Kryeministri Berisha: Qeveria do të bëjë gjithçka për të lehtësuar strehimin e qytetarëve, për ta bërë atë gjithnjë e më të mundshëm e më cilësor
- - Do të hapet një hapësire tjetër për ndërtimin e banesave sociale, në bashkëpunim me ministrinë, por edhe direkt nga autoritet vendore.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u shqyrtua Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar.
Duke vlerësuar rëndësinë e tij, kryeministri Berisha u shpreh se me këtë projektligj ridimensionohet problemi i detyrimeve të shtetit për strehimin e qytetarëve.
Kryeministri u shpreh se në 10 vjeçarin 2001-2011 është shënuar një nga arritjet më të mëdha për Shqipërinë, lidhur me çështjen e strehimit. “Shqiptarët, në vitin 2001, kishin banorë për një banesë ose banesa për 1000 banorë, më pak se të gjithë kombet e tjera në vitin 1980 dhe nuk afroheshin me asnjërin prej kombeve evropiane. Ndërsa në 10 vjet (2001-2011) ndërtimi i banesave nga shqiptarët është më i madh se i të gjitha kombeve të tjera evropiane, përveç lituanezëve, në 30 vjet të marra së bashku.” evidentoi kryeministri.
Por, kryeministri theksoi se “me gjithë këtë zhvillim, ndër më të vrullshmit që mund të imagjinohej, nëpërmjet këtij ligji , qeveria do të bëjë gjithçka për të lehtësuar strehimin e qytetarëve të këtij vendi, për ta bërë atë gjithnjë e më të mundshëm, gjithnjë e më cilësor.”
Kryeministri bëri të ditur se do të hapet një hapësire tjetër për ndërtimin e banesave sociale, në bashkëpunim me ministrinë, por edhe direkt nga autoritetet vendore. Në këtë kontekst, kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që ky proces të ecë me ritme të shpejta, duke i dhënë vendit nivele të reja zhvillimi.
Duke folur për këtë projektligj, kryeministri u shpreh:
“Një ligj tjetër i rëndësishëm amendohet, ligji për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane. Ridimensionohet kështu problemi i detyrimeve të shtetit për strehimin e qytetarëve.
Zotërinj ministra, të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë mbledhje kabineti,
Një nga arritjet më të mëdha në historinë e këtij kombi, është shënuar në 10 vjeçarin 2001-2011. Shqiptarët, në vitin 2001, kishin banorë për një banesë ose banesa për 1000 banorë, më pak se të gjithë kombet e tjera në vitin 1980 dhe nuk afroheshin me asnjërin prej kombeve evropiane. Ndërsa nga viti 2001 në vitin 2011, pra në 10 vjet ndërtimi banesave nga shqiptarët është më i madh se i të gjitha kombeve të tjera evropiane, përveç lituanezëve, në 30 vjet të marra së bashku. Shqiptarët, në këtë 10 vjeçar ia dolën të kenë një banesë për 2,6 banorë ose 381 banesa për 1000 banorë dhe të lënë mbrapa në këtë tregues themelor zhvillimi, 5 kombe anëtare të BE.
Megjithë këtë zhvillim, më i vrullshmi që mund të imagjinohej, nëpërmjet këtij ligji, qeveria do të bëjë gjithçka për të lehtësuar strehimin e qytetarëve të këtij vendi, për ta bërë atë gjithnjë e më të mundshëm, gjithnjë e më cilësor.
Hapet një hapësire tjetër për ndërtimin e banesave sociale, në bashkëpunim me ministrinë, por edhe direkt nga autoritet vendore. E vërteta është se me këto ritme ndërtimi është fare e afërt koha kur Shqipëria të renditet e para, për sa i përket strehimit dhe ndërtimit të banesave, e cila që kur doli njeriu nga shpella, e deri më sot është pasuria e tij kryesore. Pra, do të bëjmë gjithçka që të mundim që ky proces të eci dhe jam i sigurt se është shumë e shpejtë dita që, kur Shqipëria, e cila sot ka kapërcyer 5 kombe vende anëtarë të BE dhe OECD, shumë shpejt do të kapërcejë edhe 10 të tjera së paku, ndaj edhe ky ligj merr një rëndësi shumë të veçantë.”
15/02/2012