E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Këtë vit e kemi shpallur vitin e finalizimit të arritjes së Shqipërisë dixhitale

-         - Qëllimi kryesor i projekteve të dixhitalizimit është që të gjitha sistemet të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo ambient ku kërkohen

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim të zgjeruar me ministra të kabinetit qeveritar dhe me drejtorët e agjencive kryesore dhe institucioneve që kanë në zbatim projekte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimit.

Kryeministri Berisha tha se kjo mbledhje vjen si domosdoshmëri e koordinimit të punës ndërmjet të gjitha ministrive, agjencive dhe strukturave në këtë fushë, për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore të secilit prej tyre që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Nisma e Partneritetit për Qeverisje të  Hapur ka rreth 46 objektiva dhe ka si shtyllë kryesore dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., duke bërë disponibël të dhënat e agjencive përkatëse, në një sportel të vetëm.

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se po punohet për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike, pasi ai harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, shërbimet midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.

Kryeministri theksoi se kjo kërkon vullnet dhe çdo sistem që ngrihet në të gjitha agjencitë, duhet të ketë si kërkesë bazë përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktivitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen.

Më pas, Kryeministri renditi një sërë detyrash specifike të secilës ministri apo agjenci në këtë drejtim.

Duke vlerësuar punën e bërë nga çdo strukturë dhe duke shprehur besimin për finalizimin me sukses të këtij procesi, Kryeministri u shpreh se nuk ka dhuratë më të bukur që mund t’i bëhet Shqipërisë e shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, sesa realizimi i Shqipërisë dixhitale.

Në fjalën e plotë të tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Ky takim i zgjeruar thirret për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore, të çdo ministrie, të çdo agjencie, që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në partneritetin për qeveri të hapur. Ky anëtarësim kërkon një qeverisje tërësisht transparente, të hapur ndaj qytetarëve të vendit. Tashmë është e faktuar që asgjë nuk është më jetike në rritjen e performancës në luftën kundër korrupsionit, sesa transparenca.

Ministri Pollo ka bërë një shqyrtim të problematikave sipas sektorëve, në raport me këtë nismë. Dua të theksoj këtu se nisma e Partneritetit për qeveri të hapur ka rreth 46 objektiva. Në thelbin e vet, ose si shtyllë më kryesore, ky partneritet  ka dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., bërjen disponibël të të dhënave të agjencive. Në këtë kontekst, ne po punojmë për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike. Ky projekt harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.

E rëndësishme është që të gjitha projektet tuaja të jenë të përputhshme plotësisht me këtë sistem. Pra, ka rëndësi që agjencia të ketë disponibël të gjitha të dhënat që i duhen nga agjencitë e tjera, për funksionimin e saj si një sportel i vetëm.

Ku konsistojnë pengesat në këtë drejtim? Së pari kjo kërkon vullnet dhe ju, në çdo sistem që ngrini në të gjitha agjencitë, duhet të keni si kërkesë të sistemit, përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktibilitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi kryesor është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen. Kjo kërkon që ju të përcaktoni të dhënat e hapurat, të cilat do jenë pjesë e këtij sistemi, kërkon që ju të shqyrtoni imediatikisht buxhetin për zgjidhjen e domosdoshme që do të bëni, në mënyrë që sistemet tuaja të jenë pjesë integrale e projektit të inter-operabilitetit.

Secila agjenci ka detyrimet e veta.

Ministri Pollo dhe AKSHI duhet të hartojnë një manual ku të saktësohet se çfarë do të jene “të dhënat e hapura”, mënyrën e konvertimit të të dhënave ekzistuese në formatin e të dhënave të hapura. Të gjitha institucioneve duhet t’u dërgohet nga ministri një shkresë për identifikimin e të dhënave, që do të mund të kthehen në të dhëna të hapura, natyrisht kjo sipas mundësisë, kapaciteteve dhe kohës. Por kjo duhet të përcaktohet imediatisht.

Lidhur me Auditin, ministri i linjës, në bashkëpunimin me ministrin e Financave të  orientojnë institucionet se si do  procedojnë për botimin online të raporteve të auditimit, sipas angazhimit përkatës të ndërmarrë. Ne kemi një vendim që çdo akt kontrolli i çdo natyre do të botohet. Votohet pasi është kompletuar si procedurë burokratike. Ne kemi struktura të auditit të brendshëm pranë institucioneve dhe transparenca e akteve të tyre përbën një nga kërkesat themelore të iniciativës së Partneritetit për Qeveri të Hapur.

Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK) dhe z.  Pollo, si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI):

1.      Duhet të fillojë puna për çeljen e një portali me të dhëna qeveritare të formatit open data.

2.      Zbatimi i sistemeve e-Parlament, më tej e-President dhe e-Publication, pra Gazeta Zyrtare Elektronike.

3.      Zgjerimi i rrjetit qeveritar Govnet

4.      Infrastruktura e Ndërveprimit të e-Qeverisjes (e-Government Interoperability Frameëork- e-GIF)

5.      Datacenteri Qendror, që do të mundësojë që të gjithë shërbimet online të jenë të qendërzuara dhe të integruara.

6.      Ministri për Inovacionin dhe TIK do të hartojë një ligj të posaçëm “Për njoftimin dhe konsultimin” për rregullimin ligjor të proceseve konsultuese të strukturuara me aktorë të shoqërisë civile, grupet e interesit, duke përfshirë partnerët ekonomikë dhe socialë.

7.      Studim për gjithë faqet zyrtare të internetit të institucioneve dhe agjencive qendrore për t’i kthyer ata në user friendly.

8.      Inspektim i faqeve zyrtare të internetit të institucioneve te Pushtetit Vendor.

9.      Zbatimi i projektit Tracking apo Gjurmueshmëria, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, qoftë për qytetarin, qoftë për biznesin. Ky projekt do të bëjë të mundur që biznesmeni shqiptar, qytetari, të ndjekë elektronikisht dokumentin, kudo qe ndodhet ai, do të bëjë të mundur të vendosë gishtin direkt mbi burokratin që pengon ecjen e tij, mbi zyrën që fle mbi të. Zbatimi i këtij projekti ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive në nxitjen e investimeve të huaja në atë shtet ku u aplikua për herë të parë. Shqipëria ka nevojë jetike për zbatimin e këtij projekti në kohën më të shkurtër të mundshme.

 10.    Krijimi i portalit te ri qeveritar shumë funksional, e-albania.al.

11.    Krijimi i portalit unik te inspektimeve, “e- Inspection”.

INSTAT,

në një plan afatgjatë duhet të kthejë në “të dhëna të hapura” të dhënat që mbledh. Natyrisht, këtu INSTAT do të ketë konsultime me komisionerin e privacisë dhe ligjin e të dhënave. Por, që këtë vit INSTAT duhet të kthejë në të dhëna të hapura një seri të dhënash, duke i përzgjedhur ato.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të zbatojë sistemin e Akcizës që përfshin akses dhe shërbim online për operatorët ekonomikë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka bërë një investim shumë të madh për shitjet online dhe tatimet online, duhet të kompletojë sistemin e taksës online, por duhet të përcaktojë gjithashtu të gjithë mekanizmat e shfrytëzimit, në interesin më të mirë të performancës së saj dhe të dhënat që mbledh  nga mbarë biznesi I vendit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës:

1.      Zhvillimi i procesit te Maturës Shtetërore online, duhet të jetë objektivi i konsoliduar i kësaj ministrie

2.      Përfundimi këtë vit i procesit te digjitalizimit të sistemit të menaxhimit nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Larte; një mekanizëm që do të lehtësojë procedurat e vlerësimit dhe akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

3.      Lancimi i modulit te parë te sistemit U-Gov - një sistem në shërbim të universiteteve për menaxhimin e brendshëm të informacionit.

4.      Zbatimi i fazës se dyte te modulit financiar te te gjithë institucioneve arsimore -Sistemi u krijua vitin e kaluar për të menaxhuar financat dhe buxhetin e MASH e të drejtorive rajonale arsimore në një platformë dhe bazë të dhënash qendrore dhe unike.

Ministria e Drejtësisë;

1.      Inspektimi online i gjykatave dhe çështjeve gjyqësore në vend

2.      Digjitalizimi i transferimit të  dosjes/çështjes në shkallët e sistemit gjyqësor.

3.      Amendimi brenda këtij viti i ligjit ”Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare”, ligj i vitit 1999 dhe që duhet të konsultohet edhe me shoqërinë civile dhe të vendoset standardi më i mirë në bërjen disponibël të të dhënave për qytetarët shqiptarë.

4.      Të kompletohet procesi i dixhitalizimit të sistemit të noterëve. Ky përbën një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, me funksionet e reja që merr ky shërbim themelor i shtetit.

5.      Dje u inaugurua projekti i sistemi online i ankimimeve të qytetarëve për gjykatat dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sikundër, edhe fillimit të dixhitalizimit të noterisë përbën nëj arritje shumë të madhe.

6.      Me sukses po e vazhdon kjo ministri por duhetr ta kompletojë gjatë muajve që vijnë sistemin e i regjistrimit audio dhe video i seancave gjyqësore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të personelit të gjykatave për këtë proces

7.      Do të çelet portali www.gjykata.gov.al  për të ngarkuar të dhëna për qytetarët, duke përfshirë edhe publikimin e vendimeve gjyqësore.

Siç e shihni, ligji forcohet dhe ndihmohet shumë nga dixhitalizimet.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta:

1.      Zbatimi i projektit e-Punësimi, me synimin e digjitalizimit të informacionit në të gjitha zyrat e punësimit, konsolidimin e bazës së të dhënave për tregun e punës, si dhe krijimin e regjistrit të punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

2.      Ndërtimi i faqes se Internetit të Shërbimeve Sociale.

3.      Mundësimi i ankesës online, ne faqen e internetit të Inspektoratit Shtetëror të Punës

4.      Të krijohet portali për Këshillin Kombëtar të Punës, për të cilin e kemi thënë se duhet të shndërrohet në Këshill Kombëtar të Punës dhe Biznesit dhe ministria e Punës, së bashku me ministrinë e Ekonomisë duhet ta ndjekin këtë problem.

 Ministria e Punëve Publike dhe Transportit

 1.     Agjencia ka bërë një hap shumë të madh përpara lidhur me koncesionet, aplikimin e tyre online.

2.     Agjencia e Planifikimit të Territorit duhet të ketë regjistrin kombëtar të planifikimit të territorit.

3.     Të vazhdojë finalizimi i Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve, të lëshimit të patentave.

Ministria e Mbrojtjes

1.      Ministria e Mbrojtjes duhet të publikojë statistikat e burimeve njerëzore për të mundësuar monitorimin e rekrutimit dhe ngritjes në detyrë;

2.      Të ngrejë një sistem online të digjitalizimit, kontrollit, inventarizimit dhe kontabilitetit të materialeve logjistike. Edhe kjo shumë e domosdoshme në mënyrë që të dominojmë të gjithë situatën logjistike, me lehtësinë më të madhe.

Ministria e Brendshme

1.      Ministria e Brendshme po planifikon të krijojë një platformë të formatit open data për Policinë e Shtetit, si dhe do të fillojë publikimin në faqen zyrtare të saj, të raporteve të kontrollit, auditit dhe inspektimit.

2.      Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme do të krijojnë gjatë këtij viti, një sistem të konsoliduar të dhënash në lidhje me regjistrimin e hetimeve, ndjekjes penale dhe dënimeve në fushën e korrupsionit.

3.      Po gjatë këtij viti do të bëhet i mundur plotësimi online i formularit të ankesave nga shtetasit, në faqen e internetit të Shërbimi të Kontrollit të Brendshëm, Ministria e Brendshme.

Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë mundësi për ankesa online për të burgosurit. Ose të shkojë në zyrën e prokurorit, të gjendet edhe zyra, pasi kjo ndihmon për të pasur qëndrimet më korrekte, siç e kërkon ligji, ndaj tyre.

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

1.    Duhet të aplikojë këtë vit disa seminare për konsultim publik, në lidhje me shpalljen e Zonave të Mbrojtura (harta përkatëse në faqen ëeb të kësaj ministrie)

2.    si dhe do të botojë në faqen e saj të internetit të gjitha lejet e mjedisit që lëshon kjo ministri dhe të gjitha licencat e çdo lloj veprimtarie të kësaj ministrie.

Kjo nuk është specifike vetëm për Ministrinë e Mjedisit, por për të gjitha ministritë.

Agjencia e Prokurimit Publik

Duke përgëzuar edhe një herë APP, për punën e madhe që bëri dhe vendosjen e procedurës së koncesioneve online, kjo Agjenci po punon të shtrijë procedurën online për blerjet e vogla dhe sa më shpejt, e tërë administrata e shtetit do të blejë me procedurë të hapur online shpenzimet e vogla, të cilat me këtë procedurë do të mund të përdoren në mënyrë më eficente, pasi do të ketë një pjesëmarrje shumë më të gjerë. Pjesëmarrja në tendera, pas kalimit nga sistemi manual, në sistemin dixhital, është dy-tre fishuar dhe natyrisht ka ulur edhe kostot, në mënyrë shumë të ndjeshme. Kjo është e nevojshme edhe për blerjet e vogla.

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit

1.      Duhet të paraqesë planin e të gjitha proceseve dixhitale, me të cilat, ajo do t’u ofrojë fermerëve shqiptarë mbështetjen më të fuqishme.

Sot, në një bujqësi moderne, gjithçka është e përllogaritur, e përcaktuar, e përzgjedhur mbi bazën e një morie të dhënash, të cilat fermerët shqiptarë duhet t’i kenë të disponueshme në çdo kohë. Këto të dhëna janë të domosdoshme në mënyrë që ata të parashikojnë, përzgjedhin dhe rrisin përfitimin duke përfituar nga nivelet e reja të shkencës në këtë fushë. Informacioni në sektorin e bujqësisë është rudimentar, shumë i pamjaftueshëm. Nuk do mund të pretendohet se fermerët nuk përdorin dot internetin. Ata e përdorin atë, në mënyrë të shkëlqyer, për interesat që u duhen, por e rëndësishme është që ne t’i bëjmë disponibël të gjitha të dhënat e sistemit që ata kanë nevojë. Ministria e Bujqësisë nuk do mund të arrijë objektivat e saj pa një informatizim total nga pika e ujit që bie në rrënjën e bimës, deri tek prodhimet përfundimtare, tregjet e përpunimi i tyre. 

2.      Duhet të krijojë me shpejtësi e përgjegjësi të plotë arkivin dixhital të të gjitha parcelave që subvencionohen nga AZHBR-ja apo fonde të tjera.

3.      Duhet të abonohet dhe t’u bëjë disponibël fermerëve, të gjitha të dhënat satelitore e të tjera që nxirren në këtë sektor, në mbështetje të tyre.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës 

Një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, në zhvillim e sipër, është anëtarësimi i Shqipërisë në Nismën për Transparencë në Industrisë Nxjerrëse (EITI). Kjo nismë ka një rëndësi shumë të madhe, sepse e fut Shqipërinë në klubin e vendeve që dëshmojnë se duan të kenë transparencë të plotë në industritë nxjerrë të tyre, transparencë financiare, transparencë në marrëdhëniet me komunitetin, transparencë në respektimin e mjedisit. EITI përbën një nismë jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë, e cila në rrafshin minerar është një vend i rëndësishëm në rezervat që ka.

Zotërinj ministra e drejtues të agjencive të ndryshme,

Këtë vit, ne e kemi shpallur vitin e finalizimit të arritjes së Shqipërisë dixhitale. Theksoj edhe një herë se nuk ka dhuratë më të bukur që mund t’i bëhet Shqipërisë e shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, i cili trashëgoi një problematikë të madhe recente dhe shekullore, sesa realizimi i Shqipërisë dixhitale. Një objektiv jo i  lehtë, por plotësisht i realizueshëm. Ju dhe unë, asgjë nuk mund të imagjinojmë që të afektojë më shumë cilësi, të realizojë transformim më cilësor, sesa dixhitalizimi. Ne e kemi përparësuar këtë proces dhe ju rikujtoj se qeveria dhe agjencitë e saj kanë 125 projekte në zbatim e sipër. Nga këto, 95 projekte janë në proces zbatimi. Nga këto 95 projekte, 16 projekte kanë përfunduar; 35 projekte janë parashikuar të përfundojnë gjatë viti 2012; 58 projekte janë parashikuar të përfundojnë gjatë viti 2013; 2 projekte janë parashikuar të përfundojnë gjatë viti 2014. Ka 13 projekte, për të cilat nuk janë përcaktuar fondet.

Të nderuar zotërinj,

Këto projekte janë të një rëndësie kapitale. 58 projektet e viti 2013 do të avancohen në vitin 2012. Këtë vit nuk kishim ndërmend të shqyrtonim buxhetin, por nuk përjashtohet mundësia  e shqyrtimit të tij në qershor, duke pasur një nga shtysat e rëndësishme, gjithashtu, përparësimin nga juaj të këtyre projekteve. Unë ju autorizoj të merrni nga çdo lloj zëri tjetër për financimin e këtyre projekteve. Shqyrtoni buxhetin dhe në rast se buxheti kalon në qershor, ato të jenë gati në rirregullimin që do t’i bëhet buxhetit, për të financuar me përparësi absolute, projektet e dixhitalizimit.

Këto 58 projekte të parashikuara për vitin 2013 do të jenë të gatshme në 28 nëntor të viti 2012. Nuk mund të bëni një dhuratë më të madhe atë ditë, sesa këto projekte, nuk mund të shënojmë një transformim më të madh për ketë vend, sesa zbatimi i këtyre projekteve! Ndaj kërkoj që secila agjenci të shqyrtojë dhe t’i propozojë Ministrisë së Financave ndryshimet në buxhet, në funksion të këtyre projekteve. 13 projektet që nuk janë në zhvillim do t’i rikonsideroni edhe një herë me vendosmëri.

E gjykova pothuaj emergjente këtë mbledhje, pasi jemi në gjysmën e kohës për 100 vjetorin dhe Shqipëria e shqiptarët presin nga ju, më shumë se çdo gjë tjetër, projektet dixhitale. Kjo kërkon edhe ristrukturimet nevojshme në agjenci. Siç e kemi bërë të ditur, nuk do shtohet as edhe një punonjës i vetëm në administratën shtetërore, përveç zëvendësimit të daljeve në pension dhe ku  është e mundur do të përgatisni punonjësit ekzistues. Aty, ku ata nuk përmbushin dot këto detyrime, do t’i zëvendësoni me punonjës të tjerë të aftë e të zotë, të cilët janë plotësisht të përshtatshëm dhe e kanë plotësisht të mundur të funksionojnë në një administratë dixhitale, që operon me lehtësi projektet e rëndësishme që janë në zbatim e do  të zbatohen. Faleminderit.”


11/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›