E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron nënat dhe gratë për 8 Marsin: Nëna arkitektja e identitetit tonë kombëtar

Kryeministri  Berisha uroi sot të gjitha gratë dhe nënat shqiptare me rastin e festës së 8 Marsit.  Në një aktivitet të organizuar në Pallatin e Kongreseve nga Kryetarja e Parlamentit  zonja Jozefina Topalli me temë “Gruaja në 100 vjet pavarësi”, Kryeministri Berisha shprehu nderimin dhe përuljen e thellë për të gjitha nënat dhe gratë shqiptare. "Shpreh privilegjin e veçantë të përulem me nderimin tim më të madh, së pari para bashkëshortes sime, para te gjitha atyre vajzave dhe grave me të cilat bashkëpunova dhe bashkëpunoj në punën time ”.

Kryeministri ka vlerësuar lart figurën e gruas dhe nënës shqiptare duke e cilësuar  atë si arkitekten e identitetit tonë kombëtarë.  “Nëna është burimi i jetës.  Për ne shqiptarët, një komb ndër më të lashtët në planet, nëna është arkitektja e identitetit tonë kombëtarë. Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mënxyra dhe pushtime shekullore, ne lindëm shqiptare dhe vdiqëm shqiptarë, falë moralit të grave dhe nënave shqiptare.  Ndaj dhe sot në këtë 100 vjetor, nderimi më i madh ju përket, grave dhe nënave shqiptare” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri  tha se, në  100 vjet përpjekje të jashtëzakonshme mbinjerëzore për liri dhe dinjitet, nënat kanë qenë  faktor vendimtar  të  ndryshimeve në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarë.

Kryeministri shprehu një mirënjohje të veçantë për të gjitha ato nëna dhe gra, vajza dhe motra, të cilat në vitet ’90 me guximin e tyre, me virtytet e tyre ishin të parat që u vërsulën për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që Europa kishte njohur në tërë historinë e saj.

Kryeministri, ju ka kërkuar grave dhe vajzave, nënave dhe motrave të mos  ndalojnë në përpjekjen e tyre për të realizuar barazinë gjinore. “Për të realizuar këtë, - u shpreh Kryeministri, -ne kemi jo pak pengesa dhe vështirësi dhe pengesa më e madhe është muri i patriarkisë, është muri i ngritur, në mijëra e mijëra vite, është muri i çimentuar me doktrina nga më të gabuarat, është mur, që sot në çdo vend të lirë dhe aq më shumë në Shqipëri, përbën dhe dhunuesin kryesor  të lirive dhe drejtave të grave e vajzave tona”.

"Frymëzim që gratë dhe vajzat shqiptare nuk mund ta gjejnë askush më mirë sesa tek shqiptarja e madhe me trup te vogël, Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza.  Le t’ju frymëzojë pra ju ,të dashura nëna dhe motra, vajza dhe gra, forca e jashtëzakonshme e shpirtit  të Gonxhe Bojaxhi  për ta bërë shoqërinë shqiptare më të drejtë, më të ndershme më të barabartë, më humane, më të njerëzishme , me të sigurt” u shpreh Kryeministri.

 Më gjerësisht Kryeministri në fjalën e tij u shpreh: 

 “Të dashura zonja e  zonjusha,  vajza, gra, nëna, motra të pranishme në  këtë  sallë dhe kudo që ndodheni  sot në Shqipëri.

 E nderuar zonja Kryetare  e Parlamentit.

 E nderuar zëvendëskryeministre Republikës së Kosovës.

 Zonja Bregu.

 Të  nderuara  deputete.

Është një privilegj i veçantë për mua të përulem sot me nderimin tim më të madh, së pari para bashkëshortes sime, para të gjitha atyre vajzave dhe grave, me të cilat bashkëpunova dhe bashkëpunoj në punën time.  Para jush, para çdo gruaje dhe vajze e nënë shqiptare, ju për çdo vend, për çdo individ, për çdo komb, nëna është burimi i jetës.  Për ne shqiptarët, një komb ndër më të lashtët në planet, nëna është arkitektja e identitetit tonë kombëtarë. Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mënxyra  dhe pushtime shekullore, ne lindëm shqiptare dhe vdiqëm shqiptarë, falë moralit të grave dhe nënave shqiptare.  Ndaj dhe sot në këtë 100 vjetor, nderimi më i madh ju përket, grave dhe nënave shqiptare.

100 vjet, përpjekje të jashtëzakonshme mbinjerëzore për liri dhe dinjitet.  Në çdo moment, në çdo rrethanë, në krye të sakrificës kanë qenë gratë dhe nënat shqiptare.  Kanë qenë ato, të cilat së bashku me qumështin ju mëkojnë vajzave dhe djemve të tyre, dashurinë e pakufishme për kombin dhe vendin. Ato kanë qenë dhe janë faktor  vendimtarë i ndryshimeve të mëdha, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarë.  Por unë, dua të shpreh një mirënjohje të veçantë këtu, për të gjitha ato qindra dhe mijëra vajza dhe gra shqiptare, që në vitet  ‘90 me guximin e tyre, me virtytet e tyre, ishin të parat që u vërsulen për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që Europa kishte njohur ,në tërë historinë e saj.

Zonja Topalli, bëri këtu fjalë për gjysmën, nuk shtoi tjetrën, gjysmën më të mirë, më të arrirë të familjes, të shoqërisë, të kombit.  Ishit  ju, nënat dhe motrat, vajzat shqiptare, që me një vendosmëri të madhe u shndërruat  në faktorin kryesor të përmbysjes së diktaturës.  Jeni ju, që së bashku me djemtë dhe vajzat tuaja, keni përcaktuar çdo fitore të demokracisë këto 20 vite.  Jeni ju vajzat dhe gratë shqiptare, që sot në të gjitha fushat shkëlqeni dhe përbëni elitën e mrekullueshme të kombit shqiptarë.

Sot, kudo ju jeni  historira të vërteta suksesi. Në parlament, në qeveri, në administratë, rroli dhe kontributi juaj në reformat dhe transformimet e vendit ka qenë dhe mbetet përcaktues. Rroli juaj në drejtim të biznesit vjen gjithnjë duke u rritur.  Zërat tuaj kanë magjinë artistike, ndaj dhe ju kryesoni në këngë, në art dhe kudo. Sot, gratë dhe vajzat shqiptare, janë frymëzuese në shkencë, në biznes, në botën akademike dhe në çdo fushë tjetër.

Zonja dhe zonjushe, nëna dhe motra, vajza dh gra.

Arritjet e këtyre viteve janë të pamohueshme , nuk po ndalem këtu të citoj statistika që dëshmojnë arritjet tona të mëdha në përpjekjen për të realizuar barazinë gjinore.  Nuk po ndalem këtu të paraqes një bilanc statistikor për kontributin tuaj të jashtëzakonshme, pas, në këtë fushë statistika më e saktë e botës mbetet në klasë, se ajo që bëni ju, me zemrën tuaj, me shpirtin tuaj fisnik, nuk mund të matet  me asgjë.

Ndaj dhe sot, mbetet kryesore për familjen, për shoqërinë, për kombin, të ngremë në tërësi shoqërinë familjen dhe kombin tonë, në lartësinë e virtyteve tuaja morale, në lartësinë  e moralit tuaj.  Për të realizuar këtë, ne kemi jo pak pengesa dhe vështirësi dhe pengesa më e madhe është muri i patriarkisë, është muri i ngritur, në mijëra e mijëra vite, është muri i çimentuar me doktrina nga më të gabuarat, është mur, që sot në çdo vend të lirë dhe aq më shumë në Shqipëri, përben dhe dhunuesin kryesor  të lirive dhe drejtave të grave e vajzave tona.

Unë ju bëj thirrje ju mos e prisni dhuratë rrëzimin e tij nga djemtë, bashkëshortët apo meshkujt ë tjerë të familjes suaj.  Në radhë të parë ju, duhet të vendosni të angazhoheni në një betejë të madhe, në një beteje historike, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave tuaja. Është ky mur, që gjeneron dhunë ndaj jush, është ky mur, që gjeneron diskriminim ndaj jush, është ky mur, që mban shoqërinë tonë të pa barabartë.

Në çdo fushë, në çdo gjë, sigurisht që janë një kompleks rrethanash që veprojnë, por për të përformuar për të arritur për te realizuar, nuk ka asgjë më të rëndësishme se frymëzimi, njeriu i frymëzuar është grua, burrë, djalë, vajzë me fuqi të shumëfishuara.  Asnjë vajzë, as edhe një grua në Rajon në Europë apo në Botë, nuk ka burimin e frymëzimit që kanë gratë dhe vajzat shqiptare tek Gonxhe Bojaxhi.

Kjo grua shtat vogël, por me një zemër dhe shpirt të madh sa mbarë njerëzimi, meritojnë me forcën e virtytit të shpirtit tuaj, titullin më suprem të të gjitha kohërave Nënë Tereza e mbarë njerëzimit.  Le t’ju frymëzojë pra ju ,të dashura nëna dhe motra, vajza dhe gra, forca e jashtëzakonshme e shpirtit  të Gonxhe Bojaxhi  për ta bërë shoqërinë shqiptare më të drejtë, më të ndershme më të barabartë, më humane, më të njerëzishme , me të sigurt.

Nder të madh për ju, për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare kudo që janë sot.

Gëzuar !”


08/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›