E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn.
Pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e dytë të z. Asselborn në Shqipëri, vizitë e cila dëshmon miqësinë dhe interesin e tij për vendin tonë.


Kryeministri vlerësoi se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të një niveli të shkëlqyer, ndërsa shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën që Kryeministri i Luksemburgut u ka dhënë dy projekteve të shekullit për shqiptarët; integrimit në NATO dhe në BE.
Duke e vënë theksin në rëndësinë e rritjes së investimeve luksemburgase në Shqipëri, Kryeministri Berisha e njohu

Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Dukatit të Madh të Luksemburgut me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e barrës fiskale.

Reformat, tha Kryeministri Berisha, kanë dhënë frytet e tyre. “Kemi një sistem me ngarkesën fiskale më të ulët në Europë, kemi rritur me 22 % të ardhurat dhe kemi dërguar në parlament çdo vit një buxhet të dytë. Kemi çliruar biznesin nga pengesat burokratike. Vitin e kaluar Shqipëria zuri vendin e dytë në botë për reformat ekonomike”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Gjithashtu Kryeministri e vuri theksin në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investime në energjetikë, turizëm dhe miniera.
Kryeministri vlerësoi më tej se nga ana politike viti 2008 ishte viti i reformave të mëdha. Me konsensusin e opozitës u miratuan reforma elektorale, reforma kushtetuese, ligji për prokurorinë dhe ligji për gjyqësorin.

Nga ana e tij Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Dukatit të Madh të Luksemburgut, z. Jean Asselborn tha se që nga vizita e tij e parë në vitin 2006, vihet re një ndryshim i madh për shkak të zbatimit të suksesshëm të reformave. "Europa ju përgëzon për arritjet tuaja", tha z. Asselborn duke vlerësuar reformat ekonomike, vendosjen e taksës së sheshtë, dhe angazhimin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe informalitetit.


Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Dukatit të Madh të Luksemburgut tha se janë nënshkruar dy marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për trajnimin e bankierëve dhe diplomatëve të rinj, ndërsa theksoi se do të nxiten kontaktet mes dhomave të tregtisë.

Z. Asselborn shprehu mbështetjen e plotë të Luksemburgut për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se vendi i tij do të ratifikojë Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO para muajit prill.

Kryeministri Berisha duke e falenderuar Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Dukatit të Madh të Luksemburgu për ndihmën dhe mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë, tha se reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme performancën e Shqipërisë.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se pala shqiptare do të paraqesë aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE, pas konsultimeve që do të bëjë me Komisionin Europian për këtë çështje.      
         
                        


14/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›