E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Kemi zhdukur monopolin e naftës

- “Përtej 1 janarit 2010, në përputhje me vendimin, nuk do të ketë në treg as edhe një litër naftë D2 në Shqipëri.”

Kryeministri Berisha u shpreh sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se qeveria ka zhdukur monopolin e naftës dhe pretendimet e opozitës në këtë drejtim janë tërësisht të pabaza.

“Pretendimet e opozitës dhe të kujtdo tjetër se ne kemi vendosur apo po pranojmë monopolin e naftës D2 janë absolutisht të pabazuara. Në fakt është e kundërta, ne kemi ndaluar ARMO-n që e prodhon naftën, ta shesë vetë në treg, por të jetë e detyruar t’ia shesë me çmimin e bursës të gjitha kompanive të tjera tregtare të naftës, sipas përqindjes që ato zënë në treg. Nuk e mohoj se ne kemi ndaluar importin e naftës D2 dhe këtë e kemi bërë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Dhe nga data 1 janari i vitit 2010 nuk do të ketë më naftë D2 në qarkullim. Këtë vit, ndalojmë rreth 240 mijë ton import të naftës D2. Në tregun shqiptar vinte kryesisht naftë D2 dhe shumë pak naftë D1. Shqiptarët nuk kanë pse të dënohem me squfur. Shqipëria sot, ndonëse nuk ka dalë nga problemet, nuk është kurrë ajo që ka qenë më parë. Prandaj ne kemi marrë një vendim shumë të drejtë. Kemi bërë një diferencim midis prodhimit vendas dhe atij të importit, por këtë e kemi bërë sepse çdo shtet, në një mënyrë apo tjetër, përpiqet të nxisë prodhimin vendas. Dhe kjo vetëm për një vit. Përtej 1 janarit 2010, në përputhje me vendimin, nuk do të ketë në treg as edhe një litër naftë D2 në Shqipëri. Kur e premtuam këtë dy vjet më parë, u duk e pabesueshme. Por ne kemi një avantazh, në tërësi një mjedis të pastër. Ata që dalin e mbrojnë naftën D2, në vend që të duartrokasin qeverinë për vendimin, bëjnë të kundërtën. Ajo që i intereson më shumë, qytetari apo lobimi, këtë e dinë vetë. Ne kemi zhdukur monopolin dhe nuk jemi dakord të ndotet mjedisi. Nafta D2 ka një përqindje squfuri nga 300 deri në mbi 2000 miligram, përveç produkteve të tjera hekzogene, të gjitha me potencial të faktuar kanceroz nga gazrat që çliron,” u shpreh Kryeministri.


14/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›