E Diel, 1 Nëntor 2026

PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI ME RASTIN E “DITËS SË DREJTËSIS˔

10 maj 2012

I nderuar zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
E nderuar zonja Kryetare e Gjykatës së Lartë,
I nderuar zoti Avokat i Popullit,
I nderuar Kryetar i ILDKP-sw,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar të pranishëm!

Është bërë tashmë traditë, që në shenjë respekti për 10 majin e vitit 1913 - ditën e miratimit të bazës ligjore të organizimit të pavarur të sistemit gjyqësor në Shqipëri, 10 maji të nderohet si “Dita e Drejtësisë”. Akti historik i etërve të krijimit të shtetit shqiptar dhe të hartimit të Kanunit të Zhurisë përkujtohet dhe nderohet sot, por na krijon gjithashtu mundësinë që jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë dhe të shohim se çfarë mund të bëhet më mirë dhe cilat duhet të jenë sfidat tona të së ardhmes.

“Dita e Drejtësisë” festohet sot në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje kjo e përmasave të një gëzimi mbarëkombëtar dhe me impakt jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por kudo që ata ndodhen. Në këtë përvjetor të gëzuar, Shqipëria është përpara sfidës së marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Përtej intensitetit të bashkëpunimit politik për të realizuar rekomandimet e Bashkimit Evropian, vlerësoj se në këtë proces drejt integrimit evropian, performanca e veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, funksionimi normal i tij dhe i aktorëve të tjerë që lidhen me të, janë komponentë shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Prandaj, në këtë 10 maj, thirrja ime është tërheqja e vëmendjes lidhur me rëndësinë thelbësore që ka funksionimi normal i drejtësisë në këtë proces të rëndësishëm për vendin. Këndvështrimi im, si President i Republikës përsa i përket procesit të integrimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në këtë kuadër, shkon përtej kësaj. Është në themel të funksionimit të një shoqërie demokratike normale dhe garant i saj, mirëfuksionimi i dhënies së drejtësisë.

Prandaj, përmirësimi i veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, konsolidimi i tij, rritja e pavarësisë dhe paanshmërisë, lufta kundër fenomeneve korruptive dhe trajtimeve subjektive dhe të njëanshme të çështjeve, janë në thelb garantimi i funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Fuksionimi normal i pushtetit gjyqësor parandalon sjelljen abuzive me pushtetin, parandalon shkeljet e ligjit, parandalon pasojat e rënda që vijnë nga mosfunksionimi normal i institucioneve dhe raporteve sociale. Në thelb, demokracia funksionale është e lidhur pazgjidhmërisht me funksionimin normal të pushtetit gjyqësor. Shqiptarët, ashtu si dhe qytetarët e tjerë evropianë kanë të drejtën që t’u ofrohet një drejtësi e standartizuar, profesionale, me integritet moral të lartë, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre dhe për të evituar amplifikimin e së padrejtës.

Në vetvete, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është proces i përmirësimit të demokracisë së brendshme, pra integrimi duhet parë si shtysë, dhe jo si qëllim në vetvete. Demokracia dhe forcimi i pushtetit gjyqësor nuk është për t’iu treguar partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria është e aftë të ndërtojë Shtetin e së Drejtës dhe të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ajo në fakt, është procesi i brendshëm i transformimit të shoqërisë, institucioneve, përfshirë dhe drejtësinë, në krjimin dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike me parametra dhe standarde të demokracive të zhvilluara.

Të nderuar pjesëmarrës!

Dita e Drejtësisë në këtë 100-vjetor dhe në këtë sfidë të rëndësishme për marrjen e statusit të vendit kandidat, duhet të përçojë mesazhin e një bashkëpunimi të fortë dhe mirëkuptimi politik dhe institucional për të mbështetur forcimin dhe përpjekjet për rritjen e integritetit dhe eficençës së pushtetit gjyqësor. Kjo ditë duhet të jetë një ditë mesazhi për rëndësinë që ka ky pushtet në garantimin e një demokracie funksionale dhe nevojën e mbështetjes së përpjekjeve të të gjithë aktorëve, brenda dhe jashtë Gjyqësorit, për të ndikuar maksimalisht në rritjen e standardeve të dhënies së drejtësisë. Ju bëj thirrje që ky vit i ri gjyqësor të nisë me një vullnet të fortë për të përballuar me sukses sfidat që e presin Shqipërinë në këtë përvjetor të 100-të të Pavarësisë së saj!

Më tepër se sa kritika ndaj sistemit, duhet të mbizotërojë mbështetja e plotë për reformimin e tij, duke iu dhënë më shumë, duke iu krijuar më shumë hapësira ligjore, financiare dhe infrastrukturore, për mirëfunksionimin e tij. Miratimi i ndryshimeve të rëndësishme ligjore kohët e fundit si dhe krijimi i Gjykatës Administrative janë një ndihmesë e dukshme për përmirësimin e funksionimit të sistemit. Mbetet me rëndësi të posaçme, aplikimi faktik nga autoritetet kushtetuese të krijimit të këtyre gjykatave, duke bërë kujdes dhe kushtuar vëmendje të posaçme përzgjedhjes së trupës gjyqësore.

Thirrja ime, të nderuar pjesëmarrës, në këtë ditë është për bashkëpunimin institucional dhe rritje të përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor në përballimin e sfidave të kohës. Sa më drejtë dhe sa më mirë t’u përgjigjet ky sistem këtyre sfidave, aq më garantues është funksionimi i demokracisë në Shqipëri dhe aq më të pranueshëm bëhemi për të hyrë në familjen evropiane, mbi të njëjtat standarde dhe mënyrë funksionimi të sistemit. Është një barrë e rëndë, por në të njëjtën kohë, një mision fisnik për ju të nderuar gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, që nëpërmjet ushtrimit të funksioneve tuaja, me profesionalizëm dhe integritet moral të bëni të mundur ecjen përpara të vendit dhe shoqërisë drejt konsolidimit të një demokracie funksionale dhe garantimit të rrugës drejt Bashkimit Evropian. Uroj nga zemra që ky vit i lumtur e i ndritur për Shqipërinë, për historinë e saj, të vazhdojë të jetë i tillë edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, falë kjo edhe rritjes së përgjegjshmërisë së funksionimit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë!

Urime për Ditën e Drejtësisë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›