E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ligji i ri për sistemin arsimor parauniversitar, zhvillim madhor në reformimin e këtij sistemi

-          Projektligji rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë në shkolla dhe vendos një pozicion të ri për rolin e prindërve dhe nxënësve në sistemin tonë arsimor.

-          Projektligji vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit.

-          Projektligji i kushton një rëndësi të veçante mësimit të dy gjuhëve të huaja dhe parashikon standarde të reja për përgatitjen e mësuesve.

-          Projektligji krijon hapësirat  e mëtejshme për pjesëmarrjen e sektorit privat në edukimin e fëmijëve, përfill një realitet që ekziston , por vendos mbi baza më solide ligjore një realitet të mirëpritur që duhet të konsolidohet.

Kryeministri trajtoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave disa çështje të sistemit arsimor në vend, duke e marrë pikënisjen në projektligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i cili u shqyrtua në këtë mbledhje.

Ky ligj, për të cilin kryeministri theksoi se vjen pas përpjekjesh të mëdha për të konsoliduar sistemin parauniversitar në Shqipëri, është hartuar mbi bazën e parimeve më të avancuara të arsimit në vendet anëtare të OECD dhe anëtare të BE.

Në një historik të shkurtër të zhvillimit të arsimit parauniversitar, Kryeministri tha ky sistem pati një rënie të ndjeshme pas rënies së komunizmit dhe kolapsit që pësoi sistemi i shkollave të mesme bujqësore, rënie e cila kulmoi me braktisjen masive të arsimit, veçanërisht nga arsimtarët, për shkak të rrogave të papërshtatshme.

Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se gjatë këtyre viteve të fundit qeveria ka vendosur në epiqendër të përpjekjeve të saj për zhvillimin e arsimit, mësuesin dhe misionin e tij fisnik. “Rrogat  tyre janë rritur në përqindje, si në asnjë vend tjetër. Shqipëria është ndër vendet e pakta që ka rrogat e mësuesve mbi mesataren ndër shkallaren e rrogave. Rrogat janë rritur nga 2006 deri më sot me rreth 120 %. Kjo ka bërë që nga arsimit të mos largohen, duke ngjallur konkurrencën dhe konsoliduar trupën pedagogjike.” tha kryeministri.

Duke theksuar se Ligji për arsimit parauniversitar parashikon standarde të reja për përgatitjen e mësuesve, kryeministri u shpreh se qeveria do të bëjë gjithçka  për ta shndërruar mësuesinë në profesionin më serioz të shoqërisë. “Për një familje dhe një shoqëri nuk ka asnjë me serioze se sa shkollimi i fëmijëve të tij dhe kjo mund të realizohet vetëm e vetëm tek përgatitja, arsimi , kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve, pasurimi i tyre me arritjet e fundit të dijes, në fushat ku ata mësojnë fëmijët.” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se ky ligj rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë në shkolla dhe vendos një pozicion të ri për rolin e prindërve dhe nxënësve në sistemin tonë arsimor. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se projektligji i kushton një rëndësi të veçante mësimit të dy gjuhëve të huaja, duke i dhënë një frymëmarrje të re këtij dimensioni të rëndësishëm të shkollimit  të fëmijëve në Shqipëri.

Më tej, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Mbledhja e sotme trajton një seri problemesh të rëndësishme , ndër të cilat do të veçoja ligjin re ri për arsimin para universitar.

Ky ligj hartohet mbi bazën e parimeve më të avancuara të arsimit në vendet anëtare të OECD dhe anëtare të BE, pasi Shqipëria ka si projekt kryesor integrimin e saj të plotë në BE dhe shndërrimin e këtij vendi në një vend të zhvilluar. Ligji vjen pas përpjekjesh të mëdha për të konsoliduar arsimin paraunivesitar, i cili e vërteta është se  pësoi një rënie të ndjeshme, pas përmbysjes së sistemit komunist dhe kolapsit që pësoi sistemi i shkollave të mesme të arsimit bujqësor, sistem i cili ishte 8 deri në 9 herë më i madh, se sa ai i shkollave të përgjithshme. Rënia e këtij sistemi që nuk mund të kishte të ardhme pasi ishte i bazuar tek kooperativat dhe fermat dhe bashkë me rënin e tyre, ra edhe sistemi i shkollave bujqësore  të ngritura në çdo lokalitet të vendit, kështu nga 549 shkolla gjithsej, rreth 500 ishin bujqësore, ndërsa 49 ishin shkolla të mesme të përgjithshme, pra kjo rënie krijoi një problem madhor në shkollimin me shkollë të mesme të nxënësve në Shqipëri.

Në vitin 2005, nga ata që mbaronin shkollën 9 vjeçare, vetëm 67 %  ndiqnin shkollën e mesme. Vitet e arsimimit “për frymë” ranë nga 11, 3 në 9,2 , pra pati një rënie, me pasoja jo të vogla, një braktisje masive të arsimit, veçanërisht nga arsimtarët, për shkak të rrogave simbolike të papërshtatshme për ta. Gjatë këtyre viteve, pikërisht për të rritur dhe konsoliduar sistemin e arsimit parauniversitar janë bërë përpjekje të mëdha. Ne kemi shpallur dhe vazhdojmë të shpallim, “Mësuesi në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona”. Në këtë kontekst, rrogat  tyre janë rritur në përqindje, si në asnjë vend tjetër. Shqipëri është ndër vendet e pakta që ka rrogat e mësuesve, mbi mesataren, ndër shkallaren e rrogave. Rrogat janë rritur nga 2006, deri më sot, me rreth 120 %. Kjo ka bërë që nga arsimi të mos largohen më mësuesit. Kjo ka ngjallur konkurrencën dhe ka konsoliduar trupën pedagogjike. Reforma të thella ka njohur botimi i teksteve, shtrirja e internetit në çdo shkollë.

Në një hark kohor të shkurtër, janë arritur disa tregues shumë të rëndësishëm. Vitin e kaluar dhe këtë vit mbi 91 % e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin e detyrueshëm , hyjnë në shkollat e mesme. Ky është një nga treguesit më të lartë, ndër më të lartët dhe kjo është arritur pa e shndërruar atë, në arsimim të detyrueshëm, siç ka bërë ndonjë vend. Po këtë vit, 80 % e atyre që hynë në klasat  e para, kishin bërë një klasë përgatitore në arsimin parashkollor. Objektivi sigurisht që është më i lartë. Por po punohet me intensitet që edhe ky tregues të kapë mbi 90 % . Janë  bërë përpjekjet për kualifikimin më të mirë të mësueseve, janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1200 shkolla dhe vazhdon ndërtimi dhe rindërtimi i shumë të tjerave. Këto të gjitha përbëjnë një bazë solide për ligjin e ri që ne  vendosim sot në qeveri.

Ky ligj vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit. Ky ligj do të bazojë këtë arsim në dy disiplinat më kryesore, gjuhën amtare, leximin, matematikën. Ky ligj krijon të gjithë prerogativat për një zgjerim të shpejtë të arsimit parashkollor. Edhe ky arsim i një rëndësie të veçante për formimin e nxënësve.

Ligji parashikon nxitjen, krijimin, inkurajimin  e ekselencave. Ato janë një mendje  e veçante për të cilën shoqëria , sistemi arsimor duhet të ketë kujdesin e veçante. Ligji i arsimit parauniversitar parashikon standarde të reja për përgatitjen e mësuesve. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta shndërruar mësuesinë në profesionin më serioz të shoqërisë. Për një familje dhe një shoqëri nuk ka asnjë me serioze se sa shkollimi i fëmijëve të tij dhe kjo mund të realizohet vetëm e vetëm tek përgatitja, arsimi, kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve, pasurimi i tyre me arritjet e fundit të dijes, në fushat ku ata mësojnë fëmijët.

Ligji rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë në shkollat tona, vendos një pozicion të ri për rolin e prindërve dhe nxënësve në sistemin tonë arsimor. Projektligji i kushton një rëndësi të veçante mësimit të dy gjuhëve të huaja. Është dhe ky një dimension tjetër i shkollimit të fëmijëve në Shqipëri. Shqiptarët për definicion janë poliglotë të lindur. Askush nuk ka aparatin e të folurës më të përshtatshme, për të folur me shpejtësi çdo gjuhë, se sa shqiptarët. Qoftë kjo, për grupin anglosakson, neolatin, grupin  kinez, sllav, etj dhe pikërisht në këtë buron edhe fakti i pasionit të tyre për gjuhët  e huaja. Dhe është një nga mençuritë më të mëdha të qytetarëve të këtij vendi, të cilët e nisin njohjen me qytetërimin, me kombet me vendet  e tjera, pikërisht nëpërmjet gjuhës, ndaj dhe parashikon gjuhën e parë dhe të dytë në sistemin  parauniversitar. Natyrisht e para është miratuar me ligj, por nuk duhet harruar se shqiptarët janë frankofonë, janë fluentë në italisht, duhet të hapen më shumë ndaj spanjishtes, ndaj gjermanishtes, por edhe ndaj gjuhës kineze, si gjuhë e dytë. Sistemi ynë arsimor duhet të pasqyrojë botën në të cilën jetojmë dhe kjo botë flet vetë, ndaj dhe është e domosdoshme që në sistemin tonë arsimor në përqindje të caktuar, krahas gjuhëve të tjera të mëdha, detyrimisht të jetë si e dytë edhe gjuha kineze. Një mik i imi do të më thoshte se - kur vjen puna për ta folur shqiptarët janë të parët që e flasin më mirë këtë gjuhë-, ndaj dhe le të bëjmë ne përshtatjen me realitetin, të hapet hapësire për gjuhë të dytë spanjolle, italisht, gjermanisht dhe gjuhen kineze, detyrimisht si gjuhë  e dytë.

Projektligji krijon hapësirat  e mëtejshme për pjesëmarrjen e sektorit privat në edukimin e fëmijëve tanë dhe kjo mendoj se është një risi e domosdoshme, përfill një realitet që ekziston, por vendos mbi baza më solide ligjore, një realitet të mirëpritur që duhet të konsolidohet.

Sot, në shumë aspekte hidhen themelet, të cilat shumë vite më vonë do të faktohen se sa të dobishme janë. Nuk është e rastit që në vendin më të zhvilluar të botës, kontributi i sektorit privat në arsimimin e fëmijëve të kombit amerikan është më i madh se në çdo vend tjetër të botës. Shembullin e mirë gjithmonë duhet ta marrim. Ka edhe disa risi të tjera, kështu sanksionon në përputhje me praktikat e vendeve anëtare të BE, të drejtat dhe detyrimet e nxënësve dhe prindërve. Kjo i jep një bazë, një shkollimi të qytetëruar. Nuk mund të cenosh të drejtat e nxënësve sipas oreksit apo gjendjes tënde shpirtërore. Ai trajtohet me dinjitet të plotë dhe respekt të plotë të të drejtave të tij. Dhe ligji e sanksionon këtë. Ligji sanksionon të drejtat e prindërve.

Mendoj se ky ligj përbën një zhvillim madhor në reformimin  e arsimit parauniversitar , arsim kryesor për çdo komb të zhvilluar. Vendimi me arsimin universitar më të lartë në botë, janë SHBA-të me 32 % diplomimin në universitete, por kanë mbidyfishin diplomat e shkollave të mesme.

Ligji merr parasysh gjithashtu zhvillime të rëndësishme në drejtim të arsimit profesional. Me vështirësi, por fatmirësisht po ecet dhe ky vit ka shënuar rritje të ndjeshme me 11 % të numrit të nxënësve të shkollave profesionale. Në qoftë se ne në përqindjen e nxënësve që kalojnë nga arsimi i detyruar në shkollat e mesme kemi një nga treguesit më të lartë në Evropë dhe në botë me 91 %, ne nuk e kemi mirë treguesin e raportit mes shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre profesionale, i cili është pothuajse 1 me 1 ne vendet e zhvilluara perëndimore. U përpoqëm të adaptojmë stimuj dhe ne japim bursë për të gjithë ata që ndjekin shkolla profesionale dhe fatmirësisht këto stimuj dhe përpjekje të tjera kanë dhënë efekt. Rritja me 11 % e nxënësve në këto shkolla është shumë premtues dhe ky është një kusht i domosdoshëm për përshtatjen e arsimit ndaj tregut.


15/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›