E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Është faktuar një vendosmëri e palëkundur e qeverisë shqiptare e asaj kineze për dimensione të reja bashkëpunimi e miqësie

-        -  Do të keni gjithnjë një mik të çmuar në qeverinë shqiptare, që do të bëjë gjithçka që investimet dhe projektet tuaja, të jenë një histori e vërtetë suksesi për ju dhe dy vendet e kombet tona

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në punimet e Forumit ekonomik Shqipëri- Kinë, si dhe vizitoi Panairin e teknologjisë dhe investimeve kineze, të hapur sot Tiranë.

Të pranishëm në këtë forum ishin drejtues të 67 sipërmarrjeve, ndër 500 më të rëndësishmet në Kinë dhe 100 biznesmenë të cilët kanë zgjedhur Tiranën, si destinacionin e parë të tyre në Evropë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Nënkryetari i Bashkisë së Nankinit, në Kinë, z. Li Fuquan, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri z. Ye Hao, përfaqësues të Konf-industrisë dhe të biznesit në vend, etj. Në këtë aktivitet, në praninë e Kryeministrit Berisha, u nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Nankinit.

Në fjalën e tij në forum, Kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Delegacionit Kinez për delegacionin e rëndësishëm që solli në Tiranë, zhvillimin e panairit të prodhimeve, që solli  potencialet e sipërmarrjeve të mbi 60 bizneseve të fuqishme kineze në Shqipëri. “Dua t’ju siguroj se jeni në një vend mik i cili mirëpret vizitën tuaj këtu me një kënaqësi shumë të madhe”, u shpreh Kryeministri.

Duke iu referuar miqësisë së  thellë e të hershme midis dy kombeve dhe vendeve tona, miqësi e cila këto 20 vitet e fundit ka njohur nivele të larta, Kryeministri tha se “është faktuar një vendosmëri e palëkundur e qeverisë sime dhe qeverisë së vendit tuaj, për t’i dhënë asaj dimensione të reja të panjohura më parë”.

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme platformën e paraqitur vetëm disa ditë më parë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao, në Varshavë, për  bashkëpunim të ndërsjellë mes vendeve të këtij rajoni dhe Republikës Popullore të Kinës.  Në këtë kontekst, Kryeministri bëri me dije se pikërisht sot, në selinë e Këshillit të Ministrave, ai drejtoi mbledhjen e Task Forcës së ngritur për të konkretizuar e jetësuar  bashkëpunimin, në përputhje më këtë platformë me Republikën Popullore të Kinës,  bashkëpunim i cili shtrihet e do të shtrihet në të gjitha fushat.

Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të gjerë të potencialeve të mëdha që ofron Shqipëria në shumë fusha kryesore si, përcaktimin e zonave për parqe industrialë, potencialet në fushën e energjisë së  rinovueshme, ku janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale të vogla, të mesme e të mëdha, apo ku ofrohen edhe kaskada të tjera si ajo e Vjosës, Skavisës, por edhe potenciale të tjera të mëdha. “Kompanitë kineze janë të mirëpritura me investimet në këtë fushë dhe i dhe i garantoj se qeveria shqiptare do të zbatojë rregullat më transparente të tregut, rregullat më liberale në tregun energjetik”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri përmendi gjithashtu rezervat e mëdha minerale që Shqipëria ka në krom, hekur, nikel, bakër e minerale të tjera, si dhe pasurinë me gurë dekorativë, në naftë. Kryeministri u ndal edhe në procesin e privatizimit të Albpetrolit, ku ftoi investitorët kinezë të përfshihen në këtë proces.

“Vendi është për t’u eksploruar në të katër anët e tij”, theksoi Kryeministri, ndërsa nënvizoi se Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm dhe ajo është porta e Ballkanit drejt perëndimit dhe porta e perëndimit drejt lindjes.

Kryeministri vuri në dukje edhe rëndësinë e projektit të madh të Korridorit 8, projekt që rikthen rrugën e lashtë Egnatia dhe që e lidh atë me rrugën e lashtë të Mëndafshit, rrugë këto që i shërbyen qytetërimit botëror. Shqipëria po ndërton pjesën e saj të këtij korridori, tha Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi edhe rëndësinë shumë të madhe të bashkëpunimit në fushën kulturore e arsimore, duke informuar në këtë drejtim, se së shpejti, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, do të ngrihet në Tiranë Instituti i Konfucit, sikundër, qeveria shqiptare ka vendosur që gjuha kineze të mësohet në shkollat shqipe.

Duke theksuar edhe njëherë përkushtimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të favorshme për investime në vend, Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrjet kineze dhe i siguroi ata se do të kenë gjithnjë një mik të çmuar në qeverinë shqiptare, që do të bëjë gjithçka që investimet dhe projektet e tyre të jenë një histori e vërtetë suksesi si për ata, ashtu edhe për të dy vendet dhe kombet tona.

Në fjalën e tij të plotë në forum, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju uroj një mirëseardhje të përzemërt në Shqipëri dhe t’ju siguroj se jeni në një vend mik i cili mirëpret vizitën tuaj këtu me një kënaqësi shumë të madhe. Por dua të theksoj se ky takim dhe kjo vizitë zhvillohet vetëm pak ditë pas një takimi historik që Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao  zhvilloi në Varshavë, me liderë të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore. Në këtë takim, që do të theksoj edhe njëherë si historik, Kryeministri i nderuar i vendit tuaj shpalosi para udhëheqësve politikë të Evropës Qendrore e Lindore,  platformën e bashkëpunimit të ndërsjellë mes vendeve të këtij rajoni dhe Republikës Popullore të Kinës.

Më lejoni t’ju informoj se sot, pikërisht në selinë e Këshillit të Ministrave, unë drejtova Task Forcën e ngritur për të konkretizuar e jetësuar  bashkëpunimin, në përputhje më këtë platformë me Republikën Popullore të Kinës,  bashkëpunim i cili shtrihet e do të shtrihet në të gjitha fushat. Kryeministri Wen Jiabao informoi të pranishmit në takimin e tij se Republika Popullore e Kinës ka përcaktuar një shumë prej 10 miliardë dollarë kredi për projektet e vendeve të këtij rajoni. Republika Popullore e Kinës ka përcaktuar ngritjen e një fondi prej mbi 500 milionë dollarë në mbështetje të këtij bashkëpunimi, se Republika Popullore e Kinës ka në projektet e saj ngritjen e parqeve ekonomike, si nyje të fuqishme bashkëpunimi midis këtyre vendeve dhe vendit të tij.

Kina i kushton një rëndësi shumë të madhe bashkëpunimit në fushën kulturore e arsimore. Unë kam kënaqësinë t’ju informoj se së shpejti, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, do të ngrihet në Tiranë Instituti i Konfucit, sikundër, qeveria ime ka vendosur që gjuha kineze të mësohet në shkollat shqipe. Kryeministri u ka ofruar vendeve të rajonit mijëra bursa, për të përgatitur mësuesit për mësimin e kësaj gjuhe.

Por, krahas këtyre, dua të theksoj këtu se ekziston një miqësi e thellë, e hershme midis dy kombeve dhe vendeve tona, miqësi e cila këto 20 vitet e fundit ka njohur nivele të pa precedentë pozitive dhe është faktuar si një vendosmëri e palëkundur e qeverisë sime dhe qeverisë së vendit tuaj, për t’i dhënë asaj dimensione të reja të panjohura më parë.

Zoti Ambasador, unë ju falënderoj shumë që zgjodhët Nanjingin, një nga qendrat më të fuqishme të zhvillimit të vendit tuaj dhe dua të falënderoj përzemërsisht dhe Kryetarin e Delegacionit Kinez për delegacionin e rëndësishëm që solli në Tiranë dhe zhvillimin e panairit të prodhimeve, si dhe potencialet e sipërmarrjeve të 60 bizneseve që kanë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion.

Një ditë, një mik i imi, sipërmarrës italian, më thotë se; - në sipërmarrjen time merr një gjigand i prodhimit të verëra në vendin tim dhe mw thotw se donte të blinte sipërmarrjen time.  Unë ia ktheva dhe i thashë; ”Kjo është martesa e mizës me elefantin”. Por kjo nuk ndodh midis dy vendeve tona. Ato kanë një traditë shumë të mirë bashkëpunimi dhe miqësie. Shqipëria, vërtetë është një vend vogël në hartë, por në mendjen dhe zemrën e kinezëve është një vend i dashur dhe i respektuar. Shqipëria është vërtetë një vendi i vogël në hartë, por Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha për çdo korporatë të madhe të Kinës e të çdo vendi tjetër. Ndaj dhe jeni të mirëpritur.

Shqipëria ka krijuar një klimë biznesi ndër më miqësoret në rajon. Ajo është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka pasur rritje të pandalshme të investimeve. Kina kryeson rritjen ekonomike botërore, Evropa është në krizë. Për 5 vitet e fundit, Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë në Evropë. Ekziston një traditë e mrekullueshme, e cila në kushte të reja përbën një “Know how” të shkëlqyer për investitorët e sipërmarrësit kinezë në Shqipëri.

Le t’u rikthehemi edhe njëherë potencialeve të vendit tonë. Ministri i Ekonomisë ju ofroi ju, në emër të qeverisë, një park industrial në zonën e Durrësit. Më lejoni t’ju informoj se kompania konsulente, ndër më të famshmet në botë McKensey , në një studim të bërë pak vite më parë, konstaton se lugina midis Tiranës dhe Durrësit përbën terrenin e një “shengeni ” të vërtetë për Evropën, ajo ka portin, aeroportin, infrastrukturën e gjithanshme. Në këtë kontekst, sipërmarrjet tuaja janë shumë të mirëpritura të përzgjedhin si territor për një park ekonomik atë sipërfaqe toke që duan dhe, në rast se përzgjedhin në zonën e Spitallës, ajo është tokë publike dhe e gjithë kontrata do të merret vetëm një 1 euro.  

Shqipëria përbën një rezervuar të madh të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore e më gjerë. Të nderuar miq, në këtë vend janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale të vogla, të mesme e të mëdha. Kompani nga mbarë bota, përfshi edhe ato që janë në pozicionet më kryesore në ndërtimin e hidrocentraleve si Statkraft, e së fundi kompani të mëdha braziliane, kanë vendosur të punojnë në Shqipëri. Kompanitë kineze janë të mirëpritura dhe i garantoj ato se qeveria shqiptare do të zbatojë rregullat më transparente të tregut, rregullat më liberale në tregun energjetik. Sikundër, ofrojmë kaskada të tëra, sië është Vjosa, Skavica, por edhe potenciale të tjera të mëdha.

Kina sot është lider në prodhimin e paneleve solare dhe të turbinave të Erës. Shqipëria është një nga vendet më me diell në Evropë e botë. Shqipëria ka platformë ere ndër më të fuqishmet. Sipërmarrësit kinezë janë të mirëpritur të investojmë në këto fusha, në interesin e tyre më të mire, duke mbajtur parasysh se Shqipëria vendoset përballë njërit prej tregjeve më të mëdha energjetikë të Evropës, siç është tregu italian.

Shqipëria ka rezerva të mëdha minerale. Në arkivat e vendit tuaj janë studime të shumta që faktojnë se Shqipëria ka rezerva botërore kromi, hekuri, hekur-nikel, bakër e tani së fundi, platin, ar e minerale të tjera. Ju jeni të ftuar e të mirëpritur të merrni me koncension këto miniera, të cilat janë vërtetë pasuri të mëdha dhe me cilësi të shkëlqyera mineralesh. Masivet e jugut, në tërësinë e tyre, janë gurë dekorativë nga më të mirët, më të bukurit, për ndërtim dhe që po eksportohen në mbarë botën.

Shqipëria është një vend me naftë. Por, disa studime të sigurta faktojnë se në këtë vend gjendet fusha më e madhe e naftës e kontinentit evropian, që është ajo e Patos Marinzës. Vendi është për t’u eksploruar në të katër anët e tij. Nuk përjashtohen mundësitë që sasi kolosale të gazit jo konvencional të gjenden në nëntokën e këtij vendi. Alpetroli, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, është në privatizim. Ne ju ftojmë të merrni pjesë e të konsideroni seriozisht pjesëmarrjen tuaj në këtë proces dhe do të gjeni aty se në paketën e Alpetrolit është i përfshirë pothuajse i tërë territori, me të drejtën e eksplorimit dhe shfrytëzimit të saj.

Zonja e zotërinj,

Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm. Ajo është porta e Ballkanit drejt perëndimit dhe porta e perëndimit drejt lindjes. Me investime të pakta, mund të rivendoset linja hekurudhore Tiranë – Pekin e më tutje me vende të tjera perëndimore.

Po kështu, projekte të mëdha janë në zhvillim e sipër. Unë përshëndes nismën e Kryeministri tuaj që fton vendet e rajonit të konsiderojnë projekte trans kufitare të përbashkëta. Një projekt i madh është projekti i Korridorit 8, projekt që rikthen rrugën e lashtë Egnatia dhe që e lidh atë me rrugën e lashtë të Mëndafshit, rrugë këto që i shërbyen qytetërimit botëror dhe e bënë atë më të begatë e më të prospetë. Është një rast që vendet tona dhe vendi juaj ta rikthejnë këtë infrastrukturë. Shqipëria po ndërton pjesën e saj të këtij korridori.

Këto ishin disa nga potencialet e mëdha, por do ta mbyll duke theksuar se në tregun  e punës, të dy vendet tona kanë karakteristika të përbashkëta. Shqipëria ka një nga tregjet e punës më fleksibël në Evropë, ka një nga raportet më të shkëlqyera të prodhimit dhe pagave. Shqipëria bazohet në një sistem fiskal ndër më të ulëtit në rajon e në botë. Të gjitha këto janë arsye për të cilat unë do të vlerësoja shumë vendosmërinë tuaj për të paraqitur e për të zbatuar projekte tuajat në këtë vend.  Dua t’ju garantoj se, përveç këtyre, do të keni gjithnjë një mik të çmuar në qeverinë shqiptare, që do të bëjë gjithçka që investimet tuaja, projektet tuaja, të jenë një histori e vërtetë suksesi për ju, dy vendet dhe kombet tona. Faleminderit”.   


09/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›