që u angazhuan në qeverinë e pushtuesit. Për definicion, ata janë kuislingë dhe kjo është më e thjeshta për t’i shpallur, por miqtë e aleatët e lirisë së shqiptarëve, pas lufte i angazhuan ata në detyra shumë të rëndësishme, për të kontribuar për lirinë e shqiptarëve. Jashtë çdo dyshimi që kuislingët nuk mund të rehabilitohen, por duhet parë në tërësi, se sa ishin kuislingë këto personalitete që më vonë kryesuan forumet më të larta, të përcaktuara nga aleatët për veprime kundër regjimit të Enver hoxhës. Pra, është një thirrje, një ftesë që gjërat të vështrohen me objektivitetin më të madh.
Gjatë luftës ka një moment të jashtëzakonshëm, në raport me tërësinë e vendeve të tjera të kontinentit, që morën pjesë aktive në gjahun kundër hebrenjve, të cilët i paketuan në trena dhe i nisën drejt krematoriumeve dhe dhomave të gazit. Shqiptarët i mbrojtën ata. Është e vërtetë se pati familje shqiptare ndër më bujaret, më të besës, por është e vërtetë edhe se pati zyrtarë të asaj kohe që me të gjitha kompetencat e tyre mbrojtën e nuk lejuan internimin apo masa të tjera kundër tyre. Ndaj kjo periudhë është një periudhë që kërkon shqyrtim objektiv. P.sh. Enver Hoxha fjeti për muaj të tërë, në shtëpinë e Bari Omarit dhe Bari Omarin e dënoi me vdekje, sepse ky i fundit për 3 a 5 muaj u bë ministër. Nuk është se kjo nuk përbën një moment delikat, sepse ata që kanë tradhtuar, kanë tradhtuar dhe ata që kanë bashkëpunuar me okupatorin, kanë problemet e tyre, por gjykimi mbi ta duhet të jetë i emancipuar, i qytetëruar dhe objektiv. Në rast se nazistët do ta dinin se Bari Omari strehonte Enver Hoxhën në shtëpi, ose do ta varnin, ose të tjerët kishin të drejtë të thoshin se do t’ia kishin çuar nazistët, në shtëpi. Ky ishte thjesht një shembull. Këto nuk janë absolutisht çështje të politikës, por të jenë çështje të historisë dhe historianët e studiuesit t’i trajtojnë ato në mënyrën më objektive e të duhur. Është fare e lehtë t’i biem me sëpatë e të funksionojmë me klishenë bardhë e zi, por stadi sot kërkon një qëndrim të qytetëruar.
Këto ditë kremtuam 92 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytetit. Përse ishte vrarë kjo datë e nuk figuronte kund? Kjo vetëm për shkak të një date tjetër dhe për shkak se ata, të cilët kishin qenë protagonistë të asaj ngjarjeje, ishin shpallur më vonë, në një mënyrë a në një tjetër, armiq. Ndaj le të jetë ky vit inspirues, për të ecur drejt të vërtetave. Të vërteta kombit janë më të rëndësishme dhe ato duhet të përpiqemi t’i paraqesim siç kanë qenë.
Në këtë 100 vjetor ka një datë. Në prill të këtij viti, Organizata Vatra ka 100 vjetorin themelimit të saj. Për një shekull, Vatra ka qenë zemër shqiptare që rrahu në liri për kombin e vendin, ka qenë flakë e pashuar e lirisë së shqiptarëve, ka qenë avokate e pamposhtur e kombit e vendit të vet, në kombin e vendin më të madh e më të lirë të botës. Vatra ka pasur në gjirin e udhëheqjen e saj figura ndër më të ndriturat të kombit shqiptar. Ajo ka luajtur rolin e vet në të gjitha momentet, në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, midis shqiptarëve e kombit amerikan. Vatra mbajti gjallë shqiptarinë, vizionin e lirisë së shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e në të gjitha viset, ku ato ndodheshin. Vatranët, si qytetarë të denjë të Shteteve të Bashkuara, u bënë edhe zëdhënësit më të besueshëm të çështjes shqiptare. E vërteta është se 100 vjetori i Vatrës është 100 vjetori i të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ndaj i propozoj këtij Komiteti që, sëbashku me Komitetin që ka organizuar kjo Organizatë për të kremtuar 100 vjetorin, e cila është një datë edhe më e hershme sesa marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në këto festime të jetë një pjesëmarrje të rëndësishme nga Shqipëria, si dhe të bëjmë një kontribut simbolik, në shprehje të mirënjohjes më të madhe ndaj atyre burrave e grave që me dashuri e përkushtim të jashtëzakonshëm bënë gjithçka që shqiptarët të gëzojnë mbështetjen e kombit e vendit të madh të lirisë. E vërteta është se po të shohësh fatkeqësitë tona historike, paudhësitë tona të mëdha, të diktuara nga të huajt e nga vetja, sepse është një mani për t’i larguar të gjitha përgjegjësitë nga vetja e për t’i çuar sa më larg, gjë që nuk shërben shumë, pra, në të gjitha momentet më kritike, ne ia kemi dalë, sepse kemi gëzuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga 1918 deri në 1999 dhe në 2009, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Të gjitha arritjet tona janë bërë realitet për shkak të mbështetjes së këtij vendi e kombi të madh. Natyrisht, Vatra është një simbol i shkëlqyer i kontributit të shqiptarëve të Shteteve e Bashkuara të Amerikës në këto marrëdhënie, por, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ato kanë ndjekur një rrjedhë normale politike diplomatike.”
13/02/2012