Kryeministri Berisha: Ndërtimi i Boshtit të Jugut, projekt kryesor për katër vitet e ardhshme
-Kryeministri u shpreh se me ndërtimin e Boshtit të Jugut kompletohet ndërtimi i rrugëve zhvillimore në vend
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi "Projekt-idenë e studim fizibilitetit dhe projektzbatimit të rrugës Lushnjë-Berat".
Gjatë diskutimit për ndërtimin e kësaj rruge, Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë rëndësinë që ka ndërtimi i Boshtit të Jugut. “Në mënyrë të përsëritur, dhe së fundmi sot, i kam ngarkuar detyrë pothuajse emergjente ministrit të Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit të nisë menjëherë projektin e Boshtit të Jugut në segmentin Elbasan- Berat. Në këtë mënyrë, po mundëm, të nisim brenda këtij viti ndërtimin e Boshtit të Jugut”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në vazhdim, Kryeministri theksoi se “ndërtimi i Boshtit të Jugut do të jetë projekti kryesor në katër vitet që vinë, në rast se qytetarët shqiptarë votojnë për këtë mazhorancë, por besoj se çdo shumicë do ta konsideroj të dobishëm ndërtimin e saj”.
Kryeministri u shpreh se me ndërtimin e Boshtit të Jugut kompletohet ndërtimi i rrugëve zhvillimore në vend. “Berati me Tiranën do të komunikojnë me një rrugë të re, ndërtimi i së cilës do të nisë brenda këtij viti. Ndërtimi i rrugëve të shkurtra është një politikë kombëtare”, u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në projekt-idenë e rrugës Lushnjë-Berat, Kryeministri Berisha u kërkoi që kur është e mundur të kursehet toka bujqësore. "Duke mbetur gjithnjë i vendosur për pikat më të shkurtra, atëherë kur është e mundur ne do të kursejmë tokën bujqësore ", tha Kryeministri, duke shtuar se në tërësi rrugët që po ndërtohen nuk dëmtojnë sipërfaqe të mëdha toke bujqësore.
13/01/2009